Live Updates /

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare kolosi Ismail Kadare! Dy ditë zi kombëtare

*Shkrimtari i madh shqiptar me famë ndërkombëtare, u ndërroi jetë sot në moshën 88 vjeçare në banesën e tij në Tiranë. Familjarët e gjetën të pajetë kolosin e letrave shqipe dhe pavarësisht transportimit të tij në urgjencë, asgjë nuk mund të bëhej për ta rikthyer në jetë. *Kadare arriti në majat e letërsisë botërore, duke bërë që librat e tij të përktheheshin në 45 gjuhë të ndryshme të botës. *Për ndarjen nga jeta të Kadaresë, reaguan drejtuesit e shtetit si dhe media të huaja duke e cilësuar si “shkrimtari që sfidoi diktaturën e Enver Hoxhës”. * Reagon e trishtuar soprania Inva Mula: “Lamtumirë mjeshtër! Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq sa nuk po zgjohemi vallë?” * Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare. Kurti shkruan në postimin e tij se Kadare mbylli sytë për përgjithmonë por sytë tanë do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë.

Shkruar nga B.V

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Shkrimtari i madh shqiptar me famë ndërkombëtare, u ndërroi jetë sot në moshën 88 vjeçare në banesën e tij në Tiranë. Familjarët e gjetën të pajetë kolosin e letrave shqipe dhe pavarësisht transportimit të tij në urgjencë, asgjë nuk mund të bëhej për ta rikthyer në jetë. *Kadare arriti në majat e letërsisë botërore, duke bërë që librat e tij të përktheheshin në 45 gjuhë të ndryshme të botës. *Për ndarjen nga jeta të Kadaresë, reaguan drejtuesit e shtetit si dhe media të huaja duke e cilësuar si “shkrimtari që sfidoi diktaturën e Enver Hoxhës”. * Reagon e trishtuar soprania Inva Mula: “Lamtumirë mjeshtër! Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq sa nuk po zgjohemi vallë?” * Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare. Kurti shkruan në postimin e tij se Kadare mbylli sytë për përgjithmonë por sytë tanë do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë.

12 Postime
8 MUAJ ME PARE

Rexhep Qosja: "Polemikat mes meje e Kadaresë nga nderimi e dashuria..."

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare

Një ndër akademikët më të njohur në trojet shqiptare ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare. Akademiku Rexhep Qosja përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se vepra e Kadaresë është e pavdekshme dhe do i rezistojë historisë.

Qosja shkruan gjithashtu se ata që e kritikojnë Kadarenë për largimin e tij nga Shqipëria, duhet ta respektojnë zgjedhjen e tij, pasi sipas tij, frytet e kësaj shpërnguljeje do i shohim në kulturën tonë kombëtare.

Reagimi i Qoses:

Të hënën, më 1 korrik, u nda nga jeta intelektuali dhe krijuesi Ismail Kadare. U shpreh ngushëllimet më të thella bashkëshortes së tij shumë të nderuar e të dashur, shkrimtares Helena Kadare, bijave të tij Gresa dhe Besiana dhe të gjithë familjarëve të tjerë të familjes Kadare.

U shpreh ngushëllimet më të thella edhe miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe lexuesve të tij të shumtë.

Ismail Kadare dhe unë kemi pasur takime kur e kur edhe familjare, bashkëbisedime, vlerësime e nderime të ndërsjella.

Mirëkuptimi dhe nderimi i ndërsjellë mes Ismail Kadaresë dhe meje në masë të madhe do të bazohej në qëndrimin tim ndaj tij kur ai do të shpërngulej prej Tiranës në Paris.

Mospajtuesve që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej Atdheut unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare.

Ismail Kadare dhe unë kohë pas kohe kemi shkruar për krijimtarinë e njëri tjetrit. Unë e kam propozuar përkthimin e romanit të tij “Kështjella” në gjuhën serbo-kroate dhe kam shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë.

Ismail Kadare, ndërkaq, e ka shkruar parathënien për romanin tim “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, të botuar në Paris.

