Live Updates /

“Brenda 2030-ës në BE”, Rama-ambasadorëve: Bëni më shumë punë në rajon! Indonezia e Filipinet na duhen për krah pune

*Në Tiranë nisi sot konferenca treditore e ambasadorëve shqiptarë “Diplo 2024” ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama i cili renditi disa prej arritjeve në diplomacinë e vendit duke nisur nga kryesimi i këshillit të sigurimit të OKB deri tek pritja e samitit të BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. *Kryeministri Edi Rama theksoi synimin që brenda vitit 2030 Shqipëria të jetë anëtare e Bashkimit Europian njëjtë si vendet e tjera anëtare. Ai u kërkoi ambasadorëve të ngrihen në një nivel të ri diplomacie duke marrë si shembull ambasadorin e Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxhën i cili aktualisht është ambasador në Bruksel. *Sa i takon diplomacisë në rajon, Rama nënvizoi domosdoshmërinë e një pune më të madhe me Italinë, Greqinë dhe Turqinë duke u kërkuar ambasadorëve shqiptarë në këto vende që të bëjnë më shumë për rritjen e volumit të bashkëpunimit tregtar të shteteve. *Një rëndësi të veçantë gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit ia kushtoi ndërtimit të marrëdhënieve më të forta me vende të kontintenteve të tjera, si Indonezia dhe Filipinet për të siguruar krah pune. Ndërsa njoftoi edhe hapjen e një zyre konsullore në Kenia të Afrikës. *Konferenca e ambasadorëve do të zgjasë tre ditë radhazi me fokus kryesor në integrimin e vendit në BE.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Në Tiranë nisi sot konferenca treditore e ambasadorëve shqiptarë “Diplo 2024” ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama i cili renditi disa prej arritjeve në diplomacinë e vendit duke nisur nga kryesimi i këshillit të sigurimit të OKB deri tek pritja e samitit të BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. *Kryeministri Edi Rama theksoi synimin që brenda vitit 2030 Shqipëria të jetë anëtare e Bashkimit Europian njëjtë si vendet e tjera anëtare. Ai u kërkoi ambasadorëve të ngrihen në një nivel të ri diplomacie duke marrë si shembull ambasadorin e Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxhën i cili aktualisht është ambasador në Bruksel. *Sa i takon diplomacisë në rajon, Rama nënvizoi domosdoshmërinë e një pune më të madhe me Italinë, Greqinë dhe Turqinë duke u kërkuar ambasadorëve shqiptarë në këto vende që të bëjnë më shumë për rritjen e volumit të bashkëpunimit tregtar të shteteve. *Një rëndësi të veçantë gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit ia kushtoi ndërtimit të marrëdhënieve më të forta me vende të kontintenteve të tjera, si Indonezia dhe Filipinet për të siguruar krah pune. Ndërsa njoftoi edhe hapjen e një zyre konsullore në Kenia të Afrikës. *Konferenca e ambasadorëve do të zgjasë tre ditë radhazi me fokus kryesor në integrimin e vendit në BE.

5 Postime
6 MUAJ ME PARE

Ministrja sllovene: Vitin e ardhshëm hapim konsullatë në Durrës! Ndihmë teknike për integrim në BE

“Brenda 2030-ës në BE”, Rama-ambasadorëve: Bëni
Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon

Sllovenia do të hapë një konsullatë të saj në Durrës, vitin e ardhshëm. Lajmin e bëri me dije ministrja e Jashtme sllovene Tanja Fajon e cila ka qenë e pranishme sot gjatë konferencës së nisur në Tiranë ku janë mbledhur ambasadorët shqiptarë në shtete të ndryshme të botës por edhe zyrtarë të huaj.

Fajon ka mbajtur një deklaratë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të vendit tonë, Igli Hasani gjatë së cilës theksoi mbështetjen e Sllovenisë për përparimin e Shqipërisë në procesin e ingrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Patëm një takim të frytshëm lidhur me bashkëpunimet tona në të ardhmen. Na duhet të krijojmë lidhje të tjera ajrore në të ardhmen. Në Durrës do kemi konsullatën tonë vitin e ardhshëm, mendoj se në këtë mënyrë do t’u ofrojmë të gjithëve mundësi të tjera. Bashkëpunimi ynë është përqendruar në fusha të ndryshme. Jemi pjesë e mjaft projekteve zhvillimore në Shqipëri.

Kemi ofruar ndihmë teknike për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Shpreh mbështetjen për kolegjin e Evropës në Tiranë. Në sezonin e parë do kemi bursa të akorduara në këtë drejtim. Cekëm edhe cështjen e agresionit rus, luftën në Gaza. Këto konflikte na cënojnë të gjithëve”- u shpreh Fajon.

