Live Updates /

‘Çuditërisht pasi hyri te SPAK-u si përfaqësues i PL doli si "rilindas" / Akuzat e Metës, Braimllari: Emri im nuk t’i mbulon hallet me drejtësinë

*Një përplasje në distance ka nisur mes Ilir Metës dhe ish-bashkëpunëtorit të tij të afërt, Endrit Brahimllari, i cili tashmë është pozicionuar pranë Partisë Socialiste. *Në një reagim nga qelia, Meta deklaroi se çdo veprim i tij si kryetar i PL-së sa i takon çështjes së pretenduar për lobim në SHBA, është bërë me vendim kryesie dhe se ka persona të tjerë të cilët duhet të ishin pyetur, mes të cilëve edhe Endrit Braimllari i cili ka qenë zyrtar i lartë i LSI. *Në përgjigje të akuzave të hedhura nga Ilir Meta, Brahimllari, ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, ka reaguar duke e cilësuar çështjen si të mbyllur që në vitin 2023. *Brahimllari gjatë deklaratës së tij nënvizoi se emri tij nuk mund t’i mbulojë dot hallet që Meta ka me drejtësinë

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Një përplasje në distance ka nisur mes Ilir Metës dhe ish-bashkëpunëtorit të tij të afërt, Endrit Brahimllari, i cili tashmë është pozicionuar pranë Partisë Socialiste. *Në një reagim nga qelia, Meta deklaroi se çdo veprim i tij si kryetar i PL-së sa i takon çështjes së pretenduar për lobim në SHBA, është bërë me vendim kryesie dhe se ka persona të tjerë të cilët duhet të ishin pyetur, mes të cilëve edhe Endrit Braimllari i cili ka qenë zyrtar i lartë i LSI. *Në përgjigje të akuzave të hedhura nga Ilir Meta, Brahimllari, ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, ka reaguar duke e cilësuar çështjen si të mbyllur që në vitin 2023. *Brahimllari gjatë deklaratës së tij nënvizoi se emri tij nuk mund t’i mbulojë dot hallet që Meta ka me drejtësinë

3 Postime
1 DITE ME PARE

U akuzua nga Meta për tradhti, Braimllari: Emri im s’mund t’i mbulojë dot hallet që kanë me drejtësinë

‘Çuditërisht pasi hyri te SPAK-u si përfaqësues i PL
Braimllari dhe Meta

Një përplasje e fortë në distance ka nisur mes Ilir Metës dhe ish-bashkëpunëtorit të tij të afërt, Endrit Brahimllari, i cili tashmë është pozicionuar pranë Partisë Socialiste.

I vendosur nën hetim Meta ka vendosi të zbulojë për herë të parë prapaskenat që lidhen me çështjen e lobimit në SHBA.

Në një reagim nga qelia, Meta deklaroi se çdo veprim i tij si kryetar i Partisë së Lirisë sa i takon çështjes së pretenduar për lobim në SHBA, është bërë me vendim kryesie dhe se ka persona të tjerë të cilët duhet të ishin pyetur, mes të cilëve edhe Endrit Braimllari i cili ka qenë zyrtar i lartë i LSI.

''Personi i dytë besoj që duhej pyetur është Z. Eriol Braimllari, i cili në dijeninë time, ka mbajtur për 10 vite gjithë korrespodencën me kompanitë e lobimeve edhe me e-mail (për fat të keq, pas largimit të tij nga detyra si Drejtor Kabineti, çuditërisht nuk ka lënë asnjë arkiv apo gjurmë) dhe që rezulton edhe në dosjet e SPAK-ut. Besoj që në hetimet e SPAK për lëvizjet e kompanive, emri i tij është pothuajse kudo.

Sepse kushëriri i tij i parë, Z. Endrit Braimllari, është marrë në pyetje nga SPAK-u, pasi ka firmosur për lobimet dhe ka patur për detyrë të ndjekë zbatimin e tyre, pasi ai përgjigjej edhe për organizimin edhe për financat. Çuditërisht, Endriti pasi hyri te SPAK-u si përfaqësues i PL (LSI) doli si "rilindas" i Edi Ramës dhe siç dihet publikisht, u fut edhe në listën e PS për kandidat për deputet në Tiranë. - shkroi Meta në reagimin e gjatë të tij.

Në përgjigje të akuzave të hedhura nga Ilir Meta, Endrit Brahimllari, ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, ka reaguar duke e cilësuar çështjen si të mbyllur që në vitin 2023.

Brahimllari ka nënvizuar se nuk pranon të shërbejë si mbulesë për problemet ligjore të Metës.

