Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) do të lejojë përdorimin e vaksinave kundër Covid-19 këtë vjeshtë për të rriturit mbi 65 vjeç dhe për personat me kushte mjekësore të caktuara. Megjithatë, për personat e shëndetshëm nën 65 vjeç, mund të kërkohen studime shtesë përpara se vaksinat të aprovohen për përdorim.
Dr. Vinay Prasad dhe Dr. Martin Makary, dy zyrtarë të lartë të FDA-së, shkruan në revistën New England Journal of Medicine se përfitimet e dozave shtesë janë “të pasigurta” për shumë njerëz të rinj apo të moshës së mesme që tashmë janë vaksinuar ose kanë kaluar Covid-in.
“FDA do të miratojë vaksinat për personat me rrezik të lartë dhe, në të njëjtën kohë, do të kërkojë të dhëna të fuqishme dhe të standardit të artë për ata me rrezik të ulët.”
Deri tani, vaksinat vjetore për Covid janë rekomanduar për të gjithë personat nga 6 muajsh e lart. Një komitet shkencor i FDA-së do të mblidhet të enjten për të vendosur përbërjen e vaksinës që do të ofrohet në vjeshtë.
Dr. Prasad dhe Dr. Makary kanë qenë kritikë ndaj detyrimeve të vaksinimit dhe masave të tjera shëndetësore gjatë pandemisë. Po ashtu, Robert F. Kennedy Jr., tani sekretar i Shëndetësisë, është një skeptik i njohur ndaj vaksinave. Ai ka përhapur pretendime të rreme se vaksinat kundër Covid kanë vrarë më shumë njerëz se vetë virusi, dhe ka shprehur dyshime për vaksinën kundër fruthit – ndonëse ka një shpërthim të fruthit në Texas dhe shtete të tjera.
Gjatë një diskutimi të drejtpërdrejtë, Dr. Prasad tha se ky qasje e re është një “kompromis i arsyeshëm” – që e bën vaksinën të qasshme për shumë njerëz, por njëkohësisht krijon mundësi për mbledhje të të dhënave më të mira shkencore.
Ai shtoi se disa amerikanë janë të shqetësuar që FDA nuk ka dokumentuar plotësisht rreziqet e mundshme të vaksinave, ndërsa të tjerë janë të etur për më shumë mbrojtje. Ai e përshkroi veten si një “person ekstremisht pro-vaksinave.” /Versus.al/







