POLITIKË /

Pas dy vitesh, Kuvendi i Shqipërisë dhe Kosovës mbajnë mbledhje të përbashkët

Shkruar nga Versus

Pas dy vitesh, Kuvendi i Shqipërisë dhe Kosovës mbajnë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot do të mbajë mbledhje në të cilën në rend dite është organizimi i seancës së përbashkët ndërmjet të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Dy kuvendet i Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvillojnë mbledhjen e përbashkët të radhës më 20 dhjetor.

Kjo mbledhje do të mbahet në Prishtinë.

Në total pritet që të mblidhen 130 deputetë, 70 ligjvënës të parlamentit të Kosovës dhe 60 të tjerë të parlamentit të Shqipërisë.

I pranishëm në këtë takim do të jenë edhe kryeministri Edi Rama edhe kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.

Në agjendën e parashikuar të këtij takimi që këtë herë do të zhvillohet në Prishtinë, është parashikuar që pas himneve të të dyja vendeve, do të nisë mbledhja me fjalën e kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe pas tij kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali.

Ky takim do te përmbyllet me një fjalim të Kurtit dhe Ramës.

“Në datën 20 dhjetor, ora 11:00, në Prishtinë, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe e Kuvendit të Kosovës”, njoftoi ditë ditë më Kuvendi i Shqipërisë.

Edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, tha se mbledhja e përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, e cila mbahet në Prishtinë, në 20 dhjetor, është nevojë e koordinimit të agjendës tonë kombëtare.

“Ky Kuvend i përbashkët vjen si nevojë e koordinimit të agjendës tonë kombëtare për realizimin e objektivave strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, integrimet euro-atlantike të Kosovës, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar në zhvillimin, demokratizimin, paqen e sigurinë në rajon e më gjerë”.

Dy kuvendet janë mbledhur së bashku edhe njëherë më 27 Nëntor 2022 me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë.

Po ashtu kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot nga ora 11:00. Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje është organizimi i seancës së përbashkët parlamentare Kosovë-Shqipëri.

Kujtojmë se që nga viti 2022, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nuk kanë zhvilluar mbledhje të përbashkët.

Pas anulimit që i bëri kryeministri i Shqipërisë mbledhjes së vitit 2023, ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur do të mblidhen dy qeveritë.

Tradita e mbledhjeve ndërmjet dy qeverive kishte filluar në vitin 2014, ku dy qeveritë ishin takuar në Prizren, qytetin e Lidhjes së Prizrenit me motin “Qyteti i Lidhjes ju mirëpret”. Atë kohë Qeveria në Kosovë drejtohej nga Hashim Thaçi.

Mbledhja tjetër e përbashkët ishte mbajtur në 23 mars 2015 në Tiranë me motin “Një tokë, një popull, një ëndërr”. Në atë kohë në Qeveri ishte Isa Mustafa.

Në vitin 2016 mbledhja ishte kthyer në Prishtinë, po ashtu kryeministër ishte Isa Mustafa.

E viti 2017 i kishte bërë bashkë në qytetin e Korçës dy qeveritë shqiptare, të udhëhequra nga Edi Rama e Ramush Haradinaj.

Në vitin 2018 mbledhja ishte mbajtur në Pejë më 26 nëntor, edhe në këtë vit në qeverisje ishte Ramush Haradinaj. Në vitin 2020 mbledhja e dy kabineteve ishte zhvilluar në Tiranë nga Qeveria Hoti dhe ajo Rama 2. Në vitin 2021 Qeveria Kurti dhe Qeveria Rama ishin takuar në Elbasan.

Takimi i fundit mes kabinetit të Kurti dhe Ramës ishte zhvilluar në Prishtinë , më 20 qershor 2022. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kishin arritur pajtueshmëri për 19 pika në sektorë të ndryshëm.

Marrëveshjet e Ministrive të Arsimit, Marrëveshje për energjinë, Marrëveshje në bujqësi, Marrëveshja për hekurudhën, Marrëveshje në shëndetësi, Marrëveshje në turizëm

Në mesin 13 marrëveshjeve të nënshkruara, ishin edhe lehtësimi i procedurës për marrjen e leje-qëndrimit, rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit, hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes Kukësit dhe Dragashit, lehtësira në procedura doganore dhe kontroll të mallrave, kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes dy vendeve dhe njohja e diplomave.

Në vitin 2020 u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët ndërmjet dy qeverive dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, për t’i rekomanduar Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive.

Në mbledhjet e mbajtura deri më tani janë nënshkruar rreth 100 marrëveshje.

Përgjatë viteve kryeministrat e dy shteteve kanë thënë se këto marrëveshje do të lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit./Monitor 

Poll