Polonia dhe vende të tjera të NATO-s i kanë ngritur sërish avionët e tyre luftarakë të shtunën herët, derisa Rusia po e kryente një sulm të madh me raketa dhe dronë.
Të paktën tre njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet ruse në disa rajone ukrainase, sipas autoriteteve.
Kremlini e kreu këtë sulm pak pas reagimit të ashpër të vendeve të NATO-s ndaj një shkeljeje të hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia një ditë më parë, si dhe pas shkeljeve të fundit me dronë rusë në Poloni dhe Rumani.
“Avionët polakë dhe të vendeve aleate po operojnë në hapësirën tonë ajrore, ndërkohë që sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe ato të zbulimit janë vënë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë”, tha Komanda Operacionale e Ushtrisë Polake në një postim në X.
Operacioni, i cili zgjati rreth 90 minuta, është tregues i shqetësimit të lartë në vendet e NATO-s pas ndërhyrjeve të Rusisë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet ndodhën në nëntë rajone, në Dnipropetrovsk, Mikolaiv, Çernihiv, Zaporizhja, Poltava, Kiev, Odesa, Sumi dhe Harkiv.
“Cak i armikut ishin infrastruktura jonë, zonat e banuara dhe ndërmarrjet civile”, tha Zelensky, duke shtuar se një raketë e pajisur me municione thërrmuese e goditi një ndërtesë shumëkatëshe në qytetin e Dnipros.
“Çdo sulm i tillë nuk është domosdoshmëri ushtarake, por është strategji e qëllimshme e Rusisë për t’i frikësuar civilët dhe për ta shkatërruar infrastrukturën tonë”, shtoi ai në një deklaratë në kanalin e tij zyrtar në Telegram.
Të paktën 26 njerëz u plagosën në sulmin në rajonin qendror të Dnipropetrovskut, tha guvernatori lokal Serhii Lysak.
Në qytetin lindor Dnipro u dëmtuan disa pallate dhe banesa.
Në rajonin e Kievit, autoritetet lokale thanë se pati goditje në zonat e Buçës, Borispilit dhe Obuhivit, ku u dëmtuan një shtëpi dhe disa makina.
Në rajonin perëndimor të Lvivit, guvernatori Maksim Kozytsky tha se u rrëzuan dy raketa lundruese.
Rusia i lëshoi 619 dronë dhe raketa, njoftoi Forca Ajrore e Ukrainës.
Në total u vërejtën 579 dronë, tetë raketa balistike dhe 32 raketa lundruese. Forcat ukrainase rrëzuan dhe neutralizuan 552 dronë, dy raketa balistike dhe 29 raketa lundruese.
“Gjatë sulmit ajror, aviacioni taktik, veçanërisht avionët F-16, vepruan në mënyrë efektive ndaj raketave lundruese të armikut. Armët perëndimore edhe një herë po dëshmojnë efektivitetin e tyre në fushën e betejës”, tha Forca Ajrore në një deklaratë.
Të premten, aleatët e NATO-s dënuan shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia, ndërsa aleanca ushtarake perëndimore caktoi një mbledhje të Këshillit të Atlantikut të Veriut për të biseduar për këtë krizë që po thellohet, pasi kjo është hera e tretë që avionët ushtarakë të Kremlinit provokojnë në ditët e fundit.
Ushtria estoneze tha se avionët rusë qëndruan në hapësirën ajrore të vendit për 12 minuta në zonën e ishullit Vaindlo, pa kërkuar leje.
“Avionët luftarakë nuk kishin plane fluturimi dhe transponderët e tyre ishin të fikur”, tha ushtria.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë më pas e mohoi se avionët e saj kishin shkelur hapësirën ajrore të Estonisë, duke thënë se ata ishin në një “fluturim të planifikuar...në përputhje me rregullat ndërkombëtare të hapësirës ajrore”. REL







