
Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet një postimi në rrjetin social “facebook” ka bërë të ditur se cila do të jetë kënga zyrtare që do të shoqërojë kuqezinjtë në aventurën e tyre në kampionatin europian të futbollit “Euro 2024” që do të luhet në Gjermani.
Kënga e titulluar “Albania” do të këndohet nga reperi i njohur “Capital T” dhe do të bëhet publike më 30 maj.
“Krenaria Kombëtare në Nota Muzikore! FSHF është e lumtur t’ju bëjë me dije se kënga zyrtare e Kombëtares shqiptare në finalet e Euro 2024 titullohet "Albania" dhe është realizuar në bashkëpunim me një nga artistët më të suksesshëm të muzikës shqiptare & më të pëlqyer, Capital T.
Një këngë që përfaqëson më së miri identitetin tonë kombëtar e që do të udhëheqë kuqezinjtë tanë në çdo moment përgjatë kësaj aventure të paharrueshme në finalet e Kampionatit Europian "Gjermani 2024".
Ky bashkëpunim unik përfaqëson fuqinë e bashkimit dhe pasionit, që na karakterizon të gjithë si shqiptarë. Le të festojmë së bashku këtë moment historik & të mbështesim ekipin tonë drejt suksesit! Forca Shqipëria! STAY TUNED, datë 30 maj.”- bën me dije FSHF.
Kampionati europian nis më 14 qershor, ndërsa para këtij eventi kaq të rëndësishëm të futbollit kombëtarja shqiptare, do të luajë 2 miqësore përballë Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit më 3 dhe 7 qershor. Kuqezinjve, fati u rezervoi shortin më të vështirë pasi janë në “grupin e ferrit” ku do të ndeshen me Kroacinë, Spanjën dhe Italinë.








