Live Updates /

Dumani kalon stafetën e kreut të SPAK: Besimi i publikut, forca jonë! Braho: Do mbroj pavarësinë e prokurorëve të posaçëm

*Sot u mbajt ceremonia e kalimit të stafetës së kreut të SPAK nga Altin Dumani tek Klodian Braho, i zgjedhuri nga KLP me 7 vota. *Dumani mbajti fjalën e tij të fundit në krye të institucionit duke falenderuar publikun për besimin si dhe ndërkombëtarët për mbështetjen e tyre, ndërsa shprehu bindjen se SPAK do të forcohet edhe më tej nën drejtimin e Klodian Brahos. *Ky i fundit e vlerësoi paraardhësin e tij për guximin dhe integritetin, ndërsa nënvizoi se ka në fokus forcimin e mëtejshëm të SPAK dhe mbrojtjen e pavarësisë së prokurorëve të posaçëm. *Braho do të mbajë postin e kreut të SPAK për 3 vite pa të drejtë rikandidimi. Ndërsa 2028-ta përkon edhe me përfundimin e mandatit të tij 9 vjeçar si prokuror i posaçëm, po ashtu edhe mandati i Dumanit dhe disa prej prokurorëve të parë të këtij institucioni.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Sot u mbajt ceremonia e kalimit të stafetës së kreut të SPAK nga Altin Dumani tek Klodian Braho, i zgjedhuri nga KLP me 7 vota. *Dumani mbajti fjalën e tij të fundit në krye të institucionit duke falenderuar publikun për besimin si dhe ndërkombëtarët për mbështetjen e tyre, ndërsa shprehu bindjen se SPAK do të forcohet edhe më tej nën drejtimin e Klodian Brahos. *Ky i fundit e vlerësoi paraardhësin e tij për guximin dhe integritetin, ndërsa nënvizoi se ka në fokus forcimin e mëtejshëm të SPAK dhe mbrojtjen e pavarësisë së prokurorëve të posaçëm. *Braho do të mbajë postin e kreut të SPAK për 3 vite pa të drejtë rikandidimi. Ndërsa 2028-ta përkon edhe me përfundimin e mandatit të tij 9 vjeçar si prokuror i posaçëm, po ashtu edhe mandati i Dumanit dhe disa prej prokurorëve të parë të këtij institucioni.

3 Postime
1 ORE ME PARE

"Ndërkombëtarët po na mbështesin", Braho: Vlerësoj Dumanin për guximin! Fokusi im, mbrojtja e pavarësisë së SPAK

Dumani kalon stafetën e kreut të SPAK: Besimi i publikut, forca
Kreu i SPAK, Klodian Braho

Klodian Braho mbajti fjalën e tij gjatë ceremonisë ku u bë kalimi i stafetës së kreut të SPAK nga Altin Dumani. Braho e falenderoi Dumanin për guximin e tij gjatë ushtrimit të mandatit. Ndërsa theksoi se fokusi i tij në krye të institucionit do të jetë thellimi i hetimeve cilësore për të rritur besimin e publikut si dhe mbrojtja e pavarësisë së prokurorëve të posaçëm.

Ndërsa nënvizoi edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë për funksionimin e strukturës së posaçme.

“Është angazhim për të respektuar Kushtetutën, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK dhe për të forcuar më tej besimin e qytetarëve. SPAK-u po forcohet falë mbështetjes së pakursyer të partnerëve ndërkombëtarë. Dëshiroj të falenderoj paraardhësit e mi në këtë institucion, zotin Kraja për kontributin e tij në vendosjen e gurëve të parë dhe Dumanin për guximin dhe integritetin e tij duke forcuar figurën e SPAK dhe duke rritur besimin e publikut.

Fokusi im do të mbetet forcimi i funksionimit të brendshëm, respektimi i standarteve ligjore dhe garantimi i pavarësisë së prokurorëve. Bashkëpunimi do të vijojë të thellohet me hetime edhe më cilësore. Misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale, jemi një skuadër dhe do të punojmë krah më krah për të respektuar kushtetutën”- u shpreh Braho. Versus.al

 

1 ORE ME PARE

“Jemi përballur me presione të mëdha”, Dumani i kalon stafetën Brahos: Forca jonë, besimi i publikut

Dumani kalon stafetën e kreut të SPAK: Besimi i publikut, forca
Altin Dumani

Altin Dumani i kaloi zyrtarisht detyrën e kreut të SPAK, Klodian Brahos i cili do ta drejtojë strukturën e posaçme për 3 vite. Dumani tha se përgjatë këtyre viteve SPAK ishte përballur me presione të mëdha, por shtoi se forca e institucionit është tek besimi që publiku ka patur ndaj prokurorëve të posaçëm.

