POLITIKË /

Kampi në Gjadër për refugjatët afrikanë, ministri italian: Hapet javën tjetër! Do jetë si paraburgim, por jo me gjemba

"Paraburgim i lehtë", kështu i cilësoi Piantedosi masat e marra për kampet e refugjatëve afrikanë në Gjadër të Lezhës.

Shkruar nga Versus
Kampi në Gjadër për refugjatët afrikanë, ministri
Foto nga kampi në Gjadër dhe ministri italian Matteo Piantedosi

Javën e ardhshme, do të hapet kampi i ngritur në Gjadër të Lezhës për të pritur emigrantët afrikanë të cilët do të strehohen aty deri në shqyrtimin e kërkesave të tyre për azil nga ana e qeverisë italiane. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi i cili tha se nuk do të ketë ceremoni apo “prerje shiritash” duke e përshkaruar kampin të ngjashëm me një paraburgim.

Diferenca e vetme sipas tij, do të jetë fakti që nuk do ketë tela me gjemba.

“Ne planifikojmë të fillojmë javën e ardhshme , realisht personat e parë do të çohen në qendrat në Shqipëri javën e ardhshme . Nuk do të ketë prerje shiriti. Qendrat janë të ngjashme me ato të vendosura në territorin kombëtar, janë për paraburgim të lehtë. Nuk ka tela me gjemba, ka asistencë. nuk janë Cpr. Çdokush mund të aplikojë për mbrojtje ndërkombëtare dhe ta marrë atë brenda pak ditësh", shtoi ministri.

Ndërkohë, në Kampin e Gjadrit vijojnë punimet pasi kanë mbetur ende 30% e tyre pa përfunduar. Qendra ishte planifikuar të hapej më 1 shtator, por për shkak të vonesave që kanë patur punimet edhe si pasojë e nxehtësisë gjatë verës, hapja është shtyrë deri më javën tjetër.

Marrëveshja me Italinë për strehimin e emigrantëve afrikanë u nënshkrua në nëntor të vitit të kaluar. Shqiptarët e morën vesh lajmin nga mediat e huaja ku foli kryeministri Edi Rama. Ky i fundit nuk bëri asnjë lloj konsultimi publik, ndërsa thjesht lajmëroi për vendimin e marrë dhe vënien në dispozicion të Italisë të tokës në Shëngjin e Gjadër për ngritjen e kampeve të cilat pritet të jenë aty për 5 vite me një kapacitet maksimal prej 36 mijë emigrantësh në vit. Versus.al

Poll