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare

Por, mes Ismail Kadaresë dhe meje kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike si pasojë e pikëpamjeve tona të ndryshme për cështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi.

Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin.

Familjarët e Ismail Kadaresë dhe të pikëlluarit e tjerë i ngushëlloj me besimin se ndarja e Ismail Kadaresë nga jeta është vetëm një ndarje trupore.

Emri i tij dhe jetëshkrimi i tij janë të gjithmonshëm, sepse janë emër dhe jetëshkrim të pavdekshëm, janë historikë.

E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë: proza letrare, shkrimet publicistike, trajtesat historiko letrare dhe kritike e eseistike. Të gjitha këto – emri Ismail Kadare, jetëshkrimi i tij, krijimtaria mendore, veprimtaria kulturore, shoqërore, etike dhe kombëtare në përgjithësi përbëjnë vlerën e madhe kulturore shqiptare. Në sajë të tyre Ismail Kadare në të përtashmen dhe në të gjithë të ardhmen do të jetë personalitet madhështor historik i Kombit Shqiptar, të cilit do t’ia dhurojnë ndjenjat e tyre, mendimet e tyre, përkushtimet e tyre të gjithë brezat e shqiptarëve pavarësisht ku do të jetojnë ata." - përfundon mesazhin e tij akademiku Rexhep Qosja. 

 

 

8 MUAJ ME PARE

Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, qeveria shpall dy ditë zie

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare

Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare ka bërë që qeveria të shpallë dy ditë zie, për ta nderuar atë.

Kështu datat 2 dhe 3 korrik janë shpallur Ditë Zie Kombëtare, në nderim dhe kujtim të shkrimtarit Ismail Kadare.

Flamuri do të ulet në gjysëm shtizë në këto dy ditë.

Ceremonia e lamtumirës pritet që të bëhet ditën e mërkurë në datën 3 korrik.

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare   Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare  

8 MUAJ ME PARE

Vargjet/ E bija i jep lamtumirën e fundit Ismail Kadaresë: I menduar gjer në ...

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare

E bija e Ismail Kadaresë, Besiana ka zgjedhur një poezi të ndjerë të të atit për të shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të babait të saj, kolosit të letrave në gjuhën shqipe.

Mes vargjeve të poezisë “Kohë e pamjaftueshme”, e bija e Kadaresë shpreh dhimbjen që ka kapluar familjen për të atin e saj.

Kohë e pamjaftueshme

S’kam kohë të harroj shumë gjëra

Që nga mendja ti nxjerr përjetë.

Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat

Do t’më duhen së paku dy vjet.

Dhe ndoshta po aq për Danten,

Për frëngjishten tok me plazhet po aq,

Ndoshta gratë do të jem duke fshirë

Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.

Si udhëtari me peshë të tepërt

Para avionit që niset pas pak

I ngarkuar rëndshëm ende

Do t’afrohem tek varri humbak.

Nga supet si ta heq këtë barrë?

Ku ta hedh këte peshë, si?

Me të s’mund të zbres atje poshtë

Por as lart dot s’e lë kurrsesi.

I menduar gjer në çast të fundit

Nga mosthënia, nga pengu tragjik,

Një shenjë ndoshta të pakuptueshme

Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.

Ismail Kadare

 

8 MUAJ ME PARE

Kur dhe ku do të mbahen homazhet për Ismail Kadarenë

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare

Mëngjesin e sotëm ndërroi jetë shkrimtari i madh Ismail Kadare. Homazhet për shkrimtarin do të mbahen ditën e mërkurë, rreth orës 11. Ceremonia do të kryhet nga Kryeministria.

"Homazhet janë marrë përsipër nga kryeministri, një figurë e tillë e madhe i përket kombit tonë.", tha pak më parë botuesi i Ismail Kadaresë, Bujar Hudhri.

Aktualisht trupi i Kadaresë ndodhet në ambientet e një agjencie funerale në kryeqytet.

