Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot të gjitha gjyqet e parashikuara për t’u mbajtur në gjykatën e Apelit janë pezulluar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja ditën e djeshme brenda sallës së gjyqit. Sipas kalendarit të paracaktuar, Kalaja duhej të jepte sot 12 masa sigurie. Pas ngjarjes së paprecedentë seancat pezullohen, ndërsa do të hidhet shorti për gjyqtarët që do të ndjekin çështjet. *Në nder të gjyqtarit Kalaja, flamujt në të gjitha godinat e gjykatave do të ulen në gjysmështizë. *Për krimin e rëndë, policia ka arrestuar tre persona, autorin Elvis Shkambi, xhaxhain e tij Gjon Shkambi i cili pretendonte se ishte pronari i godinës së ish-shkollës së Rezervave në Shkodër ku ishin strehuar 32 familje si dhe rojen e godinës për shkak se nuk kreu kontrollin fizik të personave që kishin hyrë në sallën e gjyqit. *Institucionet kanë shprehur tronditjen e thellë për ngjarjen e rëndë, ndërsa tragjedia është pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare. *Ndërkohë, babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala kundërshtare e procesit që gjithshtu mbetën të plagosur, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Apeli bojkoton gjyqet për gjithë javën, nesër homazhet për gjyqtarin e vr*rë
Të gjitha gjyqet në gjykatën e Apelit përgjatë javës do të pezullohen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dje ku u ekzekutua brenda sallës së gjyqit, gjyqtari Astrit Kalaja.
Ditën e nesërme në ambientet e Pallatit të Kongreseve do të mbahen homazhe në nderim të Kalasë. Ceremonia do të nisë në orën 09:00 dhe pritet të zgjasë deri në orën 11:00.
I ndjeri do të përcillet në banesën e fundit më datë 8 tetor në vendin e lindjes në Shkodër. Versus.al
Policia zbardh vr*sjen e gjyqtarit: Skaneri dha sinjal për pistol*tën, por roja qëndroi në karrige! Xhaxhai i autorit, nuk ndërhyri
Policia ka zbardhur dinamikën e vrasjes së ndodhur ditën e djeshme në sallën e gjyqit të gjykatës së Apelit ku u ekzekutua me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja. Në pranga për këtë ngjarje kanë rënë, autori Elvis Shkambi 30 vjeç, xhaxhai i tij Gjon Shkambi, 56 vjeç dhe roja i sigurisë së gjykatës, Banush Koxha, 63 vjeç.
Dinamika e ngjarjes
Për të zbardhur krimin e rëndë, policia ka analizuar të gjitha pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë. Në orën 13:42 në ambientet e sallës së pritjes për publikun në gjykatë, janë future dhe kanë kaluar tek pajisja e skanerit autori Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij Gjon Shkambi.
Detektori i metaleve ka sinjalizuar me dritë të kuqe, pasi Elvis Shkambi mbante pistoletën tip “Berreta” në brez, por pavarësisht këtij sinjalizimi roja, Banush Koxha ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për të kontrolluar personat që po hynin në gjykatë duke mos bërë as regjistrimin e tyre në librin e protokollit.
Të dy, Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij qëndrojnë në hollin e pritjes së gjykatës deri rreth orës 15:29 dhe futen në ambientet e sallës ku zhvillohej senaca gjyqësore. Në orën 15:35 palët ngrihen në këmbë dhe menjëhere pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpalli vendimin, Elvis Shkambi nxorri armën dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij duke i shkaktuar vdekjen.
Njëkohësisht pas këtij veprimi, Shkambi i drejton pistoletën dhe qëllon njëherë në drejtim të palës paditëse Rakip Kurtajt dhe djalit të tij Ervis Kurtaj duke i lënë të dy të plagosur. Sipas hetimeve, rezulton se Gjon Shkambi nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndaluar veprimet kriminale të nipit të tij, duke ngjallur dyshimet se ai ka qenë në dijeni për ekzekutimit të gjyqtarit ose ndihmës.
Pasi ka kryer aktin e rëndë, Elvis Shkambi ka dalë nga salla dhe ia ka dorëzuar pistoletën “Berreta” nënpunësit gjyqësor, B.P.
Në përfundim të të gjitha veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë sipas veprave penale si më poshtë:
Elvis Shkambi, 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
Gjon Shkambi, 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;
Banush Koxha, 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale pistoletën me tre fishëkë të përdorur nga autori dhe prova të tjera materiale të gjetura në vendin e ngjarjes. Versus.al
Arrestohet xhaxhai i vr*sësit të gjyqtarit, një vit më parë kërc*nonte në TV: Do t’ju hedh në erë
Policia ka arrestuar edhe Gjon Shkambin, xhaxhain e Elvis Shkambit, 30 vjeçarit që vrau me armë zjarri gjyqtarin Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit. Gjon Shkambi ka qenë brenda sallës së gjyqit kur nipi i tij nxorri pistoletën “Berreta” dhe hapi zjarr drejt gjyqtarit dhe palës kundërshtare për pronën.
Por, një gjurmim i vogël i zhvillimit të kësaj ngjarje, zbulon se tragjedia ishte paralajmëruar një vit më parë në media pasi Gjon Shkambi kishte kërcënuar me fjalët “do t’ju hedh në erë” anqtarët e palës kundërshtare të gjyqit. Kërcënimi është bërë në emisionin “Shihemi në gjyq” duke paralajmëruar se do të hidhte në erët godinën e ish-Shkollës së Rezervave në lagjen “Skanderbeg” të Shkodrës.
Për ironi të fatit emisioni është transmetuar në 6 tetor të vitit të kaluar, si dje një vit më parë.
“Ja gjej unë formën se si me e liru. Si ta minoj në 4 qoshet se është prona ime. E kam me certifikatë. Të gjithë do t’ju hedh në erë. Po ju paralajmëroj, të gjithë do t’ju hedh në erë”, shprehej Shkambi gjatë përballjes me personin që po fliste lidhur me këtë çështje.
Në pranga për ngjarjen ka rënë edhe roja i godinës së gjykatës së Apelit për shkak se nuk kreu detyrën për të mos lejuar autorin të hynte në gjykatë me pistoletë në brez. Detajet zbuluan se detektori i metaleve nuk punonte prej ditësh. Versus.al
“Martoj vajzën, jam i lumtur”, kolegu rrëfen bisedën e fundit me gjyqtarin që u vra në gjyq

