Çfarë do të gjeni në brendësi
*Shqipëria luan sot ndeshjen përballë Polonisë në fazën play-off të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. *Ndeshja nisi me fishkëllimat e tifozëve polakë për himnin shqiptar. *Në minutën 41, Shqipëria kaloi në avantazh me golin e Arbër Hoxhës i cili festoi duke bërë shqiponjën me duar.
Përmbyset gjithçka, Polonia kalon në avantazh përballë Shqipërisë

Polonia ka shënuar dy gola me Levandovskin dhe Zielinskin duke përmbysur avantazhin e krijuar nga goli i Arbër Hoxhës.
Fatkeqësisht goli erdhi vetëm pasi Broja kishte humbur shansin për të shënuar golin e dytë.
Në minutën 63, Levandovski barazoi, ndërsa në minutën 72, polakët kaluan në avantazh. Versus.al
Arbër Hoxha ndëshkon Poloninë, feston me shqiponjë

Shqipëria ka kaluar në avantazh përballë Polonisë në minutën 41, vetëm 4 minuta para përfundimit të pjesës së parë.
Ka qenë Arbër Hoxha ai që çoi topin në rrjetë duke shpërthyer festën për shqiptarët.
Pasi shënoi golin, festoi duke bërë shqiponjën me duar përpara 53 mijë tifozëve polakë që ndodhen në stadiumin e Varshavës. Versus.al
Gjest i pahijshëm nga tifozët polakë, fishkëllejnë Himnin Kombëtar të Shqipërisë

Një moment i hidhur është shënuar në nisje të ndeshjes së shumëpritur mbrëmjen e sotme në stadiumin e Polonisë në Varshavë.
Teksa luhej himni kombëtar i Shqipërisë, tifozët polakë e shoqëruan me fishkëllima, gjest totalisht i pahijshëm. Në stadium ndodhen 53 mijë tifozë polakë dhe vetëm 3 mijë shqiptarë.
Shqipëria luan “finalen” e parë për t’u kualifikuar për në Botëror, me kuqezinjtë që do të masin forcat e tyre në Varshavë kundër Polonisë.
Porta do të mbrohet nga Strakosha, ndërsa në mbrojtje do të jetë Hysaj, Gjimshiti, Ajeti dhe Mitaj. Mesfusha do të përbëhet nga Asllani dhe Shehu, ndërsa Laçi do të luajë më i avancuar. Versus.al
BE ndryshon mendje për emigracionin, votohet vendimi që i nxjerr emigrantët jashtë vendeve të unionit

Evropa mesa duket po nis të ndryshojë kurs sa i takon emigrantëve të paligjshëm që shfaqen në kampet e azilit në shtete të ndryshme. Së fundmi, Parlamenti Europian mori një vendim që ndryshon qasjen ndaj emigracionit, duke lehtësuar ngritjen e qendrave për mbajtjen e emigrantëve jashtë Bashkimi Europian, të njohura si “return hubs”.
Vendimi u votua me 389 vota pro, 206 kundër dhe 32 abstenime, duke kaluar falë një aleance mes partive të djathta dhe atyre të ekstremit të djathtë, që më parë kishin mbajtur distancë nga njëra-tjetra. Ndërkohë, partitë e majta dhe ato të qendrës votuan kundër.
Me këtë ndryshim, çdo shtet anëtar i BE-së mund të negociojë vetë ose në grupe të vogla për të dërguar emigrantët që u është refuzuar azili jo në vendet e origjinës, por në qendra të posaçme që pritet të ndërtohen jashtë territorit të unionit. Disa vende si Greqia, Gjermania, Holanda, Austria dhe Danimarka kanë nisur tashmë negociata me shtete, kryesisht në Afrikë, për të pritur këto struktura. Versus.al
Ndeshje vendimtare për Botërorin 2026, publikohet formacioni për "betejën" me Poloninë

Në prag të nisjes së ndeshjes së vlefshme për fazën Play Off të Botërorit 2026, është publikuar formacioni zyrtar i skuadrës sonë kombëtare.
Në portë është Tomas Strakosha, në mbrojtje: Gjimshiti, Ajeti, Hysaj, Mitaj, në mesfushë: Shehu, Asllani, Laçi. Ndërsa në sulm Uzuni do jetë në qendër me Bajramin dhe Hoxhën që e mbështesin nga krahët.
Kapiten për këtë ndeshje do jetë Berat Gjimshiti. Ndërsa pritet që atmosfera të jetë tepër e zjarrtë për shkak edhe vendimit të marrë nga federata polake për mbylljen e çatisë së stadiumit.
Para ndeshjes, tifozët shqiptarë u panë duke festuar në Varshavë. Versus.al
Pak orë para ndeshjes Poloni-Shqipëri, ndërtesa në Fier "vishet" me flamurin gjigant

Ndërkohë që kanë mbetur pak orë nga ndeshja Poloni-Shqipëri që luhet sot në Varshavë në orën 20:45, një grup tifozësh kuqezi në Fier, kanë mbuluar me flamurin kombëtar një ndërtesë të madhe në qendër të qytetit.
Flamuri me shqiponjën dykrenare shtrihet pothuajse në të gjithë fasadën e ndërtesës katërkatëshe, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e kalimtarëve. Përmasat e tij të mëdha e kanë kthyer godinën në një simbol të dukshëm të mbështetjes dhe entuziazmit për ekipin kombëtar.
Gjesti u mirëprit edhe nga qytetarët, ndërsa atmosfera festive ndihet në qytet. Versus.al

