AKTUALITET /

Vrasja e Egli Progës/ Reagon Gjykata e Korçës: Gjyqtari s’mund të ndryshojë veprën penale!

Gjykata theksoi se ligji zbatohet me korrektësi dhe saktësi maksimale në çdo rast

Shkruar nga M.H

Vrasja e Egli Progës/ Reagon Gjykata e Korçës: Gjyqtari

Gjykata e Korçës ka reaguar pas vendimit të dhënë ditën e djeshme për Denis Meçe,  të cilin e la arrest me burg me akuzën ‘vrasje nga pakujdesia’.

Në reagimin e saj Gjykata sqaron se pasi ka vlerësuar kërkesën e prokurorisë dhe përmbajtjen e akteve të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit,  ka vendosur pranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova.

Gjithashtu Gjykata shton se në këtë fazë të procesit penal gjyqtari nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit të veprës penale dhe as të caktojë masë sigurie më të rëndë se ajo e kërkuar.

Reagimi i Gjykatës

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, nisur nga rëndësia e ngjarjes dhe duke marrë shkas nga publikimet në median e shkruar dhe atë vizive, si dhe nga lajmet e publikuara në rrjetet sociale dhe portale të ndryshme për ngjarjen e ndodhur në qytetin e Pogradecit, në të cilën
ka humbur jetën shtetasi Eglantin Proga, bën me dije sa më poshtë:

Në datë 12 gusht 2024, ora 15:30, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë është paraqitur pranë kësaj gjykate kërkesa për vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj shtetasit D. M, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal dhe vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasve V. Sh, A. M dhe L.G si të dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga 300 i Kodit Penal. Pasi ka vlerësuar kërkesën e prokurorisë dhe përmbajtjen e akteve të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë nënvizon se në këtë fazë të procesit penal, në shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar.

Përcaktimi i plotë dhe saktë i rrethanave të faktit dhe përgjegjesisë penale të secilit person të përfshirë, i takon vijimit të hetimeve. Në përfundim të hetimeve, është gjyqtari i seancës paraprake i cili vlerëson plotësinë e tyre dhe cilësimin juridik të veprës penale.

Për këtë arsye, nxjerrja e përfundimeve në këtë fazë fillestare të hetimeve, nuk i shërben vijimit të tyre dhe as besimit të opinionit publik mbi punën organeve të sistemit të drejtësisë.

Nga ana tjetër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë vëren me shqetësim disa artikuj të publikuar në media, të cilat synojnë apo tentojnë të denigrojnë figurën e gjyqtarit të çështjes, duke ritheksuar zbatimin e ligjit me korrektësi dhe saktësi maksimale në çdo rast./ Versus.al

Poll