Live Updates /

"SY m’SY"/ Rama ju përgjigjet komenteve: Ne nuk e kemi ngritur asnjëherë çmimin e energjisë elektrike

*Bordi i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike (ERE), miratoi sot propozimin e OSHEE për uljen e energjisë elektrike për kilovat orë. Duke nisur nga 1 shkurti për konsumatorët familjarë që konsumojnë jo më shumë se 700 kilovat në muaj, do paguajnë nga 8.5 lekë për kilovat, nga 9.5 që ishte më parë. *Në një konferencë për mediat, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si arritje historike duke e theksuar si uljen e vetme të energjisë elektrike të bërë në 35 vitet e fundit. Ai deklaroi më tej se synimi është që Shqipëria brenda 3 vitesh të arrijë sovranitet të plotë energjitik. *Gjithashtu zv.kryeministrja Belinda Balluku bëri një krahasim të çmimit të energjisë elektrike para se PS të vinte në pushtet. Ndërsa sqaroi se për konsumatorët familjarë të cilët e kalojnë konsumin e 700 kilovatëve në muaj, nuk do të kenë ulje çmimi dhe e gjithë fatura do të paguhet me 9.5 kilovat për orë, siç është aktualisht.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Bordi i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike (ERE), miratoi sot propozimin e OSHEE për uljen e energjisë elektrike për kilovat orë. Duke nisur nga 1 shkurti për konsumatorët familjarë që konsumojnë jo më shumë se 700 kilovat në muaj, do paguajnë nga 8.5 lekë për kilovat, nga 9.5 që ishte më parë. *Në një konferencë për mediat, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si arritje historike duke e theksuar si uljen e vetme të energjisë elektrike të bërë në 35 vitet e fundit. Ai deklaroi më tej se synimi është që Shqipëria brenda 3 vitesh të arrijë sovranitet të plotë energjitik. *Gjithashtu zv.kryeministrja Belinda Balluku bëri një krahasim të çmimit të energjisë elektrike para se PS të vinte në pushtet. Ndërsa sqaroi se për konsumatorët familjarë të cilët e kalojnë konsumin e 700 kilovatëve në muaj, nuk do të kenë ulje çmimi dhe e gjithë fatura do të paguhet me 9.5 kilovat për orë, siç është aktualisht.

7 Postime
3 MUAJ ME PARE

"SY m’SY"/ Rama ju përgjigjet komenteve për çmimin e energjisë: Ne nuk e kemi ngritur asnjëherë çmimin e energjisë elektrike

 

"SY m’SY"/ Rama ju përgjigjet komenteve: Ne nuk e kemi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një video në “Facebook” pas komenteve të qytetarëve në platformat online, për uljen e çmimit të energjisë elektrike nga konsumatorët shqiptarë me 1 Lekë përgjatë vitit 2025.

Aludimeve se ky vendim i qeverisë vjen 3 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të majit, Kryeministri ju është përgjigjur me shembuj nga vitet e tjera elektorale që kanë kaluar.

“E para, ne nuk e kemi ngritur asnjëherë çmimin e energjisë elektrike. Kemi mbajtur një dekadë rresht çmimin fiks 9.5 lekë që për shumicën dërrmuese ishte më i ulët sesa çmimi që gjetëm kur erdhëm në detyrë prej 13.5 lekësh. E dyta, çmimi jo vetëm që nuk është ulur në të gjithë botën por është rritur në shumë vende pas agresionit rus. Ndërkohë kjo e jona është ulja e vetme në Evropë e çmimit të energjisë elektrike për familjarët të paktën që nga fillimi i luftës në Ukrainë”

Ndër të tjera shefi i qeverisë shqiptare shpreh bindjen për fitoren e thellë në zgjedhjet e kësaj pranvenere “për nga thellësia e rezultatit dhe diferenca me kundërshtarët”.

 "E treta, kush thotë që kjo është ulje elektorale duhet të më gjejë në tërë këto vite një veprim të kësaj natyre me karakter elektoral që të kem bërë për vota kundër logjikës ekonomike, financiare të vendit ose një rast kur një masë pozitive që kemi marrë përpara një procesi zgjedhor ta kemi hequr pas fitores së zgjedhjeve. Nuk ka! Mos kërkoni kot se nuk ka ndodhur. Dhe të mos harroni diçka tjetër, kur unë s’i kam bërë këto më parë, kur kisha edhe tjerë në prehër, do t’i bëj në prag të zgjedhjeve kur do të marrim fitore e 10-të radhazi që do të ketë notën 10 për nga thellësia e rezultatit dhe diferenca me kundërshtarët. Nuk bën vaki. E fundit, llafet i merr era por mua rëndësi ka fakti se që nga shkurti mbi 1 milion konsumatorë familjarë do të paguajnë më pak për energjinë elektrike ndërsa pensionistët do të kenë pension minimal plus nga kjo ulje e çmimit.”

