Çfarë do të gjeni në brendësi
*Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin mesditën e sotme. *4 adoloshentë të moshës 14 vjeçare të shkollës 9 vjeçare ‘Fan Noli’ janë përfshirë në një sherr banal e cila ka nisur në rrjete sociale.* Nga ngjarja e rëndë humbi jetën 14 vjeçari Martin Cani, ndërsa Luis Meçja po 14 vjeç është në gjendje stabël në spital.*Adoleshenti i tretë që dyshohet se është autori i ngjarjes ndodhet në një spital privat në Tiranë. *Ministria e Arsimit dhe e Sportit është shprehur se ndihen të tronditur ndërsa kërkon institucioneve ligjzbatuese të zbardhin ngjarjen e rëndë
“Ishte humoristi i ekipit”/ Flet mes lotësh trajneri i viktimës: Dje ishte në ndeshje, humbje e madhe për të gjithë ne
Egert Bakalli trajneri i skuadrës ku luante 15-vjeçari që humbi jetën pas një sherri sot, tregon mes dhimbjes se Martin Cami ishte djalë shembullor.
Trajneri është shprehur i tronditur nga ngjarja dhe tregon se dje 15-vjeçari kishte marrë pjesë në ndeshje.
“Një humbje e madhe për familjen, për mua si trajner dhe për akademinë. Ka qenë një nga lojtarët…humori i ekipit, dhimbje e madhe për të gjithë ne, sidomos për familjen dhe ne akademikët, Dje i kisha në ndeshje këta çunat, humorista, ça të them, humbje e madhe.
Ne si mësues mundohemi ti edukojmë edhe në sport. Kishim lënë stërvitje sot nga liqeni, kur e mora vesh i mblodha djemtë te liqeni dhe u fola se ishin të traumatizuar. Jemi si ekip, Martini ishte si trajner i dytë për mua, Luisi djalë shumë i mirë. Ky ka marrë 4 plagë, po presim të përmendet, ndërsa Martinin e kanë çuar në morg. Ishin të dy lojtarë shumë të mirë, me sjellje të mira. Nuk e di si ka ndodhur, thonë që janë sharë ditën e premte dhe e kanë lënë të takohen të hënën”-u shpreh mes dhimbjes trajneri.
Detaje të tjera nga vrasja me thikë e nxënësit 14-vjeçar: Sherri nisi të premten, të dy mësonin tek ‘Fan Noli’
Zbardhen detaje të reja në lidhje me vrasjen e nxënësit 14-vjeçar tek shkolla ‘Fan Noli’ në Tiranë, pasi u qëllua me thikë nga një bashkëmoshatar i tij.
Dy adoleshentët, si autori dhe viktima ishin nxënës në të njëjtën shkollë Fan Noli. Të dy janë përfshirë në një debat ditën e premte për motive banale.
Gjatë debatit të tyre ka ndërhyrë roja i sigurisë ku i ka ndarë. Gjatë ditës së sotme ata janë sharë sërish në banjot e shkollës.
Më pas, viktima ka lajmëruar shokun e tij që ishte nxënës në Sauk. Pas mbarimit të mësimit ata kanë dalë dhe janë konfliktuar fizikisht disa metra larg shkollës Fan Noli.
Autori ka nxjerrë thikën ku ka goditur disa herë viktimën dhe shokun e tij. Ndërkohë ka plagosur edhe veten në krah.
Pas ngjarjes autori është larguar në banesë ku më pas është dërguar në spital privat.
‘Luisi më tha se i goditën sapo shkuan te shkolla’/ Babai i të miturit që u plagos te ‘Fan Noli’: Ka marrë 4 plagë
Sherri në afërsi të shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’ në Tiranë, i mori jetën një nxwnwsi 14-vjeçar, ndërsa la të plagosur edhe një tjetër të mitur.
Martin Cani nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë në spital, ndërsa Luisi ka marrë katër plagë, dhe për fat të mirë deri tani gjendja e tij është stabël.
Babai i Luisit në një intervistë për TCH tregon se i biri është në gjendje të qëndrueshme deri në këto momente, por mjekët kërkojnë që të vijojë të qëndrojë në survejim për të parë nëse do të jetë e nevojshme një ndërhyrje kirurgjikale ose jo.