Kjo është fotoja e fundit e Ismail Kadaresë te Juvenilja, ku shkonte përditë të pinte kafen dhe takonte njerëz. Atje ai piu dhe kafen e fundit.

8 MUAJ ME PARE

Albin Kurti: Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare. 

Kurti shkruan në postimin e tij se Kadare mbylli sytë për përgjithmonë por sytë tanë do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. 

Arti dhe kultura jonë shton më tek Kurti i kanë borxh të pamtshëm oqeanit të mendjes së tij dhe se anija e romave të Kadaresë do të lundrojë pafundisisht për aq sa bota do te ketë lexues dhe shqipja shqiptarë. 

Postimi i Albin Kurtit:

Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë. Ngushëllime të gjithëve.

8 MUAJ ME PARE

“Gjeniu botëror i letrave shqipe”, Berisha për ndarjen nga jeta të Kadaresë: Mbetet i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare
Ismail Kadare, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare. Duke e cilësuar si “gjeniun botëror të letrave shqipe”, Berisha shkruan se Kadare ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë me botën.

Nëpërmjet një shkrimi në facebook, Berisha shkruan se Kadare guxoi të shkruante kundër regjimit të Enver Hoxhës edhe atëherë kur me një varg mund të internoheshe apo burgoseshe.

“Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare.

Të dashur miq, sot mort, zi dhe dhimbje për mbarë kombin shqiptar. Ismail Kadare, gjeniu botëror i letrave shqipe, dhe njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbylli sytë përgjithmonë për të mbetur për jetë i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij.

Laureat i çmimeve me prestigjoze të letrave si Man Booker, Prince des Asturies, Jerusalem Prize, veprat e Ismail Kadares u përkthyen në rreth 45 gjuhë të botës.

Në kohërat më të errëta të regjimit hoxhist kur me një varg apo poezi mund të hapje varrin tënd, me gjithë konformizmin që kishte si alternativen me te mire burgun dhe internimin, Ismail Kadare arriti të dalë nga shtrati i Prokrustit me vepra si “Pallati i Ëndrrave” etj për të cilat regjimi e censuroi për vite të tëra. Në vitin ‘90 Ismail Kadare ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë. Ai pas largimit nga Shqipëria, nga mërgimi në Paris mbështeti Lëvizjen Studentore dhe Revolucionin Demokratik që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri.

Duke u përulur me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë para kujtimit dhe veprës të ndritur të Ismail Kadares, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar miqve, të afërmëve dhe lutem së bashku me ta që shiprti i madh i tij të prehet në paqen e merituar. Amin!”- shkruan Berisha. Versus.al

8 MUAJ ME PARE

Ndarja nga jeta Kadaresë, VOA: Ndodhej në banesë, u shemb në tokë papritmas

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare
Ismail Kadare

Shkrimtari Ismail Kadare ndërroi jetë mëngjesin e ditës së sotme pas një arresti kardiak që pësoi brenda banesës së tij në Tiranë. Zëri i Amerikës, shkruan se ngjarja ka ndodhur papritmas kur kolosi i letrave shqipe, u shemb në tokë pa ndenja.

Familjarët e tij njoftuan urgjencën por më kot, askush nuk mundi të bënte asgjë për ta risjellë në jetë shkrimtarin e madh.

Ndërsa mediat e huaja, “Associated Press” ka shkruar se një infermiere e spitalit të QSUT në kushte anonimiteti, tha se Kadare ishte dërguar në Urgjencë pasi kishte pësuar arrest kardiak.

“Redaktori i Shtëpisë Botuese Onufri Bujar Hudhri tha se autori i njohur vdiq të hënën në mëngjes. Një infermiere në spital, e cila foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte e autorizuar të fliste me shtypin, tha se ai u dërgua në dhomën e urgjencës pasi pësoi një arrest kardiak”, shkruan Associated Press. Versus.al

8 MUAJ ME PARE

Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, reagon e trishtuar Inva Mula: Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq...

