Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka thënë se puna kryesore për udhëheqësit është të "diskutojnë sigurinë dhe mbrojtjen, duke përfshirë dronët dhe ndihmën për Ukrainën".
"Mendoj se është serioze. Mendoj se lufta në Ukrainë është shumë serioze. Kur e shoh Evropën sot, mendoj se jemi në situatën më të vështirë dhe të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore - jo Lufta e Ftohtë", ka thënë ajo, shkruajnë mediat e huaja.
Ajo tha: "Ka vetëm një vend që është i gatshëm të na kërcënojë dhe është Rusia dhe për këtë arsye, na duhet një përgjigje shumë e fortë".
E pyetur në lidhje me ndërhyrjet e fundit me dron në hapësirën ajrore evropiane, Frederiksen thotë se është përgjithësisht në favor të rrëzimit të tyre, por thotë se "duhet të bëhet në mënyrën e duhur".
"Shpresoj që të gjithë ta kuptojnë tani se ekziston një luftë hibride, dhe një ditë është Polonia, ditën tjetër është Danimarka dhe javën tjetër ndoshta do të jetë diku tjetër që do të shohim të sabotuar, ose do të shohim dronë që fluturojnë".
Ajo shtoi: "Dua që të riarmatosemi. Dua që të blejmë më shumë kapacitete. Dua që të bëjmë më shumë inovacione, për shembull, në dronë".
Kryeministri polak Donald Tusk i bëri jehonë deklaratave të Frederiksen, duke paralajmëruar se "do të jetë tepër vonë nëse nuk jemi gati të veprojmë sot". Versus.al







