Piku i sezonit turistik në Shqipëri ka sjellë efektet e para në kursin e këmbimit valutor, ku monedha europiane po shënon një dobësim të vazhdueshëm kundrejt lekut shqiptar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, që prej datës 1 korrik euro është këmbyer me 97 lekë, duke shënuar një zhvlerësim të lehtë, por të qëndrueshëm.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, euro ka humbur mbi 3 pikë, pasi në dhjetëditëshin e parë të korrikut 2024 ishte këmbyer mbi kufirin e 100 lekëve. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë e lidhin këtë tendencë të forcimit të lekut me rritjen e ndjeshme të prurjeve në euro gjatë muajve të verës, të gjeneruara kryesisht nga turizmi, investimet e huaja direkte dhe remitancat.
Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit, transaksionet në euro në ekonominë shqiptare kanë arritur në 2.4 miliardë euro, një tregues i rolit qendror që luan kjo monedhë në tregun vendas. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka pritur mbi 3.42 milion turistë të huaj, një fluks që ka sjellë një rritje të ndjeshme të valutës së huaj në qarkullim dhe rrjedhimisht një presion në zhvlerësimin e euros.
Megjithatë, ndryshe nga sezonet e mëparshme, ku tregu valutor karakterizohej nga luhatje të forta sezonale, ekspertët vërejnë se kjo verë ka shënuar një lloj “normaliteti të ri”, me luhatje më të kontrolluara dhe më pak të dhunshme në kursin euro-lek. Kjo tregon një stabilitet në tregun valutor dhe një rritje të besimit ndaj lekut shqiptar.
Pritet që deri në fund të sezonit, në varësi të prurjeve turistike dhe dinamikave ekonomike rajonale, kursi i këmbimit të vazhdojë të qëndrojë poshtë nivelit psikologjik të 98 lekëve për euro. /Versus.al/


Shqipëria, me çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në Europë




ALARMI / Nis rënia e shpejtë e popullsisë në moshë pune në Shqipëri

