AKTUALITET /

Një lojë e rrezikshme/ Nga Lemon Soda tek Red Bull, si po monopolizohet tregu shqiptar nga Doganat

Shkruar nga Versus

Një lojë e rrezikshme/ Nga Lemon Soda tek Red Bull, si po

Vitin e kaluar një biznesmen i quajtur Dritan Bellaj, paraqiti një aplikim për veprim në Doganë.

Zoti Bellaj, është pronar i kompanisë Eurolab, e cila ka liçencën ekskluzive të tregtimit të Lemon Sodas në Shqipëri.

Përmes aplikimit kompania Eurolab i kërkoi Doganës të ndalonte të ashtuquajturat importe paralele të Lemon Sodas dhe disa produkteve të tjera duke e bërë atë të vetmin importues të këtyre produkteve në Shqipëri.

Aplikimi u miratua dhe menjëherë pas kësaj çmimi i Lemon Sodas në tregun shqiptar kërceu në qiell.

Një lojë e rrezikshme/ Nga Lemon Soda tek Red Bull, si po
Dritan Bellaj

Kjo ishte piketa e parë, e cila hapi një lojë shumë të rrezikshme në tregun shqiptar. Atë të monopolizimit të skajshëm.

Pak kohë më parë, të njëjtin aplikim e bëri dhe kompania Albania Distribution & Development e biznesmenit Agim Zeqo. Kjo kompani mban liçencën ekskluzive të tregtimit për Red Bullin dhe Bravon në Shqipëri.

Përmes dy vendimeve të posaçme, respektivisht 4869/2 dhe 4246/1 Dogana e ka miratuar aplikimin duke i dhënë kompanisë Albania Distribution & Development monopolin absolut për të importuar Red Bullin dhe Bravon në Shqipëri.

Një javë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ka njoftuar zyrtarisht agjencitë doganore të vendit që të mos zhdoganojnë produktin Red Bull dhe atë Bravo nga asnjë importues tjetër, përveç Albania Distribution & Development të biznesmenit Zeqo.

Një lojë e rrezikshme/ Nga Lemon Soda tek Red Bull, si po

Kjo është shkresa, e cila instalon monopolin e produkteve Red Bull dhe Bravo në tregun shqiptar.

Monopol absolut

Liçencat ekskluzive përgjithësisht nënkuptojnë që kompania prodhuese e një produkti në një vend të huaj, i shet direkt vetëm një kompanie në Shqipëri.

Albania Distribution & Development është prej vitesh mbajtësi ekskluziv i liçencës për tregtimin e Red Bullit në Shqipëri. Por deri më tani kjo liçencë nuk ka ndaluar importet paralele, nga mbajtës të tjerë të liçencës jashtë.

Fjala vjen, rrjetet e supermarketeve si Conad apo SPAR e importojnë Red Bullin nga Conadi në Itali apo Spari në Hollandë, të cilët janë po të liçencuar nga prodhuesi i Red Bullit për ta tregtuar këto produkt.

Këto janë ato që quhen importet paralele dhe ky është mekanizmi, që mbron konsumatorët nga monopoli absolut i një importuesi të vetëm. Por tani mekanizmi po shembet, teksa ka filluar instalimi i importuesve të vetëm.

Tashmë si Conad, SPAR dhe çdo importues tjetër janë të ndaluar të importojnë dhe detyrohen që ta blejnë Red Bullin nga Albania Distribution & Development.

Si Eurolab ashtu dhe Albania Distribution tashmë kanë marrë të drejtën e pronësisë intelektuale për këto produkte, njësoj sikur të ishin prodhuesit e tyre.

Çështja komplekse e pronësisë industriale

Vitin e kaluar Parlamenti i Shqipërisë miratoi një ligj të ri për markat tregtare si dhe ndryshoi ligjin për pronësinë industriale, për njësimin e tyre me Bashkimin Europian. Këto janë ligjet që po shfrytëzohen për të instaluar monopolet në seri në tregun shqiptar.

Mbrojtja e markave tregtare është një nga çështjet më të rëndësishme në BE dhe direktivat europiane janë shumë të rrepta në këtë aspekt. Por ka një ndryshim. Për shkak të madhësisë së tregut të vetëm europian, pavarësisht mbrojtjes së fortë të markave tregtare, instalimi i monopoleve është i pamundur. çdo produkt tregtohet lirisht në secilin vend anëtar të BE-së dhe ligjet e pronësisë industriale shërbejnë më së shumti për të mbrojtur tregun e përbashkët nga vendet e treta si Kina.

Në rastin e Shqipërisë, liçenca ekskluzive kthehet automatikisht në monopol të pastër, që i jep fuqinë importuesit të caktojë çmimet. Nëse ky fenomen do të shtrihet tek të gjithë produktet për të cilat ka një përfaqësi apo ekskluzivitet, tregu shqiptar do të shndërrohet në një monopol përbindësh ku 10 kompani importuese do të caktojnë çmimet thuajse për të gjitha produktet e tregut.

Kjo do të rriste ndjeshëm çmimet për qytetarët, pasi duke qenë në pozitat e monopolit importuesit ekskluzivë do të kishin fuqinë absolute të caktimit të çmimeve. Dhe shpresa e vetme e qytetarëve për të shpëtuar nga ky zinxhir i tmerrshëm do të ishte vetëm anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian, pasi me bërjen pjesë e tregut të përbashkët, liçencat ekskluzive bien automatikisht.

Dogana ka shkelur ligjin

Sigurisht që prodhuesi i një malli ka të drejtën të kufizojë shitjen e tij. Si Albania Distribution ashtu dhe Eurolab, kur kanë bërë aplikimin për ndalimin e importuesve të tjerë duhet të kenë paraqitur edhe dakortësinë e prodhuesve si të Lemon Sodas ashtu dhe Red Bull.

Por ky autorizim do të duhej që të ligjërohej përmes një vendimi gjykate, pasi në finale përplasjet tregtare mes palëve civile janë çështje gjykatash. Ndërkohë që institucionet ndërhyjnë vetëm kur cënohen interesat e shtetit.

Një lojë e rrezikshme/ Nga Lemon Soda tek Red Bull, si po
Besmir Beja, drejtor i Pergjithshem i Doganave

Por në këtë rast shteti, më saktë Dogana, ka marrë atributet e Gjykatës duke ndërhyrë në një përplasje privatësh, për të cilën shteti nuk ka asnjë interes. Madje përkundrazi interesi publik është që tregu të jetë konkurrencial.

Por Dogana ka bërë të kundërtën. Përmes dy vendimeve të dyshimta ligjore, nën justifikimin e mbrojtjes së pronësisë intelektuale, Dogana ka nisur të instalojë monopolet në tregun shqiptar, të cilat tashmë do të vijnë në seri për shumë produkte./Kapital.al

 

Poll