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare

Sopranoja e njohur Inva Mula ka reagur për ndarjen nga jeta të gjigandit të letërsisë shqipe Ismail Kadare.

E trishtuar nga lajmi me poezinë  ‘Mall’ të Ismail Kadaresë Inva shkruan:

“Lamtumirë mjeshtër! Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq sa nuk po zgjohemi vallë?”

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare

Ismail Kadare ndërroi jetë  ditë e sotme, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

 

 

 

8 MUAJ ME PARE

“Nuk është gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më”, Rama reagon për ndarjen nga jeta të Kadaresë: U ngjit në piedestalin e përjetësisë

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare
Edi Rama, Ismail Kadare

Nëpërmjet një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ndarjes nga jeta të shkrimitarit të madh, Ismail Kadare.

Duke e cilësuar Kadarenë si "monumentin më të madh të kulturës shqiptare", Rama shkruan se kishte qenë vetë ai i cili i kishte shtuar dashurinë për gjuhën shqipe. 

Reagimi i plotë i Ramës:

Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij.

Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.

Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare - ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve...

Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!

Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pashaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtij urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë:

"Mendimin tuaj,

që ëndërron në trurin e butë,

si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,

do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;

gjersa të ngopem, idhnak e brutal."

Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më. Versus.al

8 MUAJ ME PARE

"Sfidoi diktaturën" reagime nga mediat e huaja dhe politika shqiptare për Kadarenë: Emancipuesi shpirtëror i shqiptarëve

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare

Mediat e huaja kanë reaguar për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare në moshën 88 vjeçare. Në artikullin e publikuar France 24 e cilëson Kadarenë si shkrimtarin, romanet e të cilit “sfiduan” diktaturën komuniste.

“Pavarësisht se u cilësua si tradhtar nga udhëheqësit komunistë të Shqipërisë kur ai dezertoi në Francë në vitin 1990, Kadare u akuzua nga disa se gëzonte një pozicion të privilegjuar nën Hoxhën, i cili e shkëputi vendin ballkanik nga pjesa tjetër e botës”- shkruhet në artikullin e medias franceze.

Reagime ka patur edhe nëpër media të tjera ndërkombëtare, të cilat po ashtu kanë theksuar qëndrimin e Ismail Kadaresë për një Shqipëri Europiane.

Gazeta france Le Monde shkruan: ishte romani i tij i parë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur – i botuar në vitin 1963 në Shqipëri dhe shtatë vjet më vonë në Francë nga Albin Michel – që i solli famë, duke e bërë menjëherë një nga shkrimtarët e rrallë shqiptarë të njohur ndërkombëtarisht. I përkthyer në më shumë se 45 gjuhë dhe fitues i çmimeve më të mëdha letrare (Man Booker, Prince of Asturias, Jerusalem Prize).

Media italiane Ansa.it shkruan: Ndërroi jetë sot nga një atak në zemër, shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare.

Yahoonews shkruan: Romancieri Ismail Kadare I cili ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare përdori stilolapsin e tij si një armë vjedhurazi për t'i mbijetuar diktatorit paranojak të Shqipërisë, Enver Hoxha.

Tregimi i tij i sofistikuar -- shpesh i krahasuar me atë të George Orëell ose Franz Kafka -- përdori metaforë dhe ironi për të zbuluar natyrën e tiranisë nën Hoxhën, i cili sundoi Shqipërinë nga viti 1946 deri në vdekjen e tij në 1985.

“Kohët e errëta sjellin surpriza të pakëndshme, por të bukura”, tha Kadare për AFP.

The Guardian shkruan: Ndahet nga jeta në moshën 88 vjeçare Ismail Kadare, gjiganti i letërsisë shqipe

Tregimet e tij alegorike, të informuara nga jeta nën komunizmin shtetëror, tërhoqën vlerësime ndërkombëtare, por ai këmbënguli se nuk ishte një shkrimtar politik.