 

 

3 MUAJ ME PARE

Ulja e çmimit të energjisë me 1 LEKË/ Sa qytetarë shqiptarë do të përfitojnë?!

"SY m’SY"/ Rama ju përgjigjet komenteve: Ne nuk e kemi

 

Mbi 1 milion konsumatorë do të përfitojnë nga ulja e çmimit të energjisë në Shqipëri. Bordi i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike miratoi propozimin e qeverisë për çmimin e energjisë elektrike, i cili do të ulet në 8.5 lekë për kilovat në orë për të gjithë konsumatorët familjarë, që shpenzojnë më pak se 700 kilovat në orë brenda një muaji.

Por, a do të tregojnë shifrat e konsumit të energjisë sërish rritje edhe në 2025 si në vitin që lamë pas? Apo qytetarët shqiptarë do të kenë tendencën e kursimit të saj me qëllim mos tejkalimin e fashës prej 700 kilovat për orë në muaj.

Me një përllogaritje të thjeshtë, qytetarët shqiptarë që konsumojnë nga 600-700 kilovat do të paguajnë bashkë me TVSH rreth 7 mijë lekë të reja në muaj për konsumin e energjisë elektrike.

Më parë për këtë konsum shqiptarët paguanin rreth 7 mijë e 900 lekë të reja çdo muaj.

Referuar shifrave zyrtare gjatë 2024 energjia elektrike në dispozicion në Shqipëri u rrit me 6,9 për qind. Vetëm në tre muajt e fundit të 2024, përdorimi i energjisë elektrike u rrit me 7,3 për qind duke arritur vlerën 1.702 gigavat në orë nga 1.586 gigavat në orë që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2023.

Po ashtu, sipas të dhënave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë, humbjet në rrjet kanë shënuar nivelin më të ulët, që nga viti 2009.

Aktualisht për abonentët familjarë çmimi i energjisë është 9.5 lekë për kilovat në orë pa TVSH. E thënë ndryshe, çmimi i energjisë elektrike ulet këtë vit me 1 lek, kështu që me TVSH të gjithë konsumatorët do të paguajnë 10.2 lekë nga 11.4 lekë aktualisht.

Ky faturim që do të nisë pas shkurtit nuk do të jetë një faturim me fasha, por faturim konsumi.

Por çfarë do të thotë ky ndryshim?!

Qyetarët do të jenë të ndarë në dy kategori:

Kategoria e parë është nga 1 – 700 kWh në muaj do të paguajë 8.5 lekë për kWh

Nëse do të kalojnë në 701 kWh e gjithë fatura do të paguhet me çmimin 9.5 lekë për kWh

 

Çmimi i ri do të jetë në fuqi për periudhën nga 1 shkurti 2025 në 31 dhjetor 2025. Gjatë diskutimeve të qeverisë u nënvizua se fasha 700 Kilovat në orë përfshin të paktën 80 për qind të konsumatorëve familjarë të lidhur në tension 0.4 kilovat duke vlerësuar kështu se ndikimi i uljes së çmimit prek një masë të madhe të familjeje.

3 MUAJ ME PARE

Lëvizja me grafik e automjeteve, Balluku: Praktikë e ndjekur nga kryeqytetet evropiane! Athina e aplikon prej 35 vitesh!

"SY m’SY"/ Rama ju përgjigjet komenteve: Ne nuk e kemi
Zv/kryeministrja Belinda Balluku

Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku gjatë konferencës për shtyp me gazetarët ditën e sotme theksoi se përdorimi i sistemit të qarkullimit të automjeteve në bazë të grafikëve është një praktikë e njohur në disa vende evropiane.

Ajo e përmendi Athinën si një shembull të suksesshëm, ku kjo strategji është aplikuar për 35 vjet dhe ka rezultuar me një ulje prej 50 për qind të trafikut.

Balluku: Është një plan për klimën që e kemi në fuqi që prej viti 2021, jo e kemi vetëm në fuqi, por edhe e kemi aplikuar. Gjatë muajit gusht ne krijuam fasha orare për mjetet e tonazhit të rëndë nga fundjava duke nisur nga e  premtja deri të hënën në mëngjes. E kemi hedhur për konsultim duke shtuar disa elementë të tjerë lidhur me kërkesat e BE për klimën dhe karbonizimin.

