Çfarë do të gjeni në brendësi
*Seanca e sotme plenare nisi me interpelancën e kërkuar nga PD me kryeministrin Edi Rama sa i takon skandalit të transportit të mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit drejt vendeve aziatike. *Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi parashtroi pretendimet e tij në interpelancë, duke deklaruar se qeveria nuk ka bërë asnjë transparencë lidhur me raportet e organizatave ndërkombëtare sa i takon mbetjeve toksike që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve shqiptarë nëse kthehen sërish në vend. *Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij duke i cilësuar si “akuza malinje” që përhapin panik tek qytetarët deklaratat e opozitës sa i takon mbetjeve toksike. Kreu i qeverisë tha se lidhur me këto akuza, edhe organizatat ndërkombëtare shprehen se ka vetëm dyshime dhe jo fakte lidhur me këtë transport. Ai shtoi se nuk ka asnjë provë se mbetje të tilla janë të rrezikshme duke theksuar se edhe në një rast të tillë, transporti i tyre nuk është i paligjshëm. *Bardhi kërkoi përgjigjie nga Rama lidhur me masat që qeveria ka marrë për të parandaluar prodhimin e këtyre mbetjeve të rrezikshme nga kompanitë që kanë veprimtarinë këtu. *Interpelanca vijoi me mesazhe të përmendura nga Bardhi të zbardhura nga aplikacioni “Sky ecc” ku eksponentë të krimit komunikojnë për të caktuar drejtorin aktual në krye të policisë vendore të Shkodrës. Më pas debate denigroi ku pati fyerje dhe fjalor të papërshtatshëm nga ana e kryeministrit drejtuar deputetëve të PD. Me të mbyllur fjalën e tij, Rama u largua nga Kuvendi me arsyetimin se do të takohej me presidentin izraelit. *Seanca vijoi me interpelancën e kërkuar nga deputetja Elda Hoti me zv.kryeministren Belinda Balluku duke i kërkuar kësaj të fundit llogari për mungesën e hyrjeve dhe daljeve në autostradën Thumanë-Kashar për banorët e zonës. *Homazhet e opozitës për Azem Hajdarin ndërprenë seancën që rinisi më pas në orën 13:15. Diskutimet vijuan lidhur me projektligjin e qeverisë për Ligin e Mjekëve.
Interpelanca për Thumanë-Kashar, Balluku në Kuvend: Nyje e re në hyrje, hapim provizorisht mbikalimin e Gramzës

Protestat e vazhdueshme të banorëve që jetojnë përgjatë aksit të sapondërtuar Thumanë-Kashar, kanë qenë sot objekt i një interperlance urgjente me ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, kërkuar nga deputetja demokrate Elda Hoti.
Kjo e fundit në fjalën e saj hyrëse ka kërkuar shpjegime nga ministrja se pse ky aks nuk ka të zbatuar 4 nyjet e parashikuara në projektin fillestar, duke lënë të izoluar mijëra banorë të zonës të cilët kërkojnë vazhdimisht akses në autostradë. Projekti i cili daton që në 2018-n, por më pas u pezullua pasi fondet u destinuan për ‘Paktin me Studentët’, sipas Hotit është devijuar disa herë për shkak të favorizimit të oligarkut ndërtues. Po sipas deputetes demokrate, dhe dhënia me koncesion duhet të tenderohej dhe se favorizimi i oligarkëve do t’u kushtojë qytetarëve shqiptarë rreth 1.3 miliardë dollarë për 35 vite. Autostrada Thumanë-Kashar është ndërtuar nga Gener 2.
Ndërkohë ministrja Balluku tha se ky segment rrugor që i përket Korridorit Blu është ndërtuar sipas parametrave të kategorisë A, shembull për tu marrë për të gjitha autostradat në vazhdim, duke deklaruar gjithashtu se projekti i këtij aksi ka pasur 2 nyje, ndërsa projektstudimi 3 të tilla.
Gjithsesi Balluku u shpreh se, do të ketë një nyje dedikuar në hyrje të Thumanës dhe se janë në prag të firmosjes së kontratës. Gjithashtu ajo theksoi se për banorët të cilët kërkojnë hyrje-dalje në autostradë për të komunikuar në zonë do të vihet në dispozicion mbikalimi i Gramzës:
“Dy nyjet e Kasharit janë të ndërtuara, hyrja e Rinasit dhe Kasharit. Ajo nyje që do zgjidhë përfundimisht problemin e Thumanës, është nyja që ndodhet si pjesë e projektit që do vazhdojë nga Thumana në Milot. Është vetëm 4 km larg nga mbikalimi në Gramëz. Ky i fundit për ti dhënë një zgjidhje provizore. Kemi rënë dakord me banorët e Thumanës që mund ta konsiderojmë që të hapim mbikalimin e Gramzës dhe ndoshta në të ardhmen ta kthejmë në nyje permanente”, tha Balluku.