Lajmi ka sjellë tristhim mes intelektualëve të vendit të cilët e cilësojnë ditën e sotme si ditë zie për gjithë vendin.

Ndërsa drejtuesit e shtetit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe presidenti Bajram Begaj e cilësuan Kadarenë si “shkrimtarin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave” dhe “emancipuesin shpirtëror’ të shqiptarëve.

“Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohrave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe.

Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”- shkruan Nikolla.

“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.

Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”- shprehet Begaj. Versus.al

8 MUAJ ME PARE

U shua në moshën 88 vjeçare, Ismail Kadare, kolosi që ngriti në piedestal letërsinë shqipe në botë

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare
Shkrimtari i madh, Ismail Kadare

Ismail Kadare ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 88 vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të papërsëritshme në fushën e letërsisë shqipe, europiane dhe jo vetëm.

Kadare lindi më 18 janar të vitit 1936 në Gjirokastër ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Më 1958 u diplomua në degën “Gjuhë Letërsi” në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë ku studio për 2 vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në vitet 1958-1960. Ai nisi të shkruajë proza që në rininë e hershme, duke e nisur fillimisht me poezi me të cilat u bë i njohur. Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista "Pionieri" në Tiranë. Në moshën 17 vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18 vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar Frymëzime djaloshare.

Emri i tij u njoh ndërkombëtarisht, që kur romani i tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u botua në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej nga diktatori Enver Hoxha.

Ismail Kadare, ka qenë edhe ish deputet i Kuvendit popullor në vitet (1970-1982). Pavarësisht se njihej për shkrimet e tij në prozë, ku u bë prozatori kryesor shqiptar, kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Para vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, Kadare, emigroi për në Francë, ku kërkoi azil politik në Paris. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005,[9] çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Deri më sot, veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer në 45 gjuhë të ndryshme, duke e bërë atë përfaqësuesin kryesor të letërsisë shqipe në sytë e botës.

Vitet ’70, suksesi ndërkombëtar

Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze Albin Michel botoi në frëngjisht romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë. Më tej iu rikthye prapë temave historike. Shkroi e botoi romanet Kështjella (1970) dhe Kronikë në gur (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës. Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, “Les Lettres albanaises”. Pas suksesit në Francë, e caktuan deputet dhe pas dy vitesh u anëtarësua në Partinë e Punës të Shqipërisë.

Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare u përball prapë me kritikat për shmangien e temave “aktuale”, prandaj mendoi të shkruante një roman me temë prishjen e Shqipërisë me vendet tjera komuniste në dimrin e viteve 1960-1961, që pastaj t’i kishte duart e lira t’i rikthehej historisë dhe legjendave shqiptare për të cilat kritikohej që e kishte lënë pas dore Shqipërinë e Re. Romanit i vuri titullin Dimri i vetmisë së madhe. Sapo doli në fillim të vitit 1973, në sajë të kritikave, u përpunua dhe u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar Dimri i madh dhe u përkthye edhe në frëngjisht.

Pasi jetoi për disa vite në Paris, Kadare u kthye në Shqipëri, ku së fundmi në tetor të vitit të kaluar u nderua edhe nga presisdenti francez Emanuel Macron me titullin e “Legjionit të Nderit” të Francës. Kadare ka kandiduar për të marrë çminin “Nobel” në letërsi 15 herë, por fatkeqësisht nuk e fitoi. Pavarësisht kësaj, ndër vite ai është renditur si pretendentët më kryesorë. 

Lista me 10 librat më të lexuar të Ismail Kadaresë gjatë gjithë vepritmarisë së tij letrare:

“Pallati i ëndrrave”

Pallati i Ëndrrave” është një nga romanet thelbësore të Ismail Kadaresë, me frymën e epikës, të cilën letërsia europiane e ka listuar mes veprave më të mira. Kjo vepër ka qenë nxitje që Kadare të përfshihet në listën e kandidaturave për çmimin “Nobel”. Ai do ta meritonte atë çmim edhe sikur të kishte shkruar vetëm “Pallati i Ëndrrave”, si hipotezë mbi historinë e vërtetë të viktimave të vrasjeve të mëdha ose mbi atë pagjumësi kolektive që perandoria otomane nuk mund të tolerojë. Si e tillë, ajo sot vazhdon të lexohet me ëndje dhe rrok një numër të madh interpretimesh nga lexuesit e ditëve tona.

