BOTA /

“Rusia, tigër prej letre”, Donald Trump ndryshon mendje: Ukraina mund ta fitojë luftën

Pavarësisht deklaratave të mëparshme ku shprehej se Ukraina nuk mund ta fitonte luftën me Rusinë dhe se Zelensky po i shkaktonte dëme të mëtejshme vendit, Trump ka ndryshuar mendje së fundmi duke e cilësuar fitoren e Ukrainës si diçka të mundshme.

Shkruar nga Versus
“Rusia, tigër prej letre”, Donald Trump ndryshon mendje:
Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky

Në një ndryshim të papritur të qëndrimit, që pasqyron edhe zhgënjimin e tij ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Ukraina mund t’i rikthejë të gjitha territoret e saj nga Rusia me ndihmën e aleatëve evropianë.

Më herët, Trump kishte thënë se të dyja palët do të duhej të hiqnin dorë nga një pjesë e territorit për t’i dhënë fund luftës. Aktualisht, Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë gadishullin e Detit të Zi, Krimenë, e cila u aneksua në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.

Pas një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku ai u bëri thirrje aleatëve evropianë që menjëherë të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia, presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve, në fillim të një takimi me Volodymyr Zelenskyn, se vendet e NATO-s duhet të rrëzojnë aeroplanët rusë nëse ata hyjnë në hapësirën ajrore të aleancës.

Më pas, ne një postim në rrjetet sociale pas takimit me Zelenskyn, ai tha se Rusia ka luftuar “pa qëllim për tre vjet e gjysmë një luftë që një fuqi e vërtetë ushtarake do ta kishte fituar për më pak se një javë”.

“Pasi u njoha dhe kuptova plotësisht situatën ushtarake dhe ekonomike mes Ukrainës dhe Rusisë dhe, pasi pashë vështirësitë ekonomike që kjo po i shkakton Rusisë, mendoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është në pozitë të luftojë dhe të rikthejë të gjithë Ukrainën në formën e saj origjinale”, shkroi Trump.

Ky ndryshim u vu re edhe nga Zelensky i cili thatë një konference për mediat tha se presidenti amerikan e ka kuptuar më qartë situatën në terren në Ukrainë. 

“Trump kishte një marrëdhënie me Putinin dhe i besonte atij. Putini i tregonte Trumpit përralla”, tha Zelensky, duke e cilësuar Trumpin si një “ndryshues loje”.

“I thashë Trumpit se Putini nuk do të presë fundin e luftës së tij në Ukrainë – ai do të përpiqet të gjejë një pikë të dobët në NATO dhe kjo tashmë po ndodh... Putini do të dojë ta ‘ndërrojë’ një luftë me një tjetër”. Versus.al

Poll