Presidenti Donald Trump ka zhvilluar një takim me kryebashkiakun e zgjedhur së fundmi të Nju Jorkut, Zohran Mamdanin të cilin më herët e kishte kritikuar ashpër dhe e kishte quajtur një komunist.
Pavarësisht se kishte thënë se nuk do t’i jepte fonde Nju Jorkut nëse Mamdani fitonte, Trump e ka rafinuar qëndrimin e tij dhe pas takimit e përgëzoi Mamdanin për fitoren duke i thënë se ishte i bindur se ai mund të bënte shumë për Nju Jorkun.
“Patëm një takim shumë të mirë, tepër produktiv. Një gjë kemi të përbashkët, që duam që qyteti ynë të bëjë shumë mirë. E përgëzova, fitoi një garë të pabesueshme përballë njerëzve shumë të zgjuar. Sa më mirë ai të bëjë, aq më mirë jam. Nuk ka diferenca në parti. Do ta ndihmojmë që të kemi një Nju Jork më të fortë e të sigurt”- tha Trump.
Njëjtë u shpreh edhe Mamdani i cili tha se takimi mes tyre kishte qenë shumë produktiv.
“E vlerësoj takimin me presidentin. Siç tha ai ishte një takim produktiv i përqendruar tek një vend si Nju Jorku. Duhet t’u sigurojmë qëndrueshmëri njujorkezëve të cilët janë duke e patur të vështirë të përballojnë jetesën e vështirë”- tha Mamdani. Gjithashtu pati edhe një moment kur Mamdani u vu në siklet nga pyetjet e gazetarëve pasi e kishte quajtur Trumpin fashist, por presidenti i tha se mund ta thërriste ashtu. Versus.al
