Udhëheqësi i Kremlinit,Vladimir Putin ka rënë dakort për një takim dypalësh me presidentin ukrainas.
Takimi do të mbahet deri në gusht në një vend që ende nuk është përcaktuar dhe do të pasohet nga një takim trepalësh me presidentin amerikan, shkruan TgCom.
"Brenda 10 ditësh, aleatët perëndimorë do të formalizojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën", është shprehur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Vendimi për territoret është "një vendim që më takon mua dhe Putinit", shtoi Zelensky.
Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron është shprehur skeptik në lidhje me armëpushimin në Ukrainë.
"Një angazhim për paqen është i nevojshëm, por dyshoj në sinqeritetin e Putinit" është shprehur Macron ndërsa shkroi në Tëitter:
“Në Uashington, së bashku me Presidentin Zelensky dhe partnerët tanë, i ritheksuam Presidentit Trump vendosmërinë tonë për të vazhduar të bashkojmë përpjekjet tona për një paqe të fortë dhe të qëndrueshme që mbron interesat e Ukrainës dhe sigurinë e Evropës. Një paqe e tillë do të kërkojë domosdoshmërisht ofrimin e garancive të forta të sigurisë për Ukrainën, për të cilat kemi rënë dakord të punojmë shumë konkretisht me Shtetet e Bashkuara. Është gjithashtu e qartë për ne se presioni mbi Rusinë duhet të vazhdojë derisa të arrihet një paqe e tillë”, shkroi Presidenti francez Emmanuel Macron në X.
Stubb: Putini rrallë është i besueshëm
Presidenti finlandez Alexander Stubb tha të hënën se homologu i tij rus Vladimir Putin “nuk ishte i besueshëm”, pas bisedimeve që zhvilloi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe disa udhëheqës të tjerë evropianë.
“Putini rrallë është i besueshëm. Mbetet për t’u parë nëse ai do të kishte guximin të vinte në një takim të këtij lloji. A ka guximin të shkojë në një samit trepalësh, apo po përpiqet të fitojë kohë përsëri?” pyeti Stubb përfaqësuesit e shtypit finlandez.
Rutte: Garancitë e sigurisë për Ukrainën në stilin e "Nenit 5" po diskutohen, por jo anëtarësimi i saj në NATO
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të hënën se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk po diskutohet, por se po flitet për garancitë e sigurisë të "Nenit 5" për Kievin, i cili parashikon mbrojtje kolektive në vendin që Rusia pushtoi në shkurt 2022.
"Situata është si më poshtë - Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera kanë thënë se janë kundër që Ukraina të bëhet shtet anëtar i NATO-s. Qëndrimi zyrtar i NATO-s është se rruga drejt anëtarësimit të Ukrainës është e pakthyeshme", tha Rutte në një intervistë me Fox Neës.
"Por ajo që po diskutojmë këtu nuk ka të bëjë me bërjen e vendit anëtar të NATO-s, ajo që po diskutojmë janë garancitë e sigurisë të Nenit 5 për Ukrainën, dhe se çfarë do të thotë saktësisht kjo tani do të diskutohet më në detaje", shtoi ai.
Neni 5 i traktatit themelues të aleancës ushtarake perëndimore thotë se një sulm ndaj një shteti anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Pranimi i Ukrainës në NATO është një qëllim strategjik i Kievit, i sanksionuar në kushtetutë.
Megjithatë, kjo është një vijë e kuqe për Presidentin rus Vladimir Putin.
Rutte tha se garanci të tilla sigurie mund t'i ofrohen Kievit në këmbim të anëtarësimit.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të aleancës, nuk pati diskutim për vendosjen e trupave të NATO-s në territorin ukrainas.
Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump, në një konferencë të përbashkët shtypi krejtësisht të ndryshme me Zelenskyn, deklaroi me forcë se lufta do të mbaronte. "Nuk mund të them se kur, por do të mbarojë."
Zelensky vlerësoi rolin e presidentit amerikan dhe dënoi sulmet e reja ruse që morën jetën e të paktën 10 personave, duke thënë se Moska po përpiqej të "poshtëronte përpjekjet diplomatike" dhe theksoi se "kjo tregon pse nevojiten garanci të besueshme sigurie".
Pas takimit me liderët e BE-së dhe me homologun e tij ukraianas,Trump në një postim në Truth Social shkroi se po punojnë për një takim midis Putinit dhe Zelenskyt dhe më pas një takim trepalësh me praninë e tij, me qëllim gjetjen e një mënyre për t'i dhënë fund luftës trevjeçare e gjysmë në Ukrainë që filloi me pushtimin e plotë të Rusisë në shkurt 2022./Versus.al