Endrit Braimllari: Kjo është një çështje e ezauruar për mua që në vitin 2023. Nuk komentoj çështje që i takojnë drejtësisë. Emri i Endrit Braimllari nuk mund të mbulojë dot hallet që kanë me drejtësinë.

Meta e përjashtoi nga Partia e Lirisë ish-deputetin Braimllarin në tetor të vitit të kaluar. Pas përplasjeve brenda radhëve të kësaj partie në prill po të këtij viti, Braimllari dha dorëheqje nga posti si nënkryetar.

Ai ka kontribuar për 19 vite në partinë e drejtuar shumicën e kohës nga Ilir Meta, dikur LSI dhe sot Partia e Lirisë, teksa ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ai ka qenë edhe kryetar i forumit rinor LRI, si dhe sekretar i Përgjithshëm i LSI-së./ Versus.al

1 DITE ME PARE

"Çdo veprim i marrë nga kryesia e LSI", Meta e drejton gishtin tek ish-bashkëpunëtorët: Të pyetet Endrit Braimllari

‘Çuditërisht pasi hyri te SPAK-u si përfaqësues i PL
Endrit Braimllari dhe Ilir Meta

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish nga qelia pasi SPAK e mori të pandehur për lobimin në SHBA dhe aferën CEZ-DIA. Nëpërmjet një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale, Meta pati diçka për të thënë edhe për modertoren Grida Duma dhe analistët të cilët mbrëmjen e djeshme diskutuan mbi dosjen e tij.

Ai pretendoi se analistët e ftuar perifrazuan akuza që as vetë prokurorët e SPAK nuk i kanë pretenduar, ndërsa i ftoi të gjithë në një përballje debati në sallën e “ping-pongut’ në paraburgimin e ‘313’-ës ku po mbahet prej tetorit të vitit të kaluar.

Sa i takon akuzave ndaj tij, Meta deklaroi se çdo veprim i tij si kryetar i PL sa i takon çështjes së pretenduar për lobim në SHBA, është bërë me vendim kryesie dhe se ka persona të tjerë të cilët duhet të ishin pyetur, mes të cilëve edhe Indrit Braimllari i cili ka qenë zyrtar i lartë i LSI.

“Çuditërisht, Endriti pasi hyri te SPAK-u si përfaqësues i PL (LSI) doli si "rilindas" i Edi Ramës dhe siç dihet publikisht, u fut edhe në listën e PS për kandidat për deputet në Tiranë. Ndaj e dashur Grida, SPAK i ka të gjitha mundësitë t'i gjejë personat që kanë bërë veprime të paligjshme apo kanë patur dijeni për to edhe në SHBA edhe në Tiranë”- shkruan Meta në reagimin e gjatë të tij.

Reagimi i plotë:

E dashur Grida!

Gjykimi po vjen dhe Dielli nuk mbulohet me shoshë. Nuk ka “Meta-Gate”, por “SPAK-Gate” përpara nesh.

E dashur Grida,

Ju ndoqa dje me vëmendje, pasi Avokati im i ri , Z. Kujtim Cakrani, më tha se ishte i ftuar nga ju.

Kur pashë panelin m’u kujtua vlerësimi i OSBE-ODIHR, se 87% e mediave dhe audiencës dominohet nga Qeveria. Kjo pasi pashë një njeri të vetëm (Avokat Cakrani), i cili natyrisht ka për detyrë të më mbrojë mua tashmë ligjërisht, përballë tre analistëve të ftuar, të cilët thanë apo interpretuan gjëra që as vetë prokurorët e SPAK-ut nuk do t’i kishin thënë vetë.

Sa shumë gënjeshtra dëgjon njeriu në një debat aq të shkurtër!

Pasi u shpreh gjoja keqardhja për formën e “tepruar” të arrestimit tim, që në fakt ishte vetëm rrëmbim i qëllimshëm dhe i paligjshëm terrorist, analisti pranë SPAK-ut, qëllimisht gënjeu se ne nuk e paskemi denoncuar nga ana ligjore, kur është fakt publik protesta e Partisë së Lirisë para SPAK-ut dhe dorëzimi publik i kallëzimit të bërë atje në prani të mediave nga Avokat Gjokutaj.

Pastaj, po i njëjti analist na tha se paratë e lobimit ishin përdorur për foto me Trampin, kur kjo është gënjeshtër që as SPAK-u se ka pranuar, pavarësisht se kishte hetuar kallëzimin e një delinkuenti se unë (LSI), kisha paguar 1 milionë USD për një foto me Trumpin, që nuk ka ndodhur kurrë.

