Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ideja e krijimit të shtetit ‘Urdhri Bektashi’ në Tiranë, është rikthyer në vëmendje gjatë aktivitetit të mbajtur sot në kuadër të 95 vjetorit të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit në Shqipëri. *Kryegjyshi botëror, Baba Mondi foli lidhur me ndikimin që ka pasur bektashizmi në formësimin e identitetit kombëtar dhe tha se shpresonte që këtë vit të jepet e drejta e statusit juridik të ‘Urdhrit Bektashi’. *I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili gjatë fjalës së tij tha se bektashizmi është në rrezik dhe se ideja e krijimit të një shteti sovran ‘Urdhri Bektashi’ nuk cënon integritetin territorial të Shqipërisë. *Rama tha se një seli e shenjtë në Tiranë do të rriste numrin e vizitorëve në vend të interesuar për të mësuar më shumë rreth kësaj dege të islamit. Ndërsa tha se ‘Urdhri Bektashi’ do të ketë të njëjtin status si Vatikani.
“S’do ketë polici apo taksa”, Rama për shtetin ‘Urdhri Bektashi’: Do të mirëpresë çdo vizitor
Kryeministri Edi Rama tha se ‘Urdhri Bektashi’ do të ketë status të veçantë juridik si entitet fetar dhe nuk do të ketë polici apo taksa ndryshe nga Shqipëria.
Ai hodhi poshtë idenë se krijimi i një shteti të tillë, do të cënojë sovranitetin territorial të Shqipërisë ndërsa shtoi se kjo vetëm do të sillte shtimin e numrit të ndjekësve për të mballur gjallë bektashizmin me kryeqendër në Shqipëri.
“Kryegjyshata botërore e bektashinjve mund të transformohet në një realitet ndërkombëtarisht tërheqëse ku njerëzit e çdo feje dhe kombësie do të mund të hyjnë në portën e hapur të një komuniteti simbolik, pa mure, pa taksa pa polici. Një shtet shpirtëror që e pret çdo vizitor. Kjo patjetër që do i japë komunitetit mundësinë të mbijetojë se patjetër që do i shtohen ndjekësit dhe simpatizantët apo njerëzit që nuk do i lënë pa pasardhës këta baballarë”- deklaroi kryeministri. Versus.al
“Bektashizmi në rrezik”, Rama risjell idenë e krijimit të Shtetit Bektashi: Nuk cënohet territori i Shqipërisë
Teksa mbajti fjalën në 95 vjetorin e kryegjyshatës botërore të Bektashinjve, kryeministri Edi Rama solli në vëmendje krijimin e shtetit ‘Urdhri Bektashi’ brenda Tiranës.
Sipas Ramës, kjo nuk është diçka për t’u vënë në dyshim duke theksuar se nuk preket aspak integriteti territorial i Shqipërisë. Ai e argumentoi idenë e krijimit të shtetit me rrezikun që i kanoset komunitetit të bektashinjve për t’u zhdukur.
“Me çfarë pafytyrësie ne do qëndrojmë duarkryq që në 100 vjetorin të kenë mbetur më pak dhe më pas të jenë histori e së shkuarës. Kjo është thirrje për të mos e lënë bektashizmit të shkrihet dhe shuhet, sepse komuniteti musliman nuk shuhet kurrë sepse është shumë i madh.
Nuk shuhet kurrë komuniteti katolik e as ortodoks, ndërsa ky komunitet është në rrugën e shuarjes. Është diçka që po ndodh para syve tanë. Është thirrje për t’i dhënë selisë së kryegjyshatës botërore status të njëjtë me atë të Vaticanit, e cila nuk do përçajë askënd. Nuk do cënojë sovranitetin territorial të Shqipërisë se çfarë nuk u shkon ndërmend shqipove. Jo, Shqipëria është shtet unitar. Komunitetet e tjera fetare nuk kanë përse të shqetësohen sepse ky është trajtimi i merituar i një komuniteti që ka qendër botërore Shqipërinë. Të tjerët do e kishin shpikur edhe mos ta kishin. Ne e kemi dhe jemi gati që ta lëmë të vdesë. Emblema e tillë i jep Shqipërisë dritë dhe shpresë të cilën Papa Françesku kur ishte këtu e pagëzoi si shembullin e një vëllazërie fetare për mbarë botën”- u shpreh Rama.
Lajmi në përditësim…
95 vjetori i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Baba Mondi: Uroj që këtë vit të kemi statusin juridik për ‘Urdhrin Bektashi’
Sot në Tiranë është mbajtur një aktivitet i veçantë për përkujtimin e 95 vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqpëri.
Aktiviteti ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama nisi me një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Gjatë fjalës që mbajti kryegjyshi botëror Baba Mondi, teksa përmendi disa momente historike ndër vite, foli gjithashtu për krijimin e statusit juridik për ‘Urdhrin Bektashi’ që u komentua shumë si ideja për krijimin e shtetit më të vogël në botë me 10 hektarë tokë si sipërfaqe në Tiranë.
“Ceremoni përkujtimore në 95-vjetorin e njohjes juridike të vendosjes së Urdhrit Bektashi në Shqipëri, ngjarja historike për komunitetin tonë në 95 vite në parë ka shënuar një nga arritjet më të rëndësishme të reformës së kulteve të institucioneve fetare në Shqipëri në 1929, vit kur në Shqipëri u kryen tre kongrese të komuniteteve fetare. Ne përkujtojmë këtë përvjetor me dy shenja të mbara të nisjes së këtij viti, nga njëra ana takimi ynë historik me Papa Françeskun, nga ana tjetër fillimin e detyrës së Trump, i cili vendosi fokusin te paqja.
Për komunitetin tonë mesazhe të tilla i konsiderojmë mesazhe të shenjta të dërgimit nga zoti dhe shpresojmë një vit i filluar me këto shenja të jetë vit i përmbushjes së domosdoshmërisë për stabilizimin e Statutit juridik të Urdhrit Bektashian. Stabilizimi i mundshëm i një Urdhri Bektashian, do kujtohej prej nesh jo vetëm si dëshmi, por edhe faktori i ri për harmoninë mes komunitetin tonë dhe komuniteteve të tjera në botë”, tha Baba Mondi. Versus.al