Ai thotë se djali i tij nuk ishe nxënës i shkollës ‘Fan Noli’, dhe se shoku i tij i ka kërkuar që të shkojnë se do të takojnë disa persona, bashkëmoshatar. Siç i ka pohuar i biri, sapo kanë shkuar dhe janë takuar, i kanë sulmuar me thikë.
‘Na lajmëruan nga poliklinika e 9-katsheve që është plagosur dhe ndodhet në spitalin e Traumës. Për momentin është jashtë rrezikut, shpresojmë që të bëhet më mirë.
Ka katër plagë me thikë në trup. Nuk dimë gjë fare, Luisi nuk ka pas probleme, ka shkuar të takojë një shok të ‘Fan Noli’, kanë qenë bashkë shokë te akademia e Dinamos, dhe ai i ka kërkuar që të shkojë ta takojë…
Djali më tha që kur kanë shkuar atje i kanë sulmuar me thikë’, shprehet ai.
VIDEO/ Pamje të dhimbshme, Martini i vrarë me thikë duhej të ishte në stërvitje me ta, shokët e skuadrës shpërthejnë në lot
Sot do duhej që bashkë me shokët e skuadrës së Dinamos në takimin e përditshëm të stërvitjes të ishte dhe Martini, por për fat të keq jeta dhe ëndrrat e 14-vjeçarit u prenë në mes pasi goditjet e thikës i morën jetën.
Shokët e skuadrës janë mbledhur këtë pasdite bashkë me trajnerin e tyre, për të bërë stërvitje, por lajmi i kobshëm i ka kapluar edhe të vegjlit, të cilët qëndrojnë të ulur në tavolina, me lot në sy e të heshtur.
Trajneri Egert Bakalli mundohet t’u japë forcë duke iu thënë se kështu është jeta dhe se tani duhet të bëhen të fortë. Nuk mungojnë as këshillat e tij kur u thotë se janë në një moshë delikate e se duhet që t’i shmangen konflikteve.
I mituri u plagos disa herë me thikë pak metra larg ambienteve të shkollës 9-vjeçare Fan Noli në Tiranë, por edhe pse u transportua në spital, nuk mundi dot të mbijetonte.
Vrasja e nxënësit të ‘Fan Nolit’, reagon klubi i Dinamos: Thellësisht të tronditur, gjendemi pranë familjes
Nxënësi i klasës së 9-të të shkollës 'Fan Noli' në Tiranë Martin Cani, 14 vjeç është vrarë ditën e sotme me thikë, nga disa bashkëmoshatarë të tij, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.
I mituri mësohet se ishte futbollist i moshave. Ai kishte luajtur në disa klube të kryeqytetit dhe së fundmi, ishte pjesëtar i ekipit U-15 të FC Dinamos.
Klubi ka reaguar me një mesazh në rrjetet sociale.
-Ngushëllim-
Jemi thellësisht të tronditur nga lajmi tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të lojtarit tonë Martin Cani, pjesë e skuadrës U-15.
Presidenti Adrian Bardhi dhe klubi FC Dinamo City i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Cani dhe i gjenden pranë në këto momente shumë të vështira.
U prehsh në paqe Martin!
Vrasja e nxënësit të ‘Fan Nolit’, përplasje në Kuvend, Zhupa kërkon dorëheqjen e Manastirliut
Vrasja me thikë e një adoleshenti 14-vjeçar nga bashkëmoshatari tij në shkollën “Fan Noli” në kryeqytet ka sjellë reagimin e ashpër të opozitës në Kuvend që kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të ministres Manastirliu.
Ina Zhupa, deputete e PD: Dua që të kuptoni se sa fallco dhe sa jashtë realitetit është projektbuxheti që ka një kapitull me vete për sigurinë në shkolla, se si në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangë sherrin me thika në derën e shkollës Fan Noli. T’ju vijë turp, jep dorëheqjen, ik me turp sepse kjo që ka ndodhur sot është një skandal.