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në një akt të paprecedentë në vendin tonë, ka tronditur gjithë opinionin publik që edhe këtë herë është i ndarë në disa kahe.
Një gjyqtar i ka rrëfyer gazetares Anila Hoxha bisedën e fundit që kishte patur me kolegun e tij të ndjerë para se të vritej brenda sallës së gjyqit menjëherë pasi kishte dhënë vendimin.
“Martoj vajzën dhe jam i lumtur. Mezi e pres atë ditë”-mësohet të kenë qenë fjalët e fundit të gjyqtarit.
Diskutohet që për lamtumirën e fundit për gjyqtarin e ndjerë të mbahet ceremoni shtetërore ditën e mërkurë. Versus.al
Palë kundërshtare, del FOTO e të moshuarit që u plagos me të birin në gjyqin ku u vra gjyqtari

Në media është publikuar foto e Rakip kurtajt, 65 vjeçari i cili mbeti i plagosur ditën e djeshme në sallën e Gjykatës së Apelit ku u ekzekutua gjyqtari Astrit Kalaja. 65 vjeçari së bashku me djalin e tij Ervis Kurtaj, 45 vjeç i cili po ashtu mbeti i plagosur, ishin palë kundërshtare në gjyq me Gjon Shkambin, xhaxhain e autorit që kreu ngjarjen e rëndë.
Kurtaj mori plagë të lehta në kraharor dhe këmbë ndërsa djali i tij në dorë. Të dy u transferuan në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore ku ndodhen jashtë rreziku për jetën. Versus.al
Vr*sja e gjyqtarit brenda sallës, sot pezullohen të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit

I gjithë vendi u trondit ditën e djeshme pasi gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua brenda sallës së gjykatës së Apelit në Tiranë. Autori, Elvis Shkambi 30 vjeç, me të dëgjuar vendimin e tij që binte ndesh me interesat e familjarit të tij, xhaxhait Gjon Shkambi, nxorri pistoletën tip “Berreta” dhe e qëlloi tre herë në gjoks duke i shkaktuar vdekjen.
Të plagosur mbetën edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pjesë e palës kundërshtare në këtë proces që kishte nisur në gjykatën e Shkodrës për një pronë të cilën Gjon Shkambi pretendonte se ia kishte lënë trashëgimi i ati pavarësisht se aty ishin ndërtuar godina për strehimin e disa familjeve të tjera.
Ngjarja e paprecedentë shkaktoi tronditje të madhe duke bërë që institucionet e vendit të reagonin me forcë duke kërkuar marrjen e masave që tragjedi të tilla të mos përsëriten më kurrë.
Mësohet se si pasojë e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, sot në Gjykatën e Apelit do të pezullohen të gjitha gjyqet. Do të hidhet shorti për 12 masa sigurie të cilat pritej t’i jepte të gjitha gjyqtari që u vra brenda sallës së gjyqit.
Kalaja ishte pjesë e trupës gjykuese së bashku me Gilda Hoxhën dhe Enkelejda Bajon. Pasi ishte dhënë vendimi i djeshëm, dy gjyqtaret kishin dalë nga salla e gjyqit, ndërsa viktima Kalaja po mblidhte dosjen menjëherë pasi kishte vulosur qëndrimin final. Këtë e konfirmon në dëshminë e saj edhe sekretarja që ishte e pranishme. Versus.al







