Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot në Gjykatën e Posaçme, SPAK prezanton rezultatet e hetimeve dy mujore për kryebashkiakun e arrestuar, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenët e tjerë nën masa sigurie. *Vetë kreu i bashkisë i cili është në paraburgimin e Durrësit që prej 12 shkurtit, ndërsa u arrestua më 10 shkurt, ka preferuar të mos jetë i pranishëm në seancë dhe të përfaqësohet nga avokatët e tij. Ndërsa biznesmenët nën hetim kanë shkuar, mes tyre edhe Elman Abule i cili mbahet nën “arrest shtëpie”. *Ndërkohë, më 8 korrik në orën 12:00 Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e Veliajt për t’u liruar nga qelia ku po qëndron që prej muajit shkurt nën dyshimin se ka kryer korrupsion pasiv në 9 raste dhe pastrim parash, bashkangjitur edhe me akuzën e futjes së sendeve të paligjshme në qeli. *Po sot, Gjykata e Posaçme la në fuqi sekuestron e apartamentit në Kodrën e Diellit që dyshohet të jetë i Veliajt dhe Xoxës, por i regjistruar nën emrin e kompanisë “Agikons” që dorëzoi edhe kërkesën për heqjen e sekuestros.
SPAK për Veliajn: S’ka arsye për t’u liruar! GJKKO rrëzon ‘garancinë pasurore’ të kryebashkiakut
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për kryebashkiakun e arrestuar Erion Veliaj i cili prej shkurtit mbahet në paraburgimin e Durrësit.
Gjykata nuk ka pranuar ndryshimin e masës së sigurisë për Veliajn edhe pse kreu i bashkisë më të madhe të vendit pati ofruar si kusht garanci pasurore.
Në seancën ku SPAK paraqiti informacione mbi hetimet dy mujore ndaj Veliajt, prokurorët e posaçëm thanë se kishin kryer 82 veprime hetimore dhe se nuk ekziston asnjë rrethanë apo kusht për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Veliajt.
Po ashtu edhe për biznesmenin Elman Abule u la në fuqi masa e arrestit shtëpiak. Versus.al
Dyshohet se është i Veliajt, mbetet nën sekuestro apartamenti tek Kodra e Diellit! Ja kush e ankimoi
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masën e sekuestros të vendosur ndaj apartamentit në kompleksin rezidencial tek Kodra e Diellit që dyshohet se zotërohej fshehurazi nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Ankimi për heqjen e sekuestros është bërë nga kompania “Agikons” nën pronësinë e së cilës ishte regjistruar apartamenti që dyshohet të jetë “defacto” i Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës. Administrator i kompanisë që bëri ankimimin është Alban Çinari. Versus.al
VIDEO/ SPAK paraqet informacionin e hetimeve për Veliajn, biznesmeni Elman Abule paraqitet në GJKKO

Sot në orën 11:30 në Gjykatën e Posaçme mbahet seanca ku SPAK do të paraqesë informacionin dy mujor mbi ecurinë e hetimeve për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe biznesmenët të cilët dyshohen si pjesë e skemës së ngritur prej tij për përvetësimin e fondeve publike.
Mes biznesmenëve është paraqitur edhe Elman Abule i cili mbahet nën masën “arrest shtëpie”. Ai shihet teksa hyn në ambientet e GJKKO së bashku me avokaten e tij dhe një oficer policie që i shoqëron.
Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj nuk do të jetë i pranishëm në seancë. Versus.al
Kërkon lirinë për të disatën herë, caktohet seanca në Gjykatën e Lartë për Erion Veliajn

Më 8 korrik në orën 12:00 do të zhvillohet gjyqi në Gjykatën e Lartë ku kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj kërkon lirinë nga qelia e paraburgimit të Durrësit ku mbahet prej 12 shkurtit.
Kërkesa e tij do të shyqrtohet nga trupa gjykuese Medi Bici, Albana Boksi e Sokol Binaj.
Më herët, Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar disa kërkesa të Veliajt për t’u liruar nga qelia ndërsa SPAK po e heton kreun e bashkisë më të madhe të vendit për korrupsion, pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe akuzë tjetër e shtuar gjatë paraburgimit “futja e sendeve të paligjshme në qeli”.
Duke qenë se cilësohet si çështje me prioritet për shkak se bëhet fjalë për kreun e bashkisë më të madhe të vendit, gjykata ka vendosur gjykim me procedurë të përshpejtuar duke caktuar seancën në momentin më të përshtatshëm për trupën gjykuese.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa e cila po ashtu hetohet për korrupsion dhe pastrim parash nën masën “detyrim paraqitje”, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin ngritur një skemë të mirëorganizuar të përvetësimit të fondeve publike nga bashkia e Tiranës.
Pjesë e kësaj skeme, dyshohet të jenë edhe biznesmenë të cilët përfitonin nga tenderat e bashkisë dhe kryenin pagesa të ndryshme tek qendra “Harabeli” nën pronësinë e Ajola Xoxës. Aktualisht biznesmeni Elman Abule po hetohet nën arrest shtëpie, ndërsa 5 biznesmenët e tjerë, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha po hetohen nën masën “detyrim paraqitje”. Versus.al







