
Detaje të reja janë zbardhur nga megaoperacioni antidrogë i zhvilluar mes Italisë dhe Shqipërisë ku u lëshuan në total 52 urdhër-arreste. Dosja e siguruar nga autoritetet italiane zbulon rolin e secilit prej anëtarëve të grupit kriminal me qendër në Durrës.
Erigels Presi në bashkëpunim me xhaxhain e tij Genci Telollari dhe Gerti Aliun krijuan kanale të pavarura furnizimi me heroinë të pastër duke vepruar nën organizatën e drejtuar nga Redi Tusha dhe të shqiptarëve të tjerë si Orges Molla dhe Pirro Capi. Këto grupe e merrnin heroinën nga Turqia dhe e transportonin në Itali nëpërmjet shoferëve të kamionëve ose punëtorëve detarë në bordin e trageteve Durrës-Bari.
Ervis Doçi me nofkën “Visi i Pojës’ duke qenë se është nipi i Xhevdet Troplinit, personazhi të njohur të botës së krimit, konsiderohet nga autoritetet italiane si ndër kryesorët për funksionimin e rrjetit të trafikut të drogës së bashku me Adi Çobën i cili konsiderohet si "koka" e funksionimit të këtij rrjeti trafiku.
Marrëdhënien mes tyre në trafikun e kokainës dhe heroinës drejt Italisë dhe vendeve të BE, e zbuloi bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani i cili ka dhënë detaje konkrete mbi grupet kriminale, përfshirë edhe grupin e kryesuar kohë më parë nga Xhevdet Troplini. Rrëfimi i tij ka ndihmuar në ndërtimin e një panorame të qartë mbi trafikun ndërkombëtar të drogës, përfshirjen e disa personave kyç, itineraret e përdorura për transportin e lëndëve narkotike dhe metodologjinë e shpërndarjes. Informacionet e siguruara prej tij janë përdorur nga autoritetet italiane dhe kanë qenë thelbësore për të ngritur akuza ndaj personave për të cilët janë lëshuar urdhër-arreste. Versus.al