“Kronikë në gur”

Ky roman shënon një nga veprat më të rëndësishme të autorit; sepse rrok raportin që fëmija krijon me botën, përmes një projeksioni autobiografik, ku qyteti i Gjirokastrës ka ngjyra magjike, të cilat vijnë mjeshtrisht në romanin e Kadaresë. “Kronikë në gur” afirmohet menjëherë si vepër thelbësore në kuadrin e krejt krijimtarisë së Kadaresë. Është roman i hyrjes në jetë dhe në letërsi. Tregimtari është autori, që përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës tetë vitet e para të jetës së tij. Që nga kjo fëmijëri e kanë zanafillën elementet që përbëjnë “universin Kadare“. Ai fiton sensin e tij të mprehtë të fantastikes, apo të “realizmit magjik”.

“Prilli i thyer”

Duke lexuar “Prillin e thyer” kuptohet lehtësisht përse dhe me çfarë force Ismail Kadare është pasionuar për tragjedinë dhe për dy përfaqësuesit më të shquar të saj, Shekspirin dhe Eskilin. “Miku, besa dhe gjakmarrja janë rrotat e mekanizmit të tragjedisë antike, dhe të futesh në mekanizmin e tyre është të shikosh mundësinë e tragjedisë”. I shkruar më 1978 dhe i botuar fillimisht më 1980 në një përmbledhje tregimesh e novelash, të titulluar “Gjakftohtësia”, “Prilli i thyer” e pa dritën e botimit si libër më vete shumë vite më pas, pas rënies së komunizmit. I vetmi roman në qendër të të cilit shtjellohen ngjarje që lidhen me kodin zakonor shqiptar, një nga shenjat identifikuese më të moçme e të dallueshme të kombit, kjo vepër është një ndër më të njohurat e Kadaresë në planin botëror.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

Është romani i parë modernist i shkruar gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX në Shqipëri. Kjo vepër e bëri njëherësh të njohur autorin dhe letërsinë shqipe në të gjithë botën dhe konsiderohet si vepra më e përkthyer në gjuhët e ndryshme të botës. Romani zhvillohet rreth një gjenerali italian, i cili është dërguar në Shqipëri për të gjetur eshtrat e ushtarëve të rënë italian gjatë kohës të pushtimit të Shqipërisë. Detyra kryesore e gjeneralit është kërkimi dhe gjetja e eshtrave të një koloneli, i cili u zhduk pa gjurmë në një fshat të vogël shqiptar.

“Kështjella”

Në romanin “Kështjella” Ismail Kadare kthen sytë nga mesjeta shqiptare. Në dukje i distancuar dhe i paanshëm, ai rrok veprimet për rrethimin e një kështjelle shqiptare nga një ushtri turke prej shtatëdhjetë mijë vetash në formën e një romani historik. Rrëfimi bëhet nga perspektiva e rrethuesve osmanë, çadrat e bardha të të cilëve e kanë kthyer mjedisin përreth kështjellës në një peizazh dimëror.

“Dimri i vetmisë së madhe”

Ky nuk është një roman politik i koniukturave, që tregon se si u zunë binjakët politikë, shoku Enver me shokun Nikita, por një analizë psikologjike e gjendjes së shqërisë gjatë periudhës totalitare, tepër e ngjashme me problemet tona. Ky roman provon se fuqia rrafshuese e realizmit socialist është e pamjaftueshme përpara një talenti, siç është shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.