Ndërkohë që të vetmet foto që unë kam me Presidentin Trump dhe Zonjën e Parë, janë zyrtare dhe në Neë York si President i Republikës, sipas protokollit zyrtar.

Dëgjuam shumë gënjeshtra ndaj meje për lobimet, kur edhe vetë u pranua se episodet me “McKeon Group” kishin rezultuar vetëm ashtu siç kisha deklaruar unë në SPAK në të kaluarën, por edhe publikisht.

Natyrisht që ka qenë tronditës fakti që ish-kolegu im në LSI, i cili më kishte prezantuar me avokatin greko-amerikan në Greqi dhe i cili propozoi edhe në mbledhjen e Kryesisë së LSI-së që të paguheshin 15 mijë USD parapagim për kompaninë “McKeon Group” dhe i cili më pas erdhi me mua edhe në SHBA për ceremoninë e inagurimit të Presidentit Trump dhe ishte në çdo takim ku ndodhej edhe Z. Fidetzis kishte deklaruar se nuk e njihte Z. Fideszis.

Ndërkohë në atë vizitë të planifikuar më parë nga unë si Kryetar Kuvendi dhe i shoqëruar nga Z. Petrit Vasili, etj., ky deputet iu bashkëngjit delegacionit tonë vetëm për të qenë në takimet e organizuara nga Z. Fideszis me “McKeon Group”.

Madje edhe foto e bërë publike e imja me Z. Petrit Vasili gjatë ceremonisë është në vendet e rezervuara më parë nga miq të Kongresit, ndërsa ftesat e siguruara (të pakërkuara) nga “McKeon Group” me kërkesë të Z. Fideszis ua dhamë shoqëruesve të tjerë pasi ato ishin periferike dhe të panevojshme për ne.

Ashtu sikurse në takimin e bërë me Presidentin e “McKeon Group” u njohëm me një marrëveshje që Z. Fideszis kishte nënshkruar me “McKeon Group” në emër të LSI, ku kishte vënë edhe pikat e bashkëpunimit të ardhshëm pa autorizimin dhe dijeninë time dhe të LSI.

Menjëherë e denoncova këtë marrëveshje te Presidenti i “McKeon Group” si të pavërtetë dhe të panevojshme dhe kërkova që të njoftohej FARA (Departamenti i Drejtësisë) për këtë të pavërtetë dhe kështu ndodhi.

Shkresa e Presidentit të “McKeon Group” që përgënjeshtron këtë mashtrim të bërë nga Z. Fideszis pas insistimit tim është tashmë në dispozicion të Gjykatës dhe jo vetëm të SPAK-ut.

Natyrisht “McKeon Group” ishte tepër serioz, por edhe shumë i shtrenjtë dhe i panevojshëm për ne ndaj edhe diskutimet vazhduan për një marrëveshje të mundshme ajo kurrë nuk u finalizua.

Ndërsa Z. Fideszis ishte një mashtrues-përfitues që u zbulua me takimin e dytë menjëherë në Washington.

Ndërkohë që e vetmja pagesë prej 15 mijë USD e bërë për “McKeon Group” është bërë përmes bankës e sipas ligjit e depozituar në KQZ.

Çudia më e madhe në këtë rast është se personi që më prezantoi mua me Z. Fideszis në Greqi, që erdhi me mua në SHBA vetëm për Fideszis, që propozoi në Kryesi që të paguheshin 15 mijë USD parapagim në SPAK kishte deklaruar se nuk e njihte Fideszis.

Unë për këtë në deklarimin në SPAK ia vura fajin COVID-19 që mund të kishte dëmtuar kujtesën, por mesa duket pas hetimeve shtesë, SPAK ishte bindur se unë kisha thënë të vërtetën.

Unë e mirëkuptoj cilindo që ndërron Parti apo interesa politike, por SPAK-u ka detyrë të bëjë hetime të paanshme dhe të provojë faktet dhe të vërtetën.

Ndërsa lidhur me kompanitë e tjera lobuese, SPAK-u i ka patur të gjitha mundësitë të bënte hetime të plota dhe të paanshme si në këtë rast dhe të provonte se cili është personi apo kompania që në SHBA ka bërë pagesa të paligjshme për kompanitë e pretenduara.

Është e padiskutueshme që gjatë kohës që unë kam qenë Kryetar i LSI, çdo veprim është bërë me vendim Kryesie, si për miratimin e kontratave edhe të personave të autorizuar për nënshkrim apo ndjekje të zbatimit të tyre dhe çdo gjë është deklaruar në KQZ sipas ligjeve tona dhe atyre të SHBA.