Sipas Ballukut Shqipëria ka qenë e izoluar për shumë vite nga regjimi komunist duke mbetur jashtë Korridoreve europiane.
"Na është dashur një punë shumë e madhe me Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian për të përfshirë në Korridorin Blu aty ku bën pjesë Thumanë-Kashar dhe Korridorin e Tetë si pjesë integrale të korridoreve Paneuropiane. Është dashur një punë nga të gjithë deputetet socialist dhe nga të gjitha ministrat të cilët nuk kanë lënë rast pa kërkuar që Shqipëria të ishte pjesë e këtyre Korridore sepse nuk ka të bëjë thjesht me infrastrukturën por ka të bëjë me lëvizjen e lirë të mallrave, me zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendeve.
Kështu sot Korridori Blu i cili lidh Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë kalon tejpërtej Shqipërinë. Dhe ne tashmë kemi segmentin e parë prej shumë kilometrash që është ai Thumanë -Kashar që është një segment i ndërtuar sipas parametrave të kategorisë A dhe që do të jetë një shembull për tu marë për të gjitha autostradat në vazhdim. Ju e dinë që ne tashmë i kemi mbyllur garat për segmentet e tjera ashtu siç është segmenti që vijon nga Thumana në Milot ashtu siç do të jetë ai Milot -Balldrenit që mezi e presin shkodranët dhe lezhjanët dhe padyshim të gjithë segmented e jugut.
Segmenti totalisht i ri i cili fillon nga Kashari dhe përfundon në rreth rrotullimin e Rrogozhinës në Lekaj dhe nga Lekaj deri në bypassin e Fierit duke e përshkruar Shqipërinë nga veriu deri në jug në ultësirën perëndimore me një Korridor të kategorisë A. Sigurisht kur ndërtojmë autostrada të këtij niveli ka dhe një problematikë që u lind komuniteteve, pasi këto autostrada kërkojnë që të kene kushte sigurie të larta që të certifikohen në kategorinë A", tha ministrja Balluku. Versus.al
VIDEO/ Shtyu gazetaren shtatzënë që e pyeti për listat e hapura, reagon Pandeli Majko
Deputeti socialist Pandeli Majko ka kërkuar ndjesë për episodin e ndodhur mëngesin e sotëm jashtë ambienteve të Kuvendit ku shtyu gazetarët për pyetjen që këta të fundit i bënë lidhur me listat e hapura.
Ai u shpreh se ndihej i keqardhur për shtyrjen e mikrofonave dhe ofroi ndjesë të veçantë ndaj gazetares që ishte shtatzënë.
“Kërkoj një ndjesë karshi gazetarëve për shtyrjen e mikrofonëve sot në mëngjes. Në vecanti ndjesën më të veçantë ia ofroj gazetares që ka qenë shtatzanë”- u shpreh Majko gjatë seancës plenare.
Rasti u ngrit si shqetësim edhe nga deputetet opozitare, Jorida Tabaku dhe Ina Zhupa të cilat i kërkuan reagim kryeparlamentares Elisa Spiropali. Versus.al
“Ku do të shkojnë mbetjet që po kthehen në Shqipëri?”, Bardhi i kërkon llogari qeverisë në Kuvend
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi pas disa debateve me kryeministrin Rama i ka kërkuar të përgjigjet se ku do të përfundojnë mbetjet të cilat janë kthyer mbrapsht nga Tajlanda për shkak të rrezikshmërisë së tyre.