Vetë Manastirliu theksoi se ka ardhur koha që të reflektojmë e të angazhohemi më shumë për një mjedis të sigurtë pasi dhimbja për këtë ngjarje është e paimagjineshme.
Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit: Është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë. E para na thonë se si përfaqësues të qytetarëve në këtë sallë të angazhohemi më shumë për një mjedis më të sigurtë për fëmijët tanë. Të forcojmë më shumë mekanizmat e parandalimit dhe ndërhyrjes zë shpejtë dhe të jemi shembull të promovojmë vlerat e respektit për njëri-tjetrin. Të mos kemi më gjuhë urrejtje. Duke filluar nga kjo sallë sepse jemi edhe modeli për fëmijët tanë.
Ndërkaq nëpërmjet një deklarate zyrtare ministria e Arsimit dhe Sportit ka apeluar për rëndësinë e rolit aktiv të të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të Policisë së Shtetit, por edhe të komunitetit për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
‘E morëm me makinë se kishte trafik’/ Qytetarja tregon se si e dërguan në spital 14-vjeçarin e plagosur me thikë
Një qytetare ka treguar se si ajo ka kontaktuar ambulancën dhe kanë ndihmuar të miturin, duke u nisur për në spitali. Fillimisht ato janë nisur për në QSUT.
Me anë të një komenti në rrjetet sociale, qytetarja rrëfen se shërbimi i ambulancës është përgjigjur menjëherë thirrjes së saj, por për shkak të trafikut të rënduar, së bashku me një tjetër grua e kanë nisur 14-vjeçarin Martin C., drejt QSUT.
‘Ambulancën e kam kontaktuar unë në kohë rekord që ngjarja ndodhi, ambulanca u përgjigj dhe u tregua shumë e gatshme, si pasojë e trafikut nuk mund të prisnim sepse fëmija ishte në gjendje të rëndë, por reagonte, e morëm me makinë, një zonjë me makinë të kuqe, dhe unë po e shoqëroja para duke i hapur rrugën.
Ambulanca ka telefonuar giithë kohës ‘ku je, ku jeni’ si përfundim na ka dalë afër QSUT sepse u drejtuam për te urgjenca aty pasi e kishim më afër. Një ambulancë nga QSUT ka ardhur dhe ka marrë djalin në kryqëzim te Hoxha Tasimit, tek bar Oslo pak më afër spitalit QSUT. Djali ishte i gjallë deri në atë moment, jam drejtuar në spitalin ushtarak pas ambulancës dhe më thanë është në operacion. Aty takova dhe familjarët, por fatkeqësisht Martini nuk ia doli. Ngushëllime familjarëve’, shkruan komentuesja.
Vrasja e nxënësit të ‘Fan Nolit’, policia shoqëron 5 persona, ngjarja e filmuar nga kamerat e sigurisë
Policia e Tiranës ka shoqëruar në komisariat 5 persona, mes të cilëve edhe 3 të miturit që dyshohet se janë autorë të vrasjes së një bashkëmoshatari të tyre, 14 vjeçari Martin C., dhe plagosjes së një tjetri.
Ata do të merren në pyetje për motivet e krimit, ndërsa dyshohet se gjithçka nisi nga një sherr në rjetet sociale. Ngjarja ndodhi pas orës së 6 të mësimit, teksa dy 14-vjeçarët, u sulmuan në një rrugicë pranë shkollës nga 3 bashkëmoshatarët e tyre me grushta dhe më pas me thikë.
E gjithë ngjarja është filmuar nga kamera sigurie, ndërsa krimi ka ndodhur brenda 90 sekondave.
Vrasja e nxënësit, reagon presidenti Begaj: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale
Presidenti i Republikës Bajram Begaj, reagoi me një mesazh të posaçëm për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në afërsi të një shkolle 9-vjeçare në Tiranë.
Presidenti Begaj i shprehu ngushëllime familjes së 14-vjeçarit që mbeti viktimë e konfliktit me bashkëmoshatarët, ndërsa uroi shërimin e nxënësit tjetër që mbeti i plagosur.
Në këtë mesazh, Keu i Shtetit bën apel për reflektim të shoqërisë shqiptare në edukimin e brezit të ri.
“Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen”, shkruan ndër të tjera Kreu i Shtetit, duke iu drejtuar prindërve, mësuesve dhe të gjithë komunitetit.
Gjithashtu, Presidenti Begaj bën thirrje për rikthimin e shoqërisë shqiptare te vlerat dhe distancimin nga modelet e dëmshme që u ofrohen sot fëmijëve dhe të rinjve:” Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë”. “Fëmijët dhe të rinjtë tanë- shprehet Kreu i Shtetit- meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre”.
“Ndarja nga jeta e 14-vjeçarit është për të gjithë ne një dhembje e madhe. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij! Gjithashtu, uroj nga zemra shërim të shpejtë e të plotë për nxënësin e plagosur!
Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen. Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë. Fëmijët dhe të rinjtë tanë meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre”, shkruan Begaj.
Vrasja e nxënësit tek shkolla ‘Fan Noli’, dëshmitarët: Ambulanca erdhi me vonesë, polici nuk ishte te dera e shkollës
Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e sotme kryeqytetin, ku 14-vjeçar Martin C., humbi jetën pas një sherri të rëndë mes adoleshentëve.
I mituri dyshohet se ishte qëlluar gjashtë herë në zemër dhe në bark.
Sipas dëshmitarëve, thuhet se ambulanca ka ardhur më vonë dhe është dërguar me automjet në spital, nga pronarët e biznesit aty pranë.
Adoleshenti tjetër është goditur 2 herë me thikë, dhe ndodhet në spital në gjendje të stabilizuar. Sipas burimeve, autori është një një djalë tjetër i cili është plagosur dhe po merr mjekim në një spital privat.
Ka pasur shumë dëshmitarë në vendngjarje, por disa të tronditur nuk kanë ndërhyrë. Vetë dëshmitarët pohojnë se nuk kanë dashur të ngatërrohen. Ka pasur të tjerë që kanë tentuar të japin ndihmë, por për shkak se kanë vrapuar, e kanë pasur të pamundur.
Shkaku nuk dihet ende në mënyrë zyrtare, flitet për një konflikt të nisur nga rrjetet sociale, për shkak të problematikave mes të rinjve. Ka pasur një mungesë të policit në derën e shkollës, pas mbarimit të mësimit. /TCH
Vrasja e nxënësit 14-vjeçar, Ministria e Arsimit: Jemi të tronditur!
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi ditën e sotme në kryeqytet, ku një nxënës i shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” ndërroi jetë pasi u qëllua me thikë nga bashkmoshatarë të tij.
Në reagimin e saj Ministria shkruan se ndjehen të tronditur për ngjarjen tragjike ndërsa kërkon nga institucionet ligjzbatuese të zbardhin menjëherë rrethanat e kësaj ngjarje.
Gjithashtu në reagimin e saj MAS ka apeluar për rëndësinë e rolit aktiv të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të policisë së shtetit, institucione arsimore por edhe komuniteti, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Reagimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit:
Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike e ndodhur sot në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë, ku një konflikt mes tre të miturve çoi në humbjen e jetës së njërit prej tyre, nxënës i shkollës “Fan Noli”.
Ngushëllimet tona më të sinqerta i shkojnë familjes së nxënësit që humbi jetën, ndërsa urojmë shërim të shpejtë për nxënësin tjetër. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga institucionet ligjzbatuese që të kryejnë zbardhjen e menjëhershme të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut, i bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Arsimit, Pushteti Vendor, komunitetit dhe të gjithë shoqërisë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka marrë në vazhdimësi, dhe është duke zbatuar masa konkrete për të garantuar që procesi i mësimdhënies, në të gjitha shkollat e Shqipërisë, të kryhet në mënyrë sa më të sigurt, të rregullt e me standarte.
Ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Sportit është maksimalisht e angazhuar për të siguruar mjedise sa më të sigurta për zhvillimin normal të mësimit në të gjithë Shqipërinë, mbetet gjithmonë thelbësor roli sa më aktiv i të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të policisë së shtetit, institucione arsimore por edhe komuniteti, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen./Versus.al
Vrasja e 14 vjeçarit, si nisi sherri në rrjete sociale, autori i dyshuar i shtruar në spital privat, zbardhen detaje të reja
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar mesditën e sotëm para shkollës 'Fan Noli' në kryeqytet.