Nëse del diferenca midis pagesave të deklaruara nga kompanitë në SHBA për llogari të LSI dhe atyre që ka deklaruar LSI në KQZ, atëherë pa diskutim që kemi një problem serioz me ligjin amerikan dhe shqiptar, por kjo nuk ka asnjë lidhje me Ilir Metën, sepse as kam qenë në djeni të pagesave të paligjshme nga dikush dhe as kam autorizuar dikë në SHBA të bëjë veprime të tilla të cilat janë ose diletante ose të qëllimshme.

Unë i kam kërkuar SPAK prej dy vitesh të kërkojë nga partnerët amerikanë të hetojnë kush i ka bërë këto pagesa në SHBA dhe të merret në përgjegjësi ligjore, pasi unë kurrë nuk kam autorizuar dikë të bëjë marrëzira të tilla.

Natyrisht, personi i parë që duhej pyetur quhet Adrian Shatku, i cili ka qenë prezantuesi i këtyre kompanive me LSI dhe ka mbajtur lidhjet me to. Ky është një shqiptaro-amerikan- dibran, shumë i njohur për prokurorët e SPAK-ut, por çuditërisht i papyetur se paska tre vjet që nuk paska ardhur në Shqipëri. Çudi pse?

Personi i dytë besoj që duhej pyetur është Z. Eriol Braimllari, i cili në dijeninë time, ka mbajtur për 10 vite gjithë korrespodencën me kompanitë e lobimeve edhe me e-mail (për fat të keq, pas largimit të tij nga detyra si Drejtor Kabineti, çuditërisht nuk ka lënë asnjë arkiv apo gjurmë) dhe që rezulton edhe në dosjet e SPAK-ut. Besoj që në hetimet e SPAK për lëvizjet e kompanive, emri i tij është pothuajse kudo.

Sepse kushëriri i tij i parë, Z. Endrit Braimllari, është marrë në pyetje nga SPAK-u, pasi ka firmosur për lobimet dhe ka patur për detyrë të ndjekë zbatimin e tyre, pasi ai përgjigjej edhe për organizimin edhe për financat.

Çuditërisht, Endriti pasi hyri te SPAK-u si përfaqësues i PL (LSI) doli si "rilindas" i Edi Ramës dhe siç dihet publikisht, u fut edhe në listën e PS për kandidat për deputet në Tiranë. Ndaj e dashur Grida, SPAK i ka të gjitha mundësitë t'i gjejë personat që kanë bërë veprime të paligjshme apo kanë patur dijeni për to edhe në SHBA edhe në Tiranë.

Asnjë provë dhe fakt nuk i çon dot ata te Ilir Meta, përveç urdhrit politik të Edi Rmës dhe shefave të tyre që presin mandate të përjetshëm prej tij duke shërbyer si kamikazë politikë.Është e çuditshme se në këtë dosje ka shumë dibranë dhe grekë.

Por ky nuk është problem dhe shqetësimi im.

Interesi im i vetëm është vendosja përballë ligjit e secilit që e ka shkelur atë apo që ka patur dijeni.

Përpjekjet për të keqpërdorur të gjithë ata që kanë shkelur ligjin  apo kanë patur dijeni për këto shkelje për t’i përdorur politikisht kundër Ilir Metës, vetëm do të provojnë në procesin e gjykimit se sa të drejta kanë qenë denoncimet e mia për keqpërdorim politik të SPAK nga Edi Rama kundër opozitës së vërtetë, ndërsa dosja McGonigal vazhdon e ulëret dhe që vetëm SPAK nuk ka veshë ta dëgjojë.

Po kështu, e dashur Grida, unë dhe Monika nuk jemi më çift, pasi jemi divorcuar edhe juridikisht plotësisht dhe unë nuk kam asnjë pretendim pronësor apo pasuror ndaj saj.

Ndaj do të lutesha që përgjegjësitë të mos i trajtoni më çift, pasi ato janë individuale të secilit në raport me ligjin. Komunizmi ndjente një kënaqësi perverse kur përdorte familjarët kundër familjarëve në procese politike.

“Rilindja” e kryeperversit është edhe më zi në këtë drejtim. Unë marr çdo përgjegjësi timen para ligjit dhe së vërtetës dhe nuk kam arsye t’ia “faturoj” dikujt tjetër. Por edhe cilido apo persona që vetëm kanë përfituar nga LSI, që synon të përdoret kundër meje për të lehtësuar veten dhe duke i dhënë kënaqësi kryeperversit gabon shumë rëndë për sot dhe të ardhmen.