Nga ana tjetër, Hasani e cilësoi Slloveninë si një vend model, hapat e të cilit Shqipëria përpiqet t’i ndjekë për t’u anëtarësuar në BE. Versus.al

6 MUAJ ME PARE

Mungesa e krahut të punës, Rama: Bashkëpunim në rritje me Indonezinë dhe Filipinet për të sjellë punëtorë

“Brenda 2030-ës në BE”, Rama-ambasadorëve: Bëni
Kryeministri Edi Rama

Shqipëria do të ndërmarrë një rol të ri në diplomacinë e jashtme, duke hapur një tjetër zyrë konsullore në Afrikë. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama në konferncën treditore që nisi sot në Tiranë ku janë të pranishëm ambasadorët shqiptarë në vendet e ndryshme të botës.

Mes të tjerash Rama nënvizoi domosdoshmërinë e vendosjes së marrëdhënieve më të ngushta me vende si Indonezia dhe Filipinet me qëllim sigurimin e punonjësve që do të zëvendësojnë mungesën e krahut të punës në vendin tonë.

Sa i takon hapjes së zyrës konsullore në Kenia të Afrikës, Rama tha se kjo bëhet edhe për të dhënë një tjetër kontribut në njohjen përfunditmare të Kosovës në botë.

“Me Indonezinë kemi vendosur një marrëdhënie me interes shumë të madh ashtu si me Filipinet pasi të gjithë vendet e BE po trokasin aty për vendet e punës vakante. Prandaj marrëdhëniet janë shumë të rëndësishme, radha aty është shumë e madhe por besoj se do bëjmë kapërcime të radhës. Po ashtu në Afrikë jemi krejtësisht të munguar dhe besoj se është e drejtë të hapin derën e parë në Kenia. Na duhet për arsyen e detyrës që kemi për të mbështetur formësimin përfundimtar të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”- tha Rama. Versus.al

6 MUAJ ME PARE

“Në 2030-ën jemi në BE”, Rama porosi ambasadorëve: Në Greqi, Itali e Turqi duhet më shumë punë

“Brenda 2030-ës në BE”, Rama-ambasadorëve: Bëni
Kryeministri Edi Rama

Gjatë konferencës “Diplo 2024” ku të pranishëm janë ambasadorët dhe konsujt shqiptarë në shtete të ndryshme të botës, kryeministri Edi Rama në kuadër të ndryshimeve që do ndërmerren lajmëroi hapjen e ambasadës së Shqipërisë në Bosnje Hercegovinë.

Duke renditur disa nga arritjet dhe rritjen e numrit të turistëve në vend, Rama theksoi synimin për të anëtarësuar Shqipërinë në BE brenda vitit 2030.

“Kemi 10 mijë subjekte të reja që bëjnë biznes në Shqipëri duke krahasuar gjysmën e parë të këtij viti krahasuar me atë të vitit të shkuar. Kemi mbi 15 mijë të punësuar më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Kemi interesim të madh për Shqipërinë jo vetëm në aspektin e turizmit por edhe në sektorët strategjikë, nga energjia, te telekomunikacioni, ndërtimi e kështu me radhë. Të gjitha këto duhet të na thonë se stadi në të cilin gjendemi është plotësisht i favorshëm për të synuar hovin e madh përfundimtar dhe për ta vendosur flamurin kombëtar në oborrin e BE deri në 2030. Trupi diplomatic duhet të ngrihet në një nivel të ri. Sot është shumë më e lehtë të flasësh për Shqipërinë dhe të ftosh turistët të vijnë të vizitojnë vendin tonë. Përtej situatës së sotme, do çelim së shpejti dyert e ambasadës në Bosnje Hercegovinë. Jemi përpjekur të bëjmë zgjedhje sa më të përshtatshme të ambasadorëve në funksion të dinamizmit të mëtejshëm të marrëdhënieve me rajonin. Jemi të qartë në pozicionin tonë, duam të promovojmë paqen, bashkëpunimin dhe rajonin si i tërë. Ky është interesi ynë kombëtar, Shqipëria është shumë e vogël për të ofruar atë që mund të ofrojë nëse hapësira e saj ekonomike dhe tregtare është një hapësirë e integruar rajonalisht. Kjo është shumë e thjeshtë dhe nuk ka nevojë për shkencë për ta kuptuar. Na duhet të fuqizojmë dhe nxisim sa të mundemi çdo energji që e bën rajonin më bashkëpunues e paqësor”- u shpreh kryeministri.

Më tej ai dha si porosi për ambasadorët shqiptarë në Greqi, Itali dhe Turqi, ku nënvizoi domosdoshmërinë për rritjen e shkëmbimit të marrëdhënieve tregtare mes vendeve.