Sherri mes adoleshentëve i cili ka ndodhur pas orarit të mësimit jashtë rrethimit të shkollës ku studionin, ka nisur për motive banale fillimisht në rrjete sociale.
Dy 14 vjeçarët, njëri që humbi jetën dhe tjetri që u plagos kanë qenë bashkë dhe dyshohet se janë qëlluar nga dy 14 vjeçarë të cilët kishin ardhur nga një shkollë në Sauk për t'u sqaruar.
Ndërkohë adoleshenti me inicialet Luis Meçja 14 vjeç ka plagë në gjoks dhe ndodhet në gjendje stabël në spital.
Adoleshent i tretë ndodhet në një spital privat në Tiranë, i plagosur në krahun e majtë. Ky i fundit dyshohet se është autori i ngjarjes.
Ndërsa ngjarja kriminale e cila qëlloi fatale për 14 vjeçarin, Martin Cani i cili u godit me thikë në zemër ka ndodhur brenda 90 sekondave.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën "Qema Stafa", rreth 200-300 metra larg shkollës "Fan Noli" janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit/Versus.al
Përleshje me thika mes adoleshentëve para shkollës 'Fan Noli', vdes 14-vjeçari, një tjetër në spital. Arrestohet autori i dyshuar
TIRANË- Ka humbur jetën 14-vjeçari i cili u përfshi në një sherr të dhunshëm me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në kryeqytet. Dy nxënës të shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’ u raportua se mbetën të plagosur rëndë me thika, pas një përleshjeje që kanë pasur me një grup tjetër të rinjsh. Burime për Versus bëjnë me dije së të miturit kanë dalë nga mësimi, ndërsa janë përplasur me fjalë duke nxjerrë më pas thikat çka ka çuar në plagosjen e të dyve.
Adoleshentët, njëri nxënës i klasës së 8 dhe tjetri i klasës së 9 janë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, pasi kishin marrë plagë të rënda. Por vetëm pak pas orësh 14-vjeçari ka humbur jetën, pasi kishte marrë një goditje me thikë në zemër. E gjithë ngjarja ka ndodhur jashtë rrethimit të shkollës, ndërsa bëhet me dije se janë dhe nxënës të tjerë të përfshirë në ngjarje. Shkaqet e sherrit të dhunshëm mes fëmijëve nuk janë ende të ditura, ndërsa është arrestuar një nga autorët e dyshuar.
Gjithashtu burimet bëjnë me dije se 2 të miturit janë sulmuar menjëherë sapo kanë dalë nga shkolla nga 3 bashkëmoshatarë të tyre, duke i lënë të plagosur rëndë. Dëshmitarët në vendngjarje u shprehën se 2 të plagosurit janë dërguar me makina të rastit në spital dhe se gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondash.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën "Qema Stafa", rreth 200-300 metra larg shkollës "Fan Noli" janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit./ Versus.al
Përleshje me thika para shkollës 9 vjeçare 'Fan Noli' në Tiranë, plagosen rëndë 2 adoleshentë
Dy nxënës të shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’ kanë mbetur të plagosur rëndë me thika, pas një përleshjeje që kanë pasur mes tyre. Burime për Versus bëjnë me dije së të miturit kanë dalë nga mësimi, ndërsa kanë nisur të zihen me fjalë duke nxjerrë më pas thikat çka ka çuar në plagosjen e të dyve. Adoleshentët, njëri nxënës i klasës së 8 dhe tjetri i klasës së 9 janë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, pasi mësohet të kenë marrë plagë të rënda. E gjithë ngjarja ka ndodhur jashtë rrethimit të shkollës, ndërsa bëhet me dije se nuk ka nxënës të tjerë të përfshirë në ngjarje. Shkaqet e sherrit të dhunshme mes 2 fëmijëve nuk janë ende të ditura, ndërsa policia ka nisur menjëherë hetimet. / Versus.al







