Live Updates /

Kinematografia në zi, shuhet regjisori i madh Dhimitër Anagnosti! Arti dhe politika: Lamtumirë diktatori i së bukurës!

*Mëngjesin e sotëm u bë i ditur lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të regjisorit të madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti i cili mbylli sytë për herë të fundit në moshën 89 vjeçare. *Me dhjetëra prodhime artistike, Anagnosti njihet si një ndër kineastët më të mirë shqiptarë të shekullit XX me kryevepra si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara” e dhjetëra filma e dokumentarë të tjerë. *Homazhet për Anagnostin do të mbahen të martën në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit përgjatë orarit 10:00-13:00 e më pas do të përcillet për në banesën e fundit. Amaneti i tij për familjarët ka qenë që të varroset në fshatin e lindjes, në Vuno të Himarës. *Për ndarjen e tij nga jeta pati reagime ngushëllimi nga politika dhe nga arti e intelektualë shqiptarë.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Mëngjesin e sotëm u bë i ditur lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të regjisorit të madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti i cili mbylli sytë për herë të fundit në moshën 89 vjeçare. *Me dhjetëra prodhime artistike, Anagnosti njihet si një ndër kineastët më të mirë shqiptarë të shekullit XX me kryevepra si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara” e dhjetëra filma e dokumentarë të tjerë. *Homazhet për Anagnostin do të mbahen të martën në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit përgjatë orarit 10:00-13:00 e më pas do të përcillet për në banesën e fundit. Amaneti i tij për familjarët ka qenë që të varroset në fshatin e lindjes, në Vuno të Himarës. *Për ndarjen e tij nga jeta pati reagime ngushëllimi nga politika dhe nga arti e intelektualë shqiptarë.

4 Postime
12 ORE ME PARE

Nesër përcillet në banesën e fundit, zbardhet amaneti i Anagnostit për vendin ku do të varroset

Kinematografia në zi, shuhet regjisori i madh Dhimitër Anagnosti! Arti

Dhimitër Anagnosti do të varroset në fshatin e tij të lindjes, në Vuno të Himarës. Ky ka qenë amaneti i tij për njerëzit e afërm para se të mbyllte sytë për herë të fundit në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Homazhet për regjisorin e njohur do të mbahen në të martën në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit përgjatë orarit 10:00-13:00. Më pas do të përcillet për në banesën e fundit.

Për ndarjen nga jeta të njërit prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, kanë reaguar edhe figura të larta të politikës shqiptare, figura të botës së artit dhe intelektualë të shquar si profesori Përparim Kabo. Ky i fundit në ngushëllimet e shprehura në rrjetin social e ka cilësuar si institucion më vete Anagnostin për kontributin që regjisori i njohur i dha artit dhe kulturës shqiptare.

"U shuajt fanari i madh i detit të filmit, filozofi ynë i pelikulës Dhimitër Anagnosti. Sa fat që ishim bashkëkohës me të dhe shijuam artin e tij.” Komisari i Dritës”, ” Dueli i Heshtur”, ” Plagë të Vjetra”, ” Në shtëpinë tonë”, “Malet me blerim mbuluar”, dhe më tej me kryevepra si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrall nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, ” Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka i biri i Abazit”. Mbeti skenar e më tej u kthye në roman një ngjarje shumë interesante titulluar: “Koburja nga Europa”.

Dhimitër Anagnosti ndërtonte figura filmike tejet organike, larg zbukurimeve si fiksion, kombinonte mrekullisht fizionominë dhe karakterin e artistit me tipologjinë dhe tiparet e personazhit. Filmi tij refuzoi deklarimet sepse ai si rrallë kush kombinoi imazhin me lojën, episodin, ngjarjet dhe tërësinë arkitektonike të filmit krejt organikisht.

U shuajt institucioni Dhimitër Anagnosti. Të përunjem me respekt për artin që na fale. Të falënderoj nga zemra për kohën e bisedave, telefonatave dhe mundësisë për një intervistim kur shkruajta shkrimin me titull: “Të faleminderit Anagnosti ynë”. Çfarë boshllëku po lë pas ” Felini” ynë. Deti Jonë nga sot do jetë i trishtuar, malet e jugut diçka do të murmurisin me erën, ullinjtë do të heshtin këtë vjeshtë.

Ndofta tani si shpirt engjëllor, brigjeve të tjera deteve të eterit, sheh gjemitë e Anagnostëve që u nisën deteve dhe s’u kthyen më. Sa e dhimbshme do të jetë që tani e tutje për Rozën, trëndafilin tënd të jetës që nga viti 1965 që e shihnim pranë jush, do e takojmë pa Ty,  i paharruari, filozofi i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti.

