Live Updates /

Kaosi në aksin Librazhd-Prrenjas, Emergjencat Civile: Shkak shiu i dendur! Do ndërtojmë rrugë alternative krah hekurudhës

*Shtabi i Emergjencave Civile doli në një deklaratë për mediat mbrëmjen e sotme pas një mbledhje të zhvilluar lidhur me situatën e krijuar me shembjen e aksit Librazhd-Prrenjas që shkaktoi izolimin e juglindjes për 4 ditë me radhë. *Kreu i ARRSH, Ami Kozeli tha se shkak për këtë situatë janë bërë reshjet e dendura të shiut të cilat kanë zgjatur më shumë se zakonisht si dhe erozioni lumor. Kozeli tha se do të ndërtohet një rrugë alternative me gjatësi 1.2 km me synim përmirësimin e qarkullimit deri në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare. *Të njëjtin qëndrim për shkakun e shembjes e pati edhe Ardian Bylyku, kreu i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar i cili nënvizoi se zona ku ka ndodhur rrëshqitja e tokës përbëhej nga shkëmbinj të copëzuar të cilët kanë grumbulluar shumë ujë gjatë reshjeve të dendura të shiut.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Shtabi i Emergjencave Civile doli në një deklaratë për mediat mbrëmjen e sotme pas një mbledhje të zhvilluar lidhur me situatën e krijuar me shembjen e aksit Librazhd-Prrenjas që shkaktoi izolimin e juglindjes për 4 ditë me radhë. *Kreu i ARRSH, Ami Kozeli tha se shkak për këtë situatë janë bërë reshjet e dendura të shiut të cilat kanë zgjatur më shumë se zakonisht si dhe erozioni lumor. Kozeli tha se do të ndërtohet një rrugë alternative me gjatësi 1.2 km me synim përmirësimin e qarkullimit deri në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare. *Të njëjtin qëndrim për shkakun e shembjes e pati edhe Ardian Bylyku, kreu i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar i cili nënvizoi se zona ku ka ndodhur rrëshqitja e tokës përbëhej nga shkëmbinj të copëzuar të cilët kanë grumbulluar shumë ujë gjatë reshjeve të dendura të shiut.

3 Postime
1 ORE ME PARE

"Përbëhet nga shkëmbinj të copëzuar", kreu i Shërbimit Gjeologjik për shembjen e Librazhd-Prrenjas: Pati shumë reshje

Kaosi në aksin Librazhd-Prrenjas, Emergjencat Civile: Shkak shiu i dendur!

Ardian Bylyku, kreu i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar ka folur për shembjen e rrugës Librazhd-Prrenjas, aks kryesor të korridorit të 8 që prej 4 ditësh ka shkaktuar izolimin e juglindjes së vendit.

Bylyku u shpreh se zona ku ka ndodhur rrëshqitja e dherave, përbëhet nga shkëmbinj copëzorë të cilët akumulojnë shumë ujë gjatë reshjeve të dendura të shiut.

“Zona për të cilën bëhet fjalë e ashtuquajtur Arrat e Gurës është zonë që nga pikëpamja gjeologjike përbëhet nga shkëmbinj copëzorë, inerte. Këto kanë tendencë që në rastet e reshjeve të shumta, të akumulojnë sasi të konsiderueshme uji. Duke patur parasysh nga dhjetori i vitit 2025 deri në shkurt, sasia e reshjeve ka qenë treefish krahasuar me dy vitet e mëparshme. Është fenomen që njihet si mbingopje. Në këtë rast ka rezultuar faktori kryesor për cedimin e të gjithë strukturës”- tha ai. Versus.al

2 ORE ME PARE

Juglindja e bllokuar prej 4 ditësh, kreu i ARRSH: Rruga u shemb se ra shumë shi! Do devijojmë rrjedhën e lumit

Kaosi në aksin Librazhd-Prrenjas, Emergjencat Civile: Shkak shiu i dendur!
Ami Kozeli, kreu i ARRSH

Stafi i emergjencave civile u mblodh pasditen e sotme për të diskutuar mbi gjetjen e një zgjidhje për rrëshqitjen masive të dherave në rrugën Librazhd-Prrenjas, gjë që ka lënë të izoluar të gjithë juglindjen që prej 4 ditësh.

Në konferencën për mediat, kreu i ARRSH, Ami Kozeli tha se kishte patur disa arsye të ndryshme për këtë situatë të krijuar. Një prej tyre sipas tij kanë qenë edhe reshjet e dendura të shiut për një kohë të gjatë.