Unë as mund të braktis kauzat e Partisë së Lirisë që janë një interes ekzistencial kombëtar sot dhe as të zhgënjej të gjithë ata shqiptarë që kanë besuar dhe besojnë te Ilir Meta.

Ndërsa për çështjen e stërlodhur të CEZ-DIA që Z. Dumani e ka regjistruar që në dhjetor 2019 me kërkesën e Ramës dhe McGonigal do ishte kohë e humbur të merresha këtu pasi ajo është e stërkonsumuar me personazhe tejet groteske e me problem me ligjin dhe e gjykuar disa herë brenda e jashtë vendit.

Por shumë mirë që do gjykohet edhe njëherë tjetër që të argëtohemi me “dëshmitarët” e regjimit dhe gënjeshtrat e SPAK-ut që nuk heton dot as faljen e 600 milion eurove CEZ-it nga Rama-Gjiknuri dhe as inceneratorin që nuk ekziston se është krim shumë “intelektual”.

Dhe së fundmi e dashur Grida meqënëse unë nuk vij dot në studio, të lutem kërko një leje te Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që me të gjithë analistët që kishe ftuar dje të bëjmë një panel këtu (te salla e ping-pongut) për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të tyre të djeshme dhe të tjera. Do kalojmë bukur, të siguroj! Versus.al

1 DITE ME PARE

Kush është "Rebeka", amerikania që shfaqet në dosjen e ish-presidentit? Debate mes avokatit të Metës dhe gazetares

‘Çuditërisht pasi hyri te SPAK-u si përfaqësues i PL
Ilir Meta

SPAK u komunikoi ditën e djeshme akuzat Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe tre të pandehurve të tjerë për aferën “CEZ-DIA” dhe lobimin në SHBA duke e vënë çështjen e ish-presidentit në qendër të diskutimeve politike.

Mbrëmjen e djeshme, në studion e “Top Story” gazetarja Anila Hoxha u përplas me Kujtim Cakranin, avokatin e Metës përsa i takon akuzave që rëndojnë ndaj ish-presidentit teksa u përmend edhe emri ‘Rebeka’ që dyshohet të jetë amerikania Rebeka Gaskin.

Sipas avokatit, akuzat ndaj Metës nuk janë të fakturara dhe se i gjithë procesi ndaj tij është skenar politik.

Pjesë nga debati në studio:

Cakrani: Ndaj Metës është ngritur një kala e madhe baltë 30-vjeçare. Opinioni publik ka dëshirë të dëgjojë për politikanë të korruptuar. Si do goditet kundërshtari politik nëse nuk i monton prova. Z.Meta me Kastriot Ismailin njihet që fëmijë.

Ç'lidhje ka korrupsioni i Metës me CEZ-DiA. Kur është lidhur ajo kontratë Meta nuk ka qenë fare ministër i Ekonomisë. Përmendet një Rebeka. Kur është marrë nën hetim është përmendur një ish-kryeministër, nuk është folur për Metën. Ndaj z.Meta nuk ka asnjë fakt penal. Në rolin e tij si ish kryeministër nuk ka një shkresë.

Duma: Përmendet zonja Rebeka?

Hoxha: Jo, ndoshta…

Cakrani: E ke lexuar dosjen?

Hoxha: Nuk ke përballë një prokurore

Cakrani: Më gjeni një provë që Ismailaj i ka kryer një favor Metës. Jo nuk flitet kështu

Hoxha: Nuk jam Altin Dumani dhe Arben Kraja. Mbrojtjen bëje në gjykatë. Thash gjë unë që Ilir Meta është fajtor? Thash gjë në emër të SPAK?  Mbaj vendin si avokat pa akuzuar të tjerë. Le të ruajmë etikën. Fol si avokat me fakte. Këto ujërat politike dhe të avokatit mos i bëj me mua se po flas e balancuar. Nuk e pranoj këtë gjuhë avokati.

Cakrani: Ju po mbroni SPAK-un apo politikën? Kam ardhur t’i flas publikut se çfarë ka ndodhur me ish presidentin. Ndaj presidentit është ngritur një baltë e madhe qëllimisht nga politika.

Hoxha: Kë ke politikan në këtë studio.

Cakrani: Më gjykon mua publiku këtu

Hoxha: Avokati ka të drejtë. Çështjen e ke të fituar.

Cakrani: E di ti shumë mirë, e ke lexuar dosjen.

Shtetasja amerikane Rebeka Gaskin rezulton të ketë qenë përfaqësuesja ligjore DIA-s, kompanisë që administrohej asokohe nga Kastriot Ismailaj. Versus.al

Poll