Me lotë në sy të themi qofsh me dritën e pasosur! Panteoni i të Mëdhenjëve ju pret asaj bote të paqtë! MIRENJOHJE, MIRENJOHJE, MIRENJOHJE!", shkroi Kabo.

Aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj e përshkroi Anagnostin si “mjeshtër i ndërtimit të karaktereve shqiptare” duke thënë se  kinemaja do të jetë e varfër pa të.

“Lamtumirë "diktatori i së bukuŕës",

maja e arritjeve artistike të ekranit shqiptar!Lamtumirë mjeshtri i ndërtimit të karaktereve shqiptare! Nuk ka më Anagnost ekrani, nuk ka një të dytë si ai! Shqipëria  sot ka pësuar një humbje të madhe, sa e varfër kinemaja pa ty Anagnost! Sa të pasur na e ke lënë  dijen për jetën shqiptare! Ngushëllime Roza, Juna, Era!"- shkroi Mevlan Shanaj. Versus.al

16 ORE ME PARE

“Lamtumirë Barba Taqo”, Rama shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Anagnostit: E njoha kur isha i vogël

Kinematografia në zi, shuhet regjisori i madh Dhimitër Anagnosti! Arti
Dhimitër Anagnosti dhe Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti i cili mbylli sytë për herë të fundit në moshën 89 vjeçare.

Me anë të një shkrimi në rrjetet sociale, duke e quajtur “Barba Taqo”, Rama thekson se kineastin e kishte njohur që kur kryeministri ishte në moshë të vogël.

“Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjizori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult “Lulëkuqe mbi mure” që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart. Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master”- shkruan kreu i qeverisë në postimin e bërë. Versus.al

17 ORE ME PARE

Profil/ “Lulëkuqet mbi mure” e “Përrallë nga e kaluara”, veprat artistike dhe karriera e Dhimitër Anagnostit

Kinematografia në zi, shuhet regjisori i madh Dhimitër Anagnosti! Arti

Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm u nda nga jeta në moshën 89 vjeçare kineasti i njohur, Dhimitër Anagnosti i cili ishte vlerësuar si një prej regjisorëve shqiptarë më të rëndësishëm. Ai la gjurmë me filmat e tij të cilët janë ndër të paktit që paraqesin interes nga ana artistike. 

Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno të Himarës më 23 janar 1936. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 - 1960 ndoqi Institutin Kinematografik "VGIK" të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin "Njeriu kurrë nuk vdes", një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Filloi punë si operator në Kinostudion "Shqipëria e re" në 1961, me filmin "Debatik" (1961) e më pas me filmin "Toka jonë" (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra "Gurët dekorativë". Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, "Komisari i dritës" dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin "Dueli i heshtur". 

Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti ishte njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze u nderua me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjeti të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin u zgjodh edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. 

Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën "Fan Noli", duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme "Nata e trokitjeve në xham". Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit "Gjoleka, djali i Abazit", film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Veprat artistike:

Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Përrallë nga e kaluara (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Kujtime nga Gjirokastra (1983)
Vëllezër dhe shokë (1982)
Në shtëpinë tonë (1979)
Monumenti (1977)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Kur hiqen maskat (1975)
Cuca e maleve (1974)
Përjetësi (1974)
Motive nga dita e diel (1973)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Parafabrikatet (1970)
Plagë të vjetra (1968)
Duel i heshtur (1967)
Komisari i dritës (1966)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961). Versus.al

18 ORE ME PARE

Arti shqiptar në zi, ndahet nga jeta regjisori Dhimitër Anagnosti

Kinematografia në zi, shuhet regjisori i madh Dhimitër Anagnosti! Arti
I ndjeri, Dhimitër Anagnosti

Ka ndërruar jetë në moshën 89 vjeçare regjisori i njohur i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur e bija, Juna Anagnosti përmes një postimi në rrjetet sociale.

"Lamtumirë Dhimitër Anagnosti Ndërron jetë regjisori i madh Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!"- shkroi ajo.

Homazhet për kineastin e njohur do të mbahen të martën nga ora 10:00 deri në 13:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. 

Anagnosti lindi më 23 janar të 1936-ës në Vuno të Himarës. Ai cilësohet si një prej mjeshtrave më të mëdhenj të ekranit shqiptar duke lënë gjurmë të forta në kujtesën kolektive me filma si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit", dhe 11 filma të tjerë. 

Anagnosti njihet edhe si skenarist dhe autor librash. Ndërsa gjatë karrierës së tij ka shërbyer edhe si ministër i kulturës në vitet 1992 deri në 1994 kur dha dorëheqjen. Gjatë kësaj kohe ishte zgjedhur si deputet i PD në Kuvend përgjatë viteve 1991-1996. Versus.al

Poll