Mes të tjerash, Dumani shprehu bindjen se Braho do ta forcojë edhe më shumë SPAK-un duke rritur besimin tek publiku. 

“Drejtimi I SPAK ka qenë privilegj i madh. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira dhe presione të mëdha. Në çdo hap kemi punuar me integritet. Sot SPAK është më I fortë dhe më i besueshëm se më parë. Këto janë rezultat i punës së palodhur të të gjithëve. Dua t’ju falenderoj për përkushtimin dhe sakrificat tuaja. U shpreh mirënjohjen time partnerëve ndërkombëtarë që kanë qenë krah nesh në çdo etapë. Falenderim shkon edhe për publiku  shqiptar. Besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj suksese zotit Brahos në detyrën e re dhe kam bindjen se do e çojë përpara SPAK-un me integritet dhe vendosmëri”- u shpreh Dumani. Versus.al

 

3 ORE ME PARE

Nga e premtja në krye të SPAK, Braho merr sot detyrën nga Dumani

Dumani kalon stafetën e kreut të SPAK: Besimi i publikut, forca
Altin Dumani, Klodian Braho

Sot në orën 10:00 në Prokurorinë e Posaçme mbahet ceremonia e kalimit të detyrës së kreut të SPAK nga Altin Dumani te kryetari i ri Klodian Braho i cili u zgjodh me 7 vota të anëtarëve të KLP-së.

Për SPAK ky është një moment i rëndësishëm për sigurimin e vazhdimësisë dhe forcimin e mëtejshëm të punës së këtij institucioni.  Braho zyrtarisht është në krye të SPAK që prej të premtes së 18 dhjetorit, por ceremonia u caktua për t’u mbajtur ditën e sotme.

Për 3 vite, Braho do të drejtojë SPAK-un deri në përfundim të mandatit 9 vjeçar si prokuror i posaçëm. Dumani e mbyll ciklin e tij në krye të SPAK me kërkesat e vazhdueshme për t’u dhënë prokurorëve të SPAK mundësinë e rikandidimit.

Kush është Klodian Braho?

Klodian Braho u emërua prokuror më 14 nëntor 2007, duke filluar kështu një rrugëtim të gjatë profesional që e ka çuar në një nga pozicionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë shqiptare.

Deri në vitin 2012, Braho shërbeu si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, ndërsa për tre vite të tjera më pas, ushtroi funksionin e prokurorit pranë Prokurorisë së Vlorës, ku njëkohësisht mbajti edhe detyrën e zëvendës drejtuesit (2014–2015). Në Prokurorinë e Vlorës spikati me një dosje të bujshme, ajo ndaj ish kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Braho e hetoi dhe e çoi në gjyq kryebashkiakun e Vlorës për për shpërdorim detyre dhe falsifikimin e dokumenteve në dhënien e lejeve të ndërtimit.

Karriera e Klodian Brahos tij do të marrë një kthesë të rëndësishme në vitin 2015, me emërimin e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjatë katër viteve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, një prej dosjeve më të bujshme të Klodian Brahos ishte ajo për hetimin e ish- Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, një ndër çështjet e para që u bënë simbol për llogaridhënien në nivelet e larta të sistemit të drejtësisë.

Në punën e tij si prokuror i SPAK, Braho ka pasur në duar çështje me një ndikim të gjerë publik. Ai është prokurori që hetoi rastin e inceneratorit të Elbasanit, duke lëshuar urdhër-arrest për persona kyç si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, si dhe duke veçuar hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Dosja e inceneratorit të Elbasanit është e vetmja që tashmë ka një vendim të formës së prerë, me 9 të dënuar, mes të cilëve ish ministri i Mjedisit Lefter Koka që u dënua me 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, dënim të cilin Braho e kërkoi dhe e mori në Apelin e GJKKO.

Po ashtu, prokurori Braho ka udhëhequr hetimin e dosjes “5D”, ku në gjyq përfunduan ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës. Një tjetër çështje e rëndësishme e ndjekur prej tij është dosja “Toyota Auris”, e cila përfshin disa fraksione hetimore dhe persona të drejtësisë. Braho është gjithashtu pjesë e grupit të prokurorëve që kanë firmosur dosjen ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili ndodhet nën proces gjyqësor për “shpërdorim detyre” në lidhje me masakrën e Gërdecit. Versus.al

Poll