“Megjithatë reshjet e dendura të shiut gjatë orëve në vijim e rënduan situatën. Të shtunën në mëngjes, rrëshqitja kishte avancuar ndjeshëm duke shkaktuar spostim mbi 30 cm të njërit krah të urës. Si masë emergjente u bllokua qarkullimi mbi urë dhe u evidentuan aket alternative për qarkullimin e mjeteve.

Pavarësisht masave, rrëshqitja preku edhe bypassin provizor duke na detyruar të shpallnim bllokimin e plotë. Pas takimeve në terren dhe analizimit të materialeve u vendos mbledhja e këshillit teknik. Shkaku kryesor i kësaj situate mbeten reshjet intensive për një kohë të gjatë, erozioni lumor si dhe saturimi i masivit të tokës gjë që ka çuar në rrëshqitje masive”- tha Kozeli.

Teksa bëri publike disa prej vendimevetë marra, tha se do të ketë një devijim të rrjedhës së lumit Shkumbin për të shmangur përkeqësimin e situatës.

“Në mbledhjen e sotme u morën këto vendime: Ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës.

Prishja e urës ekzistuese tashmë jashtë funksionit.

Është vendosur devijimi i rrjedhës së lumit që aktualisht godet trupin e hekurudhës për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës”- shtoi Kozeli. Versus.al

10 ORE ME PARE

Situatë kritike në aksin Librazhd–Prrenjas, vijojnë fundosjet! Kreu i ARRSH: Nuk e dimë kur do hapet, priten rezultatet e studimeve gjeologjike

Kaosi në aksin Librazhd-Prrenjas, Emergjencat Civile: Shkak shiu i dendur!

Dëmtimi i rëndë i segmentit të rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, në zonën e Arrave të Dragostunjës, ka sjellë një krizë infrastrukturore me pasoja të dukshme për qarkullimin dhe jetën e përditshme të qytetarëve në zonën Juglindore.

Kjo arterie strategjike, që lidh kryeqytetin me juglindjen, është kthyer në një pikë kritike për transportin dhe ekonominë rajonale.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe institucionet shtetërore janë në alarm të plotë, duke kërkuar zgjidhje emergjente për hapjen e aksit, por edhe një plan afatgjatë që të garantojë sigurinë e segmentit.

Burime nga grupet teknike bëjnë me dije se diskutimet kanë vijuar deri në mesnatë dhe sot pritet një tjetër tryezë intensive me inxhinierët më të mirë të vendit për të rishikuar qasjen teknike ndaj zonës problematike.

Në ditët e ardhshme pritet një vlerësim i plotë tektonik dhe gjeodinamik i zonës ku po punonte kompania ANK shpk.

Situata konsiderohet tashmë një emergjencë kombëtare infrastrukturore, pasi bllokimi i aksit ka ndikuar në transportin e mallrave, lëvizjen e qytetarëve, shërbimet publike dhe ekonominë rajonale.

Mbrëmjen e djeshme në një emision televiziv, kreu i ARRSH Ami Kozeli tha se nuk dihet ende dhe se priten rezultatet e studimeve gjeologjike.

ARRSH njoftim për qytetarët: 

ARRSH sqaron se po kryhet rivlerësim gjeologjik në terren. Autoriteti Rrugor Shqiptar udhëzon që, në këto kushte, personat që udhëtojnë me automjete të përdorin rrugët Maliq-Lozhan-Strelc-Gramsh-Elbasan dhe Qafë Thanë-Pogradec-Korçë-Leskovik- Përmet-Tepelenë.

Ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë sugjerohet që të përdoren akset rrugore Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit.

“Qarkullimi do të vazhdojë të jetë i bllokuar në segmentin rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec.

Ky segment, i cili pritej të hapej mesditën e sotme, ka pësuar  rrëshqitje masive toke, duke e bërë qarkullimin të pakalueshëm.

Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve.

Aktualisht po kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje. Ndërkohë specialistët në terren po shohim mundësinë e lëvizjes vetëm për mjete e vogla dhe të emergjencave në një rrugë në zonën përreth.

ARRSH, për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve, sugjeron përdorimin e akseve alternative si më poshtë:

Për autoveturat:

 Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan

Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë

Për mjetet e tonazhit të rëndë:

Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit

Duke kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë banorëve të zonës, ju lutemi të ndiqni me kujdes sinjalistikën rrugore si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore“, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.

Rruga që lidh Librazhdin me Prrenjasin është shembur dhe është bërë e pakalueshme që nga data 21 shkurt 2026./Versus.al

 

Poll