Praktikë e ndjekur nga kryeqytetet evropiane, Athina prej 35 vitesh ka qarkullim të makinave sipas numrave të targave duke e ulur lëvizjen e automjeteve me 50%, një ditë ata me targa çift, një ditë ata me targa tek. Nuk ka ligj që do të detyrojnë drejtuesit, është plan kombëtar për klimën dhe energjinë.

Por çfarë thuhet në planin e qeverisë shqiptare për qarkullimin e automjeteve me grafik? 

Në draftin e publikuar për konsultim, parashikohet një masë e re për kufizimin e lëvizjes së automjeteve sipas targave.

Kjo masë, e hedhur për konsultim publik, mund të nisë të zbatohet brenda këtij viti, nëse kalon për miratim.

Masa synon të ulë ndotjen nga karburantet dhe të lehtësojë trafikun në qytetet kryesore të Shqipërisë, duke përfshirë Tiranën dhe zonat me fluks të madh turistik.

Një tjetër objektiv i rëndësishëm është elektrifikimi i transportit deri në vitin 2030, ku 10% e automjeteve që përdoren në vend do të jenë elektrike. Për këtë arsye, do të instalohen stacione karikimi në rrugët kombëtare, pikat kufitare, zonat turistike dhe parkimet publike.

Ndërkohë, do të ketë përmirësime në infrastrukturën ekzistuese, duke përfshirë planifikimin e një rrjeti të optimizuar të parkimeve dhe përcaktimin e tarifave të reja të parkimit në nyjat kryesore të transportit të pasagjerëve.

Këto masa reflektojnë angazhimin e Shqipërisë për të përballuar sfidat e ndotjes dhe ndryshimeve klimatike, duke ndjekur shembullin e vendeve të BE-së për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të gjelbër./Versus.al

 

3 MUAJ ME PARE

Ministrja Balluku sqaron uljen e çmimit të energjisë: Nëse kalohen 700 kw, e gjithë fatura paguhet si më parë

"SY m’SY"/ Rama ju përgjigjet komenteve: Ne nuk e kemi

Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama ku u fol për uljen e çmimit të energjisë elektrike me 1 lekë për kilovat, sqaroi disa detaje të tjera.

Balluku theksoi se ulja aplikohet vetëm nëse në muaj, një familje nuk ka konsumuar më shumë se 700kw. Në rast të një tejkalimi të këtij konsumi, e gjithë fatura paguhet me çmimin e mëparshëm, pra me 9.5 lekë për kilovat.

“Konsumi mujor deri në 700 kilovat orë është i barabartë me 1 milionë e 70 mijë abonentë ose 95% e abonentëve që kemi të regjistruar.  Nuk bëhet fjalë për një fashë, pasi ndryshe nga fashat që janë faturim në nivele të ndryshme konsumi, flasim për një kategori konsumi pasi në bazë të saj ky vendim vjen për shkak të eficencës së energjisë elektrike. Ne kemi një faturim me 2 kategori konsumi. Nga 1 deri në 700 kilovat orë në muaj do paguhet me 8.5 lekë për kilovat orë. Nëse do kalojnë këtë kategori konsumi, pra në 701 kilovat orë, e gjithë fatura do paguhet me çmimin që kemi sot 9.5 lekë për kilovat orë”- deklaroi Balluku. Versus.al

3 MUAJ ME PARE

Ulet me 1 lekë çmimi i energjisë deri ne 700 kw, Rama: Historike! Brenda 3 viteve arrijmë sovranitet të plotë energjitik

"SY m’SY"/ Rama ju përgjigjet komenteve: Ne nuk e kemi

Kryeministri Edi Rama e cilësoi si ‘historike’ uljen me 1 lekë të energjisë elektrike, vendim që u mor nga bordi i ERE-s. në konferencën për mediat ku ishte e pranishme edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, Rama tha se kjo është hera e parë në 35 vite që ka ulje të çmimit të energjisë elektrike.

Më tej teksa foli për situatën hidrike të Shqipërisë, tha se brenda 3 viteve të ardshme vendi do të arrijë sovranitet të plotë energjitik.

