EKONOMI & MJEDIS /

Dyqanet, Tirana më e shtrenjta në rajon për qiratë

Te Dowtown One, çmimet variojnë nga 25-27 deri në 30 euro/m².

Shkruar nga Versus

Dyqanet, Tirana më e shtrenjta në rajon për qiratë

Edhe për qiratë e zyrave dhe njësive tregtare këtë vit ka pasur shtrenjtim të çmimeve deri në 20%.

Agjentja imobiliare Lorina Rada tha se në zonat kryesore të Tiranës, çmimet e qirave janë rritur mesatarisht 3 deri në 4 euro/m² më shumë sesa viti paraardhës, për shkak të kërkesës më të lartë nga bizneset.

Stela Dhami, menaxhere ekzekutive në kompaninë Colliers International Albania, tha se në godinat qendrore, qiratë e zyrave kanë arritur 30 euro/m², duke e renditur Tiranën si kryeqytetin më të shtrenjtë në rajon.

Sipas të dhënave të marrë nga agjencitë imobiliare, çmimet e qirave për ambiente tregtare tek Europian Trade Center, ETC, sivjet kanë arritur 30 euro/m² nga 25 euro/m² që ishin vjet. Rritja është 20% për metër katror.

Te Dowtown One, çmimet variojnë nga 25-27 deri në 30 euro/m².

Te Kompleksi “Halili”, te Selvia, çmimi i qirasë për zyra varion 18-20 euro/m². Te kompleksi “Usluga” pranë ish.Stacionit të Trenit, çmimi është 15 euro/m².

Afër Rrugës së Barrikadave nuk ka shumë ofertë për zyra, e cila është e përqendruar më tepër për shtëpi banimi. Te komplekset që disponojnë ambiente të lira për zyra, çmimet arrijnë deri 25 euro/m².

Në zonat e ish-Bllokut, oferta gjithashtu është e limituar sipas agjentëve të tregut real estate. Çmimet arrijnë deri në 25 euro/m².

Te qendra “Turdie”, çmimet e qirave për zyra janë 22 euro/m².

Zonja Dhami thotë se rritja e qirave për njësitë tregtare është ndikuar nga çmimet e larta të shitjes nga ndërtuesit.

“Ndërtuesit në Shqipëri e kanë të menjëhershëm transferimin e rritjes së kostove të ndërtimit te blerësit ose qiramarrësit e këtyre njësive.

Janë të sigurt që nëse ndërtojnë në zona urbane me dendësi në popullsi atëherë këto njësi do të shiten e të vihen në përdorim të komunitetit.

Gjithsesi, duhet theksuar se mbetet ende strategjia e ndërtuesve të shesin njësitë tregtare dhe jo t’i mbajnë ato në menaxhim dhe të ofrojnë dhe cilësi shërbimi në mirëmbajtjen e tyre”.

Niveli i lartë i qirave, thotë zonja Dhami, po bën vendosjen e korporatave në këto ambiente shumë të vështirë, sidomos në sektorin e BPO (Business Process Outsourcing). Monitor.al

Poll