
Në një fjalim që preku thellë, ambasadori i Palestinës, Riyad Mansour ngriti zërin për vuajtjet e popullit të tij. Më zërin që i dridhej, ai ka theksuar veçanërisht tragjedinë që po përjetojnë fëmijët palestinezë në Rripin e Gazës.
Në një moment, diplomati nis të qajë me dënesë në sallën e madhe të Kombeve të Bashkuara. Ai dëshmoi se që nga përfundimi i armëpushimit në muajin mars, më shumë se 1300 fëmijë janë vrarë. Teksa qante, ai përshkroi skena të dhimbshme me nëna që përqafojnë trupat e pajetë të fëmijëve të tyre, duke i ledhatuar dhe u kërkuar ndjesë, pamje që, sipas tij, janë të padurueshme për çdo njeri me ndërgjegje.
“Do të më falni, zoti President”, tha ai me zërin që i dridhej, “kam nipër e mbesa. E di çfarë domethënie kanë fëmijët për familjet e tyre. Si mund të qëndrojmë indiferentë ndaj kësaj tragjedie?”.
Populli, prej 14 milionësh të shpërndarë në territoret e pushtuara, në diasporë dhe në kampet e refugjatëve, është i pushtuar nga zemërimi dhe dhimbja. “Ne i duam fëmijët tanë, e duam popullin tonë. Nuk duam t’i shohim duke kaluar këtë tragjedi”, shtoi ai.
Ambasadori i Palestinës akuzoi ata që pretendojnë të luftojnë barbarinë, por që sipas tij, po kryejnë sulme të egra ndaj një populli të pafajshëm. Versus.al







