Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ervin Salianji, ish-deputeti i PD-së i cili me 26 shtator të vitit të kaluar u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë në dosjen “Babale”, është liruar me kusht nga burgu i Fierit kur i kishin mbetur edhe 3 muaj dënim. *Shërbimi i provës dhe prokurori ishin dakord që Salianjit t’i pranohej kërkesa për t’u liruar nga burgu pasi kishte kryer 2/3 e dënimit të caktuar nga Apeli i Tiranës. Seanca u zhvillua në gjykatën e Fierit. *Pas lirimit, ish-deputeti u shoqërua edhe njëherë për në burgun e Fierit për të marrë sendet personale dhe për të kryer procedurat e zyrtarizimit të lirimit të tij. Në dalje nga gjykata, ai njoftoi se në orën 17:00 do të mbajë një konferencë për mediat nga selia e PD. *Nuk vonoi shumë edhe dalja e kreut të PD Sali Berisha në deklaratë për shtyp pasi Salianji u lirua nga burgu. Ai tha se ish-deputeti vuajti një dënim të padrejtë dhe se vendimi për ta liruar u shty me 6 javë.
Salianji nga selia blu: Burgimi im politik! Akuzon Gjykatën e Lartë për falsifikim shorti

Pas daljes nga burgu, ish deputeti i PD Ervin Salianji ka shkuar në selinë blu, ku po zhvillon një konferencë me gazetarët.
Ai tha se burgosja e tij ishte politike dhe shtoi se Gjykata e Lartë ka falsifikuar shortin për trupën gjykuese për rekursin e tij.
“Padiskutim që do të kemi komunikime, do të jem aktiv politikisht, jam përpjekur dhe nga burgu me aq sa mundësi komunikimi kisha me letra… ka një pengesë që edhe kjo vjen me urdhër politik që është moszbardhja e vendimit të Gjykatës së Lartë.
Gjykata e Lartë në këndvështrimin tim ka bërë një falsifikim të shortit të trupës gjyqësore që shqyrtoi rekursin tim, i jam drejtuar SPAK për hetim që përse duhej hequr një trupë që ishte me short dhe pse u vendos një trupë me miqësi”, tha ai.
“Me zor e pres një përballje në Gjykatën Europiane për të përcaktuar nëse kam pasur unë të drejtë apo qeveria”, theksoi ai.
Lirimi nga burgu i Salianjit, Berisha: E mbajtën pa asnjë faj vetëm se denoncoi vëllain e Xhafajt
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli në konferencë për mediat ku foli lidhur me lirimin e ish-deputetit Ervin Salianji nga burgu i Fierit pasi gjykata i pranoi kërkesën për lirim me kusht.
Berisha tha se Salianji vuajti jashtë çdo lloj ligji vetëm sepse denoncoi Geron Xhafës, vëllain e Fatmir Xhafës i cili asokohe ishte ministër i Brendshëm. Ai tha madje se vendimi për lirimin e Salianjit u shty me 6 javë më shumë me qëllim shtyrjen e hakmarrjes ndaj tij.
“Para se të ndalemi në farsën e turpshme elektorale, 11 maj 2025, dua të dënoj edhe njëherë me forcën më të madhe, dënimin politik ndaj deputetit Ervin Salianji nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, krerë kryesorë të organizatës kriminale të narkoshtetit. Ervin Salianji vuajti jashtë çdo lloj ligji, Kushtetute dhe rregulli. 9 muaj në burg vetëm e vetëm pse denoncoi Geron Xhafën si trafikant kryesor në qarkun e Vlorës, i cili kërkohej në Milano.
Burgosja e Ervin Salianjit kishte si synim kryesor burgosjen e të vërtetës se Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe Geron Xhafaj udhëhiqnin dhe përfitonin nga trafiqet nga Vlora drejt Italisë. Natyrisht mbajtja në burg e Ervin Salianjit pa asnjë faj është përgjegjësi direkt personale e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës. Vendimi i sotëm i gjykatës u shty po me urdhër të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës mbi 6 javë në një akt të turpshëm dhe hakmarrës pa fund”- tha Berisha. Versus.al
VIDEO/ Lirohet nga burgu Ervin Salianji, njofton konferencë për mediat
Pasi kreu 9 muaj të dënimit me burg, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji është liruar sot me kusht me vendim të gjykatës së Fierit.
Kërkesa për lirim ishte dorëzuar nga mbrojtja e ish-deputetit me argumentin se Salianji kishte kryer 2/3-ën e dënimit me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Prokurori i çështjes ishte dakord me kërkesën ndërsa të njëjtin vendim mori edhe gjyqtari.
Salianji u shoqërua sërish për në ambientet e burgut të Fierit për kryerjen e procedurave të nevojshme të lirimit. Ndërsa njoftoi konferencë për mediat në orën 17:00 nga selia qendrore e Partisë Demokratike.
E vetmja dalje e mëparshme e Salianjit për mediat teksa ndodhej në burg ishte më 11 maj kur votoi brenda burgut.
Kujtojmë se ish-deputeti u dënua me 1 vit burg më 26 shtator 2024 për kallëzim të rremë në dosjen "Babale" ku akuzonte vëllain e Fatmir Xhafës ministrit të Brendshëm të asaj kohe se ishte i përfshirë në trafik droge drejt Italisë. Pavarësisht se vëllai i Xhafajt u dorëzua tek autoritetet italiane për të vuajtur dënimin, Salianji u dënua për publikimin e një përgjimi ku pretendonte se shfaqej Geron Xhafa duke komunikuar për veprimtarinë e tij kriminale.
Çfarë është dosja “Babale”?
Në pranverën e vitit 2018, deputeti i PD-së doli në një deklaratë për mediat dhe publikoi një audio-përgjim.
Salianji pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge.
Sipas audio-përgjimit, vëllai i Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj komunikonte me një ish-trafikant, Albert Veliun, me pseudonimin Babalja. Më 18 dhjetor të 2019-ës, Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës dha vendimin për dosjen “Babale”. Fredi Alizoti u dënua me 2 vite burgim, ndërsa Ervin Salianji u dënua me një vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë. Gjithashtu u dënua me 3 vite e 6 muaj burg Albert Veliu. Salianji e kundërshtoi këtë vendim dhe e ankimoi në Gjykatën e Apelit. Për më shumë se dy vite, dosja u zvarrit dhe pas mungesave të shumta të avokatëve, sot u dha vendimi përfundimtar. Ervin Salianji u dënua me një vit burg për kallëzim të rremë. Versus.al
VIDEO/ Pret lirimin nga burgu pasi kreu 2/3 e dënimit, Salianji mbërrin në gjykatën e Fierit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka mbërritur sot në gjykatën e Fierit për shqyrtimin e kërkesës për lirim me kusht nga burgu ku vuan dënimin që prej shtatorit të vitit të kaluar.
Kërkesa e Salianjit për t’u liruar me kusht vjen pasi ka kryer 2/3 e dënimit. Shërbimi i provës pritet të paraqesë raportin për ish-deputetin në bazë të të cilit do të vendoset për pranimin apo rrëzimin e kërkesës së bërë.