“Sipas të dhënave zyrtare prokuroria rezulton se vetëm kësaj kompanie i është dhënë licenca në 2022 dhe bën eksport të mbetjeve të rrezikshme. Ku kanë shkuar 800 ton që po kthehen nga Tajlanda dhe do të vijnë në Portin e Durrësit sepse nuk ke përgjigje për pyetjen tjetër: Ku do i çosh dhe ku do i përpunosh, apo do bësh siç ke bërë me krimin e organizuar që ti rregullojnë ata këto punë. Nuk lejohet të bësh transport eksport të mbetjeve të rrezikshme nëse nuk ke marrë leje nga vendi pritës dhe ju nuk kishit leje. Çdo kompani që merr përsipër të eksportojë mbetje duhet të marrë konfirmim dhe autorizim nga ministria. Po këta, kush i kontrollon këta? Kanë shpallur pavarësinë këta brenda pavarësisë së shtetit. Ndaj ka institucione që kontrollojnë, çfarë masash dhe kontrollesh keni marrë ndaj Kurum. Po ndaj ‘Sokolaj’ çfarë masash janë marrë dhe nëse nuk dini çfarë duhet të bëni, ikni nga ai vend sepse nuk dini ta bëni punën. Çdo qytetar do luftën ndaj krimit të organizuar. Ligjërisht keni përgjegjësinë të dini se çfarë hyn dhe del në Portin e Durrësit. Është port i sigurisë së lartë, është port i një vendi anëtar të NATOS dhe nuk ngarkon dhe shkarkon gjithkush se çfarë do”, tha Bardhi./ Versus.al
“Kishe denoncuar Noc Rrokun, jo Olsin”, Rama-Bardhit dhe opozitës: Më nxorët mallin e Lulit, mbani në gojë ekspertizën
Kryeministri Edi Rama pati një mënyrë të ashpër të të drejtuarit ndaj deputetëve të opozitës duke i akuzuar këta të fundit se marrin deklaratat e Sali Berishës nga kati i banesës ku është në arrest dhe më pas i thonë në Kuvend.
Rama e ktheu interpelancën në një shkëmbim replikash me kreun e grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi i cili i përmendi kryeministrit sërish komunikimet e bandave kriminale të Shkodrës ku përmendej emri i drejtorit aktual të policisë vendore si i preferuari i tyre.
Pjesë nga replikat mes Ramës dhe Bardhit:
Rama: Nuk e di a ju ndodh edhe ju e njëjta gjë, por mua më doli malli i të shkretit Lul, tutorit të kësaj figure që foli. Ata që e ndoqën e parë ku është dallimi ynë që flasim me fakte dhe këtyre që nuk dinë çfarë flasin. Këto mallra me këto emra nuk konsiderohen mbetje të rrezikshme. E dëgjuat reagimin e të reaguarit e konfuzuar në ekspertizën e tij. Problemin më të madh e ka ai në katin e 8 që nuk ngeli balerinë pa i shkuar te krevati duke I thënë më lër mua ta tunde belin për ty. Ti u the shqiptarëve se kishte kallëzuar në SPAK Olsi Ramën por kishte kallëzuar vetëm Noc Rrokun. Mirë e bëre sepse ndryshe do kishe marrë….. Kokën lart gojën hapur me ekspertizën në gojë ejani dhe pështyni këtu dhe përfundimin nga shqiptarët vitin e ardhshëm do e keni akoma më të keq se në 1997-ën.
Bardhi: O shoku Mondi pse u bëre nervoz, ne mund të jemi edhe me kokën lart edhe me kokën poshtë por të ulur në gjunjë duke iu lëpirë krimit të organizuar, nuk jemi ne. Më flet ti mua për konfliktin brenda PD?
Me këtë përballje të fundit mes Bardhit dhe Ramës u mbyll interpelanca e kërkuar nga PD lidhur me skandalin e transportit të mbetjeve, gjë për të cilën kryeministri tha se po kryhen hetimet e nevojshme dhe se mbetjet toksike për të cilat flitet se rrezikojnë shëndetin e banorëve, nuk janë të rrezikshme. Versus.al
“O vëlla, Mondi na duhet një dimër atje”, Bardhi i lexon Ramës komunikimet e bandave për drejtorin e ri të policisë së Shkodrës
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi hodhi sot akuza të forta në Kuvend lidhur me drejtorin e policisë vendore të Shkodrës, duke përmendur disa komunikime të zbardhura në “sky ecc” mes bandave kriminale ku emri i Edmond Sulajt përmendet mes tyre si i domosdoshëm për të qenë në krye.
Për këtë fakt, Bardhi iu kthye Ramës duke e akuzuar si të lidhur me krimin e organizuar.
“E dija që ishte ekspert i inceneratorëve por që je edhe ekspert i mbetjeve të rrezikshme, këtë nuk ma merrte mendja. Rai të akuzoi që je i lidhur me krimin e organizuar, tani po të pyes sesi ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës. Kodi Pin i sky ecc, “o vlla s’ka llafe për atë mikun tënd ministër të brendshëm, përgjigjet ky tjetri: po por kam frikë se nuk e bën. Ndërhyn prapë tjetri ‘Mua mondi më duhet aty vëlla”, Mondi është drejtori aktual i policisë në Shkodër. Vjen ti këtu dhe akuzon opozitën. Për çfarë? Se të thotë ty se je i lidhur me krimin e organizuar? Ky nuk di asgjë, këtij i hanë të tjerët dardha pas shpine, fajin ia ka opozita se e baltos me akuza kriminale ndaj tij”- u shpreh Bardhi.
