Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar ditën e sotme të dhënat e censusit të regjistrimit të popullësisë.
Sipas kryeshefit ekzekutiv, Avni Kastrati, pritet që Kosova t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë.
Kastrati është shprehur se nga rregjistrimet e fundit, del që në diasporë deri më tani janë regjistruar rreth 600 mijë emigrantë.
“Pritet t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë. Të dhënat e fundit për diasporën të premten janë afër 600 mijë dhe pritet që të rritet numri i popullsisë në diasporë sepse afati është zgjatur deri në gusht.” – ka thënë ai në këtë konferencë për medie.
Kryeshefi ekzekutiv ka folur edhe për regjistrimin e komuniteteve pakicë në Kosovë.
Ai ka thënë se komuniteti serb në veri të vendit ka hezituar të regjistrohet, por që pastaj javëve të fundit janë regjistruar një pjesë e tyre.
“Ne kemi angazhuar regjistrues të nevojshëm në ato zona. Tri herë kemi marrë regjistrues e i kemi çu në teren. Komuniteti serb duke parë që është e nevojshme të regjistrohen tani janë angazhuar në javën e fundit.”
Ai beson se të dhënat e para finale do të mundohen t’i publikojnë brenda gjashtë muajve.
“ASK ka kohë që t’i publikojë të dhënat më herët, ideja e parë që e kemi në tavolinë do të jetë pjesa e parë e muajit korrik, pjesën e parë të këtij muaji. Të dhënat finale të mos kërkojnë qytetarët që t’i publikojmë nesër të dhënat. Praktikat janë që pas 15 muajve publikohen të dhënat përfundimtare. Planifikojmë t’i publikojmë pas gjashtë muajve.” – ka thënë ai.