“Ura me tri harqe”

Në qendër të librit  gjendet një baladë, dhe ishte më e urtë të përqendrohej vëmendja mbi ndërtimin e ngrehinës e shfaqjen e njëkohshme të legjendës. Për t’ia arritur këtij qëllimi, Ismail Kadareja zgjedh tonin e kronikës dhe vë në punë një rrëfimtar të veçantë, murgun Gjon. Nën zhgunin e tij është fshehur një personazh i vërtetë.

“Aksidenti”

Në një pasdite kryeqytetase, personazhi i këtij romani i propozon gruas së hijshme të porsanjohur diçka që do të dukej e papërfytyrueshme disa vite më parë, gjatë kohë së komunizmit: një udhëtim fundjavor në një qytet të Europës. Kështu ka filluar ngjarja e përshkruar në romanin “Aksidenti”, e para vepër e autorit që, përpara se të botohej në shqip, është përkthyer e botuar ndërkaq në disa vende të Europës.

“Kristal”

Botimi i librit poetik “Ca pika shiu ranë mbi qelq” të Kadaresë, zgjoi një interes të madh te lexuesi shqiptar. Në përgjigje të kërkesave të shumta të fansave të poezisë, shtëpia botuese “Onufri” po i jep lexuesit një tjetër përmbledhje të poetit, këtë herë me 60 poezi dhe poema të zgjedhura, asnjëra prej të cilave nuk përfshihet në librin e mëparshëm. Ansambli prej njëqind poezish që përmbajnë këto dy libra, përfaqëson pjesën më të mirë të krejt krijimtarisë poetike gati gjysmëshekullore të Kadaresë.

“Mosmarrëveshja”

Harmonia me Europën e Bashkuar do të ishte pjesë e harmonisë ndërshqiptare. E për t’iu kthyer motivit nismëtar të kësaj sprove, mosmarrëveshja e mundshme mes Europës dhe Shqipërisë, do të ishte në thelb mosmarrëveshje me vetveten. Harmonia me Europën e Bashkuar do të ishte pjesë e harmonisë ndërshqiptare. E për t’iu kthyer motivit nismëtar të kësaj sprove, mosmarrëveshja e mundshme mes Europës dhe Shqipërisë, do të ishte në thelb mosmarrëveshje me vetveten. Shqiptarët me shenjat e tyre, flamurin dhe himnin, do të aviteshin me drojë te sheshi i kombeve, përballë flamurit dhe himnit të Europës, muzikës së Bethovenit dhe fjalëve të Schiller-it për vëllazërimin e popujve, me tagrin për të dhënë zërin dhe arsyet e Shqipërisë.

8 MUAJ ME PARE

Ndërron jetë kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare

Letërsia shqiptare në zi! Shuhet në moshën 88 vjeçare

Shkrimtari i madh, Ismail Kadare ka ndërruar jetë mëngjesin e ditës së sotme.

Mësohet se kolosi i letrave shqipe, është gjetur i pajetë nga familjarët e tij në orët e para të mëngjesit brenda banesës në Tiranë. Familjarët e tij më pas lajmëruan urgjencën, por asgjë nuk mund të bëhej për ta rikthyer në jetë.

Pas pandemisë së Covid-19, Kadare u kthye në Shqipëri për të jetuar. Shpeshherë i krahasuar me Fishtën dhe Konicën, Kadare renditet ndër ikonat e letërsisë shqipe. Ai fitoi shumë çmime ndërkombëtare dhe librat e tij u përkthyen në gjuhë të ndryshme të botës. Në tetor të vitit të kaluar, Kadare u nderua nga Macron pasi ky i fundit i dorëzoi “Urdhrin e Lartë të Legjionit të Nderit”.

Shpesh emri i tij u përfol për si një ndër konkurentët për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsinë. Në vitin 2005 fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Booker” ndërkohë ishte kandidat pretendent edhe për vitin 2024 me librin “Kur sunduesit grinden” i cili u vlerësua si një “meditim letrar magjepsës mbi Rusinë Sovjetike, autoritarizmin, strukturat e pushtetit në një periudhë shkrimtarësh të mëdhenj”. Versus.al

Poll