Dy persona kanë humbur jetën tragjikisht brenda një automjeti të shkrumbuar nga zjarri i fuqishëm që ka përfshirë jugun e Qipros. Mediat e huaja raportojnë se trupat e pajetë, tërësisht të karbonizuar, janë gjetur në një makinë të djegur në fshatin Malia, në rajonin e Limasolit, ku flakët shpërthyen të mërkurën pasdite.
Sipas informacioneve paraprake, viktimat nuk janë identifikuar ende, por automjeti i përkiste një gruaje 77-vjeçare, e cila ishte shpallur e zhdukur.
Zjarri, i favorizuar nga erërat e forta dhe temperaturat ekstreme, është përhapur me shpejtësi në zonën malore, ndërsa rreth 250 zjarrfikës janë angazhuar në përpjekje për ta vënë nën kontroll.
Autoritetet qipriote kanë ngritur alarmin për rrezik të lartë dhe kanë bërë thirrje për evakuim në disa zona të rrezikuara. /Versus.al







