AKTUALITET /

Probleme me pasurinë/ Kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea, refuzon të paguajë gjobën 400 mijë lekë

Vendimi për gjobitjen e tij është marrë në 26 maj 2025 nga Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive (ILDKPKI).

Shkruar nga Versus
Probleme me pasurinë/ Kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea, refuzon
Josif Gorrea

Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, është gjobitur me 400 mijë lekë të reja për shkelje të deklarimit të pasurisë, ndërkohë që ai ka refuzuar ta paguajë vullnetarisht penalitetin.

Vendimi për gjobitjen e tij është marrë në 26 maj 2025 nga Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive (ILDKPKI).

Megjithëse dokumentat zyrtare tregojnë që zoti Gorrea ka marrë njoftim për penalitetin, ai nuk e ka shlyer detyrimin. Në këto kushte, gjykata administrative e Tiranës ka lëshuar urdhërin e ekzekutimit, në të cilin vendoset vjelja e detyrimit me forcë të vlerës së gjobës.

Në vendimin gjyqësor nuk është specifikuar lloji i shkeljes së kryer nga kryebashkiaku i Divjakës. Ndërkohë, Inspektorati i Deklarimit të Pasurive nuk ka bërë asnjë lloj transparence për rastin, por edhe për të tjera të ngjashme, të paktën prej 5 vitesh.

Probleme me pasurinë/ Kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea, refuzon
Në foto: Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea

Josif Gorrea është në mandatin e tij të parë si kryetar i Bashkisë së Divjakës, i dalë nga zgjedhjet lokale të vitit 2023, nën logon e Partisë Socialiste. Ai deklaroi për “Boldnews.al” se nuk kishte dijeni për gjobën dhe, rrjedhimisht, edhe për vendimin e gjykatës administrative.

Ndërkohë, aktet e gjykatës tregojnë se ai është vënë në dijeni për penalitetin e Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive dhe, me vullnet, ka refuzuar të paguajë gjobën.

Në vendimin e konsultuar nga “Boldnews.al” rezulton se kryeinspektori i Pasurive, Evgjeni Bashari, ka nënshkruar vendimin nr. 6, datë 26.05.2025, ku është vendosur “dënimi i subjektit Josif Vangjel Gorrea, me gjobë në masën 400.000 (katërqind mijë) lekë, për shkelje të ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nënpunësve publikë”, i ndryshuar.

Vendimi i gjobës i është njoftuar kryebashkiakut Josif Gorrea nëpërmjet shërbimit postar. Gjykata thotë se kjo është e konfirmuar nga dëftesa postare përkatëse.

“Subjekti ka marrë dijeni për dënimin me gjobë, nuk e ka ekzekutuar vullnetarisht atë, për rrjedhojë kërkuesi i është drejtuar gjykatës me kërkesë për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit”, thotë gjykata administrative e Tiranës në vendimin e miratuar në datë 10 shtator 2025.

Probleme me pasurinë/ Kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea, refuzon
Në foto: Vendimi i gjykatës administrative për kryebashkiakun e Divjakës, Josif Gorrea

Më tej, gjykata thotë se “…duke qenë se nuk rezulton që detyrimi që ky akt përcakton, të jetë përmbushur në rrugë vullnetare, kërkesa për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit do të pranohet”.

Në përfundim, gjykata vendosi “Lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për titullin ekzekutiv, Vendim nr. 6, datë 26.05.2025, të Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI-së, për dënimin megjobë në masën 400.000 (katërqind mijë) lekë, në ngarkim të subjektit Josif Vangjel Gorrea”, duke ngarkuar shërbimin përmbarimor për zbatimin e këtij vendimi.

ILDKPKI, “burg transparence”

Rasti i kryebashkiakut Josif Gorrea dëshmon jo vetëm për mënyrën se si zyrtarët e lartë injorojnë ligjin, por edhe për faktin se Inspektorati i Deklarimit të Pasurive tregon një qasje tërësisht jo-transparente për publikun.

I ngritur që në vitin 2023, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), ka më së paku dy detyrime themelore; të kryejë verifikimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë dhe të informojë publikun mbi integritetin e personave që e qeverisin.

Përmbushja e këtyre detyrimeve themelore është në nivele minimale, thuajse pranë zeros. Nëse i besohet shifrave zyrtare të prezantuara nga ILDKPI, Shqipëria, një vend me indeks shumë të lartë korrupsioni, duket se është një ndër shtetet me zyrtarët më të pastër në botë.

Probleme me pasurinë/ Kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea, refuzon
Në foto: Kryeinspektorja e Pasurive, Evgjeni Bashari

Në raportin vjetor për vitin 2024, Inspektorati i Deklarimit të Pasurive informonte Parlamentin se “…janë paraqitur në total 23 raste referimesh penale dhe referime të tjera, prej të cilave, një rast është referuar pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)”, thuhet në Raportin Vjetor 2024”.

Raportet vjetore të viteve të fundit të Inspektoratit janë mbushur vetëm me disa shifra të thata, pa shpjeguar në asnjë rast se cilët janë zyrtarët me probleme, çfarë problemesh ligjore përfaqësojnë dhe si i zgjidhin ato në “zyrat apo ashensorin” e institucionit./Boldnews

Poll