
Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar deklarata të forta ndaj Italisë, duke theksuar se vendi “nuk ishte aty kur kishin nevojë”, pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme që sipas tij SHBA i ka dhënë Romës ndër vite.
Në një intervistë për Corriere della Sera, një ditë pas vizitës në Romë të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, Trump u pyet mbi mundësinë që Italia të kontribuojë me dragamina pas armëpushimit në Iran. Por ai u përgjigj prerë:
“Italia nuk ishte aty kur kishim nevojë për të. Unë kam qenë gjithmonë aty për Italinë, po ashtu edhe vendi im.”
Trump shmangu komentet direkte mbi zhvendosjen e mundshme të trupave amerikane nga Gjermania drejt krahut lindor të NATO-s, por konfirmoi se administrata e tij po shqyrton ende mundësinë e largimit të trupave nga bazat ushtarake në Itali.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të dërgojë anije luftarake shkatërruese në Lindjen e Mesme për shkak të situatës së paqëndrueshme në rajon dhe përshkallëzimit të krizës me Irani.
Qëndrimi i Trump pritet të shkaktojë reagime politike në Itali dhe brenda aleancës së NATO-s, veçanërisht për shkak të rolit strategjik që bazat amerikane në territorin italian kanë për operacionet ushtarake të SHBA-së në Europë dhe Mesdhe.