Për këtë pretendim, Bardhi tha se do të publikojë fakte të tjera në vazhdim të cilat sipas tij dëshmojnë se bandat kriminale të Shkodrës kanë ndikuar në emërimin e drejtorit të policisë vendore. Versus.al
“Shqipëria e përfshirë në tregti mbetjesh toksike”, Rama i përgjigjet Bardhit: Akuza malinje! S’ka prova, vetëm dyshime

Në seancën plenare të Kuvendit nisi interpelanca e kërkuar nga PD me kryeministrin Edi Rama lidhur me pretendimin e tyre se Shqipëria është kthyer në një vend të tregtisë ilegale të mbetjeve toksike.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi parashtroi pretendimet e tij mbi transportin e mbetjeve toksike nga Shqipëria drejt vendeve të Azisë. Bardhi tha se qytetarët shqiptarë janë të shqetësuar për shkak se ka lajme se në Shqipëri do të kthehet sasia prej 1600 ton mbetjesh helmuese të dëmshme për shëndetin e tyre.
Këtyre pretendimeve kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke thënë se për rastin po kryhen ende hetime dhe nuk ka prova që e faktojnë një dyshim të tillë. Ai i cilësoi deklarata të tilla si ‘absurde’ dhe “akuza malinje” nga ana e PD.
Pjesë nga parashtrimi i Bardhit dhe përgjigjia e Ramës në Kuvend:
Gazment Bardhi: Nuk pati kurajo të vinte në 4 interpelanca të tjera që kishim kërkuar. Me Elisa Spiropalin atje sipër i duket vetja Skënderbe dhe ka ardhur në interpelancë për një çështje që duhet ta kishte sqaruar pa qenë nevoja të kërkojmë ne interpelancë.
Më 8 gusht 2024 3 organizata ndërkombëtare denoncuan se 2 anije të nisura nga Porti i Durrësit po transportonin lëndë të rrezikshme drejt Tajlandës pa marrë ndonjë konfirmim nga ky vend. Kur qeveria mësoi për mbetjet toksike refuzoi t’i pranonte në Tajlandë. Mbetjet përmbajnë okside metalike toksike të dëmshme që kërkon trajtim të kushtueshëm dhe për këtë arsye kompanitë që e prodhojnë e transportojnë për shkak se përpunimi i tyre kërkon shpenzime marramendëse.
2 anije me 816 ton mbetje po kthehen në portin e Durrësit. Porti i Durrësit jo vetëm në këtë rast por edhe në raste të tjera është shfrytëzuar për të nxjerrë mbetje helmuese drejt vendeve aziatike. Nga Porti i Durrësit prej muajsh është transportuar një pluhur helmues që del nga oxhaqet e fabrikave të firmës Sokolaj SHPK dhe mbetjet kanë të bëjnë me kompaninë e Kurum në Elbasan.
Ka patur reagime kontradiktore të disa institucioneve përgjegjëse, përfshirë ministritë. Ka dyshime se Shqipëria ka shkelur konventën e Bazelit që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme. Ngrihen dyshime se Shqipëria është përfshirë në një tregti ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme. Rezulton se në Shqipëri do kthehet një sasi prej 1600 ton mbetjesh helmuese që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, për këtë arsye kemi thirrur në interpelancë kryeministrin për të sqaruar lidhur me këtë çështje.
Kryeministri Edi Rama: Jam këtu sot për t’ju përgjigjur një kërkese interpelance në shfrytëzim abuziv të rregullores pas shkrepjes në ajër të disa akuzave malinje. Burimi i kësaj telenovele politike u shfaq paralelisht me atë të Pogradecit. Ishte një sinjalizim për transport mbetjesh të rrezikshme. Vetë organizata joqeveritare ndërkombëtare shprehet se ka dyshime por asgjë të vërtetuar, asnjë çerfitikatë analizash, asnjë provë por deri tani vetëm dyshime. Sidoqoftë që në momentin e sinjalizimit u është dhënë vëmendja e duhur këtyre sinjalizimeve. Ndërkohë që prokuroria shqiptare dhe OLAF vazhdojnë të hetojnë, goja e pahijshme e politikës së urrejtjes ka ngritur akuzat dhe ka caktuar fajtorët. Si gjithnjë akuzat janë ekstreme dhe kriminelët janë kryetarët e regjimit imagjinar me mua në krye.
