AKTUALITET /

Zhduket “Durana Tech Park” nga faqja e KISH: Fshihet në heshtje “parajsa” fiskale pa asnjë godinë në Xhafzotaj

Zhdukja pa shpjegim e projektit “Durana Tech Park” nga faqja zyrtare e KISH ngre dyshime serioze për mungesë transparence dhe përpjekje për të fshehur një “parajsë” fiskale të favorizuar për dhjetëra kompani. Projekti, i shpallur si zonë e lirë teknologjike me lehtësi ekstreme tatimore dhe doganore, rezulton të ekzistojë më shumë në letra sesa në terren.

Shkruar nga Versus

Zhduket “Durana Tech Park” nga faqja e KISH: Fshihet në heshtje

Nuk ka më asnjë gjurmë të projektit “Durana Tech Park” në faqen zyrtare të Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH).

Çdo informacion mbi zonën e shpallur si “parajsë” teknologjike është fshirë pa asnjë njoftim apo shpjegim publik, ndërkohë që linket ende shfaqen në Google, por çojnë në faqe bosh ose të padisponueshme.​

Nga verifikimet e kryera në mëngjes rezulton se profili i plotë i projektit, dokumentet shoqëruese dhe detajet për statusin e veçantë ligjor e fiskal të “Durana Tech Park” nuk janë më të aksesueshme për publikun, duke e bërë krejtësisht netransparent.​

“Durana” ishte shpallur park teknologjik dhe shkencor në Xhafzotaj të Durrësit, me një vendim të Këshillit të Ministrave që i jepte zonës status të posaçëm dhe i kalonte në administrim KISH-it qindra mijëra metra katrorë truall shtetëror për zhvillimin e projektit.

Ky status u hapte kompanive të regjistruara në park një korridor të artë fiskal: 0% tatim mbi fitimin për 15 vjet, 0% tatim mbi të ardhurat personale për punonjësit për 10 vjet, 0% TVSH për shërbimet dhe pajisjet që lidhen me parkun, si dhe përjashtime nga detyrimet doganore për pajisjet e importuara.

Në të njëjtat kushte favorizuese, parashikohej që punonjësit e huaj të përfitonin leje qëndrimi pesëvjeçare dhe mundësi për marrjen e shtetësisë, ndërsa universitetet dhe qendrat kërkimore do të përjashtoheshin nga një sërë taksash, duke pasur akses në fonde europiane dhe hapësira të dedikuara laboratorike.

Projekt-paraqitja e KISH e paraqiste “Duranën” si nyje të madhe për kompanitë e teknologjisë, startup-et, nomadët digjitalë dhe partnerët akademikë, me investim të premtuar rreth 20 milionë euro.

Megjithatë sipas hulumtimeve të Versus është zbuluar se shoqëria “Durana Tech Park” u ngrit si një strukturë shtetërore me kapital 50 milionë lekë, u zhvendos me vendim administrativ në Xhafzotaj, por në terren nuk është ngritur asnjë godinë, ndërkohë që brenda saj janë regjistruar dhjetëra kompani që përfitojnë nga lehtësitë fiskale të statusit special.

Kjo krijon të gjithë dyshimin se kemi të bëjmë me një “park” virtual, i cili funksionon në letër si parajsë fiskale, ndërsa fizikisht nuk ekziston.

Fshirja pa gjurmë e të gjitha materialeve për “Durana Tech Park” nga faqja e KISH, në një kohë kur interesi publik dhe pyetjet mbi skemën e përfitimeve po rriten, e thellon edhe më shumë dyshimin se institucionet po mbyllin informacionin, në vend që të japin llogari dhe të sqarojnë publikisht pse një projekt i tillë, me privilegje ligjore e fiskale, zhduket nga transparenca online.​

Dhjetëra kompani të regjistruara si “përdoruese” të parkut vijojnë të përfitojnë lehtësi të shumta fiskale, ndërsa qytetarët dhe bizneset e zakonshme paguajnë taksat në kushte krejt të tjera – pa asnjë shpjegim pse një projekt i tillë favorizues menaxhohet në errësirë dhe pse dokumentacioni i tij zyrtar fshihet në heshtje nga faqja e një institucioni shtetëror./Versus.al

Poll