“Duhet të bëjmë më shumë me Italinë, Greqinë dhe Turqinë. E përgëzoj ambasadoren tonë në Athinë për shërbimin e jashtëzakonshëm konsullor që është më të ngarkuarit për shkak të pranisë së madhe të shqiptarëve në Greqi. Ambasadorja në Athinë është shembull se asgjë nuk mund të jetë jashtë mundësive tona nëse kemi angazhimin për t’u kujdesur si duhet për shqiptarët jashtë atdheut. Por në aspektin e volumit tregtar me Turqinë dhe Greqinë, e kemi mundësinë dhe duhet të bëjmë më shumë”- shtoi Rama. Versus.al

6 MUAJ ME PARE

“Vite më parë e paimagjinueshme të na besoheshin role të tilla”, Rama rendit arritjet në diplomaci

“Brenda 2030-ës në BE”, Rama-ambasadorëve: Bëni

Tiranë- Kryeministri Edi Rama mori pjesë në konferencën e mbajtur sot në kryeqytet me ambasadorët e Shqipërisë në vende të ndryshme të botës ku renditi disa prej arritjeve të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Ai tha se Shqipëria ndodhet në një pozicion, i cili vite më parë do të konsiderohej i pamundur, ndërsa mes arritjeve në arenën ndërkombëtare, Rama veçoi punën e Ferit Hoxhës i cili përfaqësoi Shqipërinë në OKB gjatë kryesimit të Këshillit të Sigurimit. 

Pjesë nga fjala e Ramës:

Për të rritur masën e integrimit pa pritur të bëhemi anëtarë të BE. Kjo është arsyeja pse pa na e kërkuar askush, kemi nisur proces të ri përmes një synimi absolutisht ambicioz për të lancuar një dallgë të re reformash duke u organizuar në Kuvendin e Shqipërisë me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionit.

Prej kohësh nuk jemi statik në pozicionimin dhe qasjen ndaj marrëdhënieve tona ndërkombëtare dhe rezultat i qëndrimit dhe veprimit të vazhdueshëm dinamik është edhe fakti i marrjes nga Shqipëria të një sërë përgjegjësish shumë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Duke nisur nga kryesimi i Procesit të Berlinit ku arritëm disa rezultate domethënëse në funksion të planit të rritjes. Duke vazhduar me samitin e BE dhe Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Tiranë, më tutje me hapjen e kolegjit të Europës në Tiranë që është tashmë një realitet i prekshëm. Viti i parë është në fillimin e tij pasi u bë seleksionimi i studentëve nga gjithë vendet e Europës. Më tutje në Këshillin e Sigurimit të OKB e kam të rëndësishëm të sjell një shembuj për rolin e ambasadorit tonë në OKB i cili tanimë shërben si ambasador në Bruksel për të lehtësuar gjithë ndërveprimin me Brukselin, falë lidershipit të të cilit Shqipëria krijoi shumë besim dhe mori prestigj që nuk e kishte pasur më parë. Kjon a bën sot të jemi vendi që do mirëpresë liderët e 44 shteteve europiane nga Britania në Ukrainë vitin e ardhshëm në samitin e Komunitetit Politik Europian. Ky prestigj dhe roli i një tjetër ambasadori që e sjell këtu si një shembuj jo për ta veçuar nga tjerët por për të nënvizuar sesa e rëndësishme është për ne të përfaqësohemi me volumin maksimal të ambicies. Gjë që na jep mundësinë të jemi mikpritës të samitit të NATO-s në vitin 2027, gjëra këto që nuk imagjinoheshin vite më parë. Janë 3 pika të rëndësishme që na kanë ndihmuar të arrijmë deri këtu. Së pari, krijimi i një vetëdije të re në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Versus.al

6 MUAJ ME PARE

Mbahet sot konferenca e ambasadorëve në Tiranë! I pranishëm edhe Rama, çfarë pritet të diskutohet (Agjenda)

“Brenda 2030-ës në BE”, Rama-ambasadorëve: Bëni

Nga sot nis konferenca tre ditore e ambasadorëve “Tirana Diplo 2024” e organizuar nga ministria e Punëve të Jashtme.

Pjesë e kësaj konference që do të mbahet në datat 26, 27 dhe 28 gush do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa fokusi i diskutimeve lidhet me rrugëtimin dhe dinamikat e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian si dhe sfidat e diplomacisë shqiptare në rajon e më gjerë.

Kjo konferencë konsiderohet si tepër e rëndësishme për shkak se ofron mundësi për paraqitjen e prioriteteve që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë në vende të ndryshme të botës.

Agjenda e konferencës:

26 gusht 2024

Pallati i Kongreseve

09:30 – Hapja e Konferencës së Ambasadorëve

SH.T.Z. Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë

SH.T.Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

10:15 – 10:30 Pushim kafe.

10:30 – 11:15 Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE

Folës kryesorë

SH. T. Z. Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme

SH. S. Znj. Tanja Fajon, Zv.Kryeministre dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë

Ora 12:00 – Ministri Hasani do të presë në një takim dypalësh në MEPJ, Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila do të zhvillojë vizitë zyrtare në Tiranë.

Pas takimit, dy ministrat do të dalin në një deklaratë të përbashkët për mediat të cilën e gjeni live në FB e Ministrit Hasani dhe MEPJ. Versus.al

Poll