Më është bërë si rregull një akuzë në javë. Unë kam kohë që nuk merrem më si më parë me akuzat dhe tellallët. Deri tani gjykata ka shpallur shpifës tellallët e gojës shtatë penxhereje. Duke qenë se në këtë rast luhet me ndjeshmërinë nervore të shqiptarëve të cilëve u flitet për një sasi mbetjesh të rrezikshme kam detyrimin të sjell disa fakte të thjeshta.
Vetëm hetimi mund të japë të dhëna konkrete dhe përfundimtare. A është kryer eksport i mbetjeve të rrezikshme? Sipas të dhënave, është e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme. Praktika doganore e këtyre eksporteve ka të bashkangjitur certifikatën e analizës së mallit.
Në të dyja rastet, atij të transportit nga Elbasani dhe atij nga Kosova drejt Tajlandës dhe Kinës, mallrat janë transportuar nga Porti i Durrësit në ato europiane sipas rregullave ndërkombëtare, janë magazinuar përkohësisht në vendet e BE ku askush nuk i ka penguar. Më pas kanë vijuar normalisht itinerarin e tyre.
Mallra me klasifikim të tillë nuk konsiderohen si mbetje të rrezikshme. Si gjithmonë edhe aludimi për mosveprim të administratës portuale është psikopatologjik i artikuluar nga të njëjtat burime ndotëse të Tiranës politike dhe mediatike.
Edhe sikur këto mallra të ishin të rrezikshme transporti i tyre nuk është i ndaluar as nga legjislacioni kombëtar, as nga ai ndërkombëtar. Sepse mbetje të tilla transportohen rëndomtë në të gjithë rruzullin tokësor.
Skandali i transportit ndërkombëtar të mbetjeve toksike u kthye në një debat gjatë sezonit turistik në vend, pas lajmeve të publikuara në artikuj ndërkombëtarë ku thuhej se nga porti i Durrësit transportoheshin mbetje toksike drejt vendeve aziatike. Për këtë skandal, u pezullua aktiviteti i kompanisë “Kurum” ku dyshohet se prodhoheshin mbetje të tilla. Ndërsa opozita kërkoi llogari për mungesën e funksionimit të kontrollit nga ana e institucioneve mbi lëndët që transportohen nga Porti i Durrësit. Versus.al
Seancë ‘e nxehtë’ sot në Kuvend, Rama i përgjigjet Bardhit për mbetjet toksike! Vuloset ‘fati’ i Olta Xhaçkës

Tiranë- Kuvendi mblidhet sot në seancën e parë plenare të rregullt për këtë sesion parlamentar. Në qendër të debatit pritet të jetë skandali i mbetjeve toksike të kompanisë Kurum të cilat u kthyen në lajm ndërkombëtar pasi rreth 800 ton mbetje po tregtoheshin nga kompania tjetër “Sokolaj” drejt Tajlandës dhe Singaporit.
Në seancë është parashikuar të mbahet edhe interpelanca e kërkuar nga kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi me kryeministrin Edi Rama mbi skandalin e mbetjeve toksike dhe për faktet e bëra publike deri më tani. Mësohet se Rama do të jetë i pranishëm gjatë seancës që do të zhvillohet.
PD kërkon që qeveria të informojë publikun lidhur me këtë rast të bërë publik pasi ngrihen dyshime serioze se shteti mund të jetë përfshirë në tregti të paligjshme ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.
Çështje tjetër që pritet me mjaft interes është edhe shqyrtimi i dy raporteve të ndryshme të miratuara nga këshilli i mandateve përsa i përket papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka, çështje për të cilën Gjykata Kushtetuese urdhëroi Kuvendin që t’i dërgojë për shqyrtim mandatin e ligjvënëses në dyshimet se ajo është në konflikt interesi për shkak se bashkëshorti i saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik në jug të vendit.
Socialistët këtë herë kanë ndryshuar mendje, duke deklaruar se urdhri i Gjykatës Kushtetuese nuk ka hapësira për trajtim ndryshe dhe se do ta çojnë për opinion në Komisionin e Venecias.
Po ditën e sotme, pritet të zhvillohet një tjetër interpelancë me zv.kryeministren Belinda Balluku lidhur me protestat e banorëve dhe përplasjet e tyre me policinë për hyrje-daljet në aksin Thumanë-Kashar. Versus.al