“Kemi 1300 megavat energji diellore, në total do arrijmë objektivin e 30% të prodhimit të energjisë totale nga burime të tjera nga dielli dhe uji. Kjo është e rëndësishme për faktin sepse ndryshe nga çfarë thonë ata që nuk dinë çfarë thonë duke thënë se ne kemi energji për veten dhe të tjerët. Në fakt në vitet e mira hidrike, ne mbulojmë vetëm 75% të nevojave. Prandaj nuk jemi sovranë akoma, por sot jemi 3 vite larg nga sovraniteti i plotë energjitik. Sepse 30% që na duhet për të plotësuar, plus riciklimin hidrik përmes teknologjisë së re të pompimit, do na bëjnë që të jemi sovranë. Në vitet jo të mira hidrike ne kemi 60% kapacitetin total të prodhimit. Jemi të varur nga importi dhe çmimet e bursave. Sot iu themi shqiptarëve se u deshën vite, por ia dolëm t’ju shohim në sy dhe t’ju themi se do kenë ulje të çmimit të energjisë”- deklaroi kryeministri.

Teksa theksoi se që prej 2019-ës vihet re një nivel rekord konsumi energjitik, Rama tha se vendimi i sotëm shërben edhe për kritikët të cilët u thonë shqiptarëve se çmimi i energjisë është rritur.

“Sot do ekspozojmë me fakte të gjithë ata që pasi ua kanë nxirë jetën shqiptarëve, bëjnë teori për sektorin energjitik ndërkohë që çmimet e energjisë elektrike i kanë pasur më të larta sesa çmimi që është sot, jo sesa ai që do jetë duke nisur nga 1 shkurti. U kanë rrokanisur kokën shqiptarëve duke u thënë se ne e rritëm çmimin. Ne nuk kemi rritur asgjë, ne thjesht po rrisim Shqipërinë çdo ditë”- shtoi kryeministri.

Vendimi u mor sot në bordin e ERE dhe të gjithë konsumatorët familjarë të cilët kanë konsumuar deri në 700 kilovat në muaj të paguajnë 8.5 lekë për kilovat, nga 9.5 lekë që ka qenë. Nga 1 shkurti aplikohet kjo ulje, ndërsa për ata që kalojnë konsumin e 700 kilovatëve, diferencën do e paguajnë nga 9.5 lekë për kilovat. Versus.al

3 MUAJ ME PARE

Merret vendimi, nga 1 shkurti ulet çmimi i energjisë elektrike për familjet shqiptare

"SY m’SY"/ Rama ju përgjigjet komenteve: Ne nuk e kemi

Nga data 1 shkurt çmimi i energjisë elektrike, pëson një ulje të lehtë. Familjet shqiptare të cilat konsumojnë deri në 700 kilovat në muaj, do të paguajnë 8.5 lekë për kilovat, nga 9.5 lekë që ishte më parë.

Ndërsa në rast të kalimit të këtij kufiri konsumi, fatura do të përllogaritet me çmimin 9.5 lekë për secilin kilovat, pra pa ndryshim. 

Vendimi u mor sot gjatë mbledhjes së bordit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe do të jetë në fuqi deri në fund të vitit 2025. Sipas të dhënave rreth 80% e konsumatorëve të energjisë elektrike në vend, konsumojnë deri në 700 kilovat në muaj.

Për uljen e energjisë elektrike kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku do të mbajnë konferencë të përbashkët për mediat. Versus.al

3 MUAJ ME PARE

Çmimi i ri i energjisë elektrike, Rama dhe Balluku mbajnë sot konferencë për mediat

"SY m’SY"/ Rama ju përgjigjet komenteve: Ne nuk e kemi
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama sot në orën 12:00 do të mbajë një konferencë për mediat në ambientet e OSHEE lidhur me çmimin e ri të energjisë elektrike.

Më herët qeveria ka njoftuar se po punohej për të arritur një ulje të çmimit të energjisë elektrike për qytetarët gjatë këtij viti. Ndërsa një orë para konferencës që do të mbajë kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij Belinda Balluku, do të ketë një mbledhje të bordit të Entit Rregullator të Energjisë ku diskutohet për çmimin e ri të energjisë.

Aktualisht, çmimi i energjisë është 9,5 lekë për kilovat pa TVSH, dhe 11,4 lekë me TVSH për familjet. Pensionistët që marrin kompensim shtesë prej 648 lekësh për energjinë elektrike gjithashtu përfitojnë një ndihmë shtesë.

Së fundmi në qytete të ndryshme të vendit, janë raportuar shlëputje të energjisë elektrike, ndërsa problem raportohet të ketë qenë rënia e linjës së transmetimit 220 kv Kashar Rashbull Durrës. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: