AKTUALITET /

'Nuk e di si u plagosa', zbardhen dëshmitë e bashkëpunëtorëve të vrasjes së dyfishtë në Velipojë, gjykata jep vendimin

Zyber Zagradi dhe Mario Pali deklaruan ditën e sotme në sallën e gjyqit se ata kanë mbërritur në ambientet e hotelit në momentin pasi kishte nisur konflikti mes vëllezërve Frroku dhe dy viktimave Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha

Shkruar nga M.H

'Nuk e di si u plagosa', zbardhen dëshmitë e

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit Zyber Zagradi, kamarieri i plagosur dhe Mario Pali, të dyshuar si bashkëpunëtor të autorëve të dyshuar të vrasjes së dyfishtë në Velipojë.

Zyber Zagradi dhe Mario Pali deklaruan ditën e sotme në sallën e gjyqit se ata kanë mbërritur në ambientet e hotelit në momentin pasi kishte nisur konflikti mes vëllezërve Frroku dhe dy viktimave Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha.

Ata deklaruan gjithashtu se kanë parë shtetasin Edmir Frroku duke qëlluar ndërsa u shprehën se nuk e kanë pasur idenë se si ka nisur konflikti mes tyre sepse mbërritën më vonë aty.

Avokati mbrojtës Simon Pashku kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për dy të dyshuarit dhe vleftësimin e paligjshëm të ndalimit të tyre, por prokurori Albert Murçaj kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” të cilën gjyqtarja Arta Llazari e pranoi.

Kamarieri Zyber Zagradi deklaroi gjithashtu se nuk e ka idenë se si ka mbetur i plagosur:

Nuk e di si u plagosa, vetëm kur pashë këmbën me gjak dhe plagën e shkaktuar nga plumbi që kisha marrë”.

Ndërkohë më herët kamarieri Zagradi deklaroi në polici se deri tek motra e vëllezërve Frroku në Lezhë e ka dërguar Mario Pali dhe më pas nga aty motra e vëllezërve Frroku e ka dërguar në spitalin e Lezhës.

Nga ana tjetër në deklarimin në polici Pali e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se pas ngjarjes ai është larguar drejt Shkodrës.

Kujtojmë që mbrëmjen e 19 gushtit, dy vëllezërit Eduart dhe Gëzim Frroku qëlluan për vdekje me armë zjarri shtetasit, Erild Ishmi 33-vjeç dhe Arsid Hoxha, 22-vjeç.

Ngjarja e rëndë e ka zanafillën në qershor të këtij viti, kur njëri prej viktimave, Ersild Ishmi, kishte kanosur me armë zjarri kuzhinierin e hotelit në pronësi të vëllezërve Frroku.

Ndërkohë dy autorët e ngjarjes janë ende në kërkim nga policia./ Versus.al

 

Poll