Çfarë do të gjeni në brendësi
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu mesditën e sotme, fillimisht një sipërfaqe me ullinj në Drizë të Fierit, duke u përhapur më pas dhe në fshatrat pranë. Rreth 11 familje u evakuuan për shkak të rrezikut të banesave nga zjarri, ndërsa 2 persona janë shoqëruar në polici, të dyshuar si autorë të zjarrvënies së qëllimshme. Për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve, u angazhuan dhe dy helikopter ujë-hedhës.
Zjarri në Fier, del jashtë funksioni stacioni i furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit

Zjarri masiv që përfshiu mesditën e sotme zonën e “Azotikut” në Fier, ka dëmtuar dhe bazën materiale të stacionit kryesor të furnizimit me ujë të qytetit të Fierit.
Drejtori i Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Fier, Gentian Alikaj, ka deklaruar se flakët tashmë janë shuar, ndërsa ndërhyrja e parë për neutralizimin e tyre është bërë nga punonjësit e ujësjellësit.
“Dëme të shumta materiale. E gjithë baza materiale në linjat e furnizimit me ujë, mjetet motorike dhe transformatorët janë jashtë funksionit. Kemi marrë masat për ruajtjen e perimetrit të sigurisë, në mënyrë që të furnizohet pa ndërprerje qyteti i Fierit.
Fillimisht ndërhyrja është bërë nga punonjësit e ujësjellësit, më pas ka mbërritur zjarrfikësja.
Aktualisht nuk kemi më probleme. Automjetet, një pjesë kanë qenë jashtë përdorimit, një pjesë funksionale. Kemi pasur prioritet furnizimin me ujë dhe jo automjetet. Nuk ndikon në furnizimin me ujë të qytetit”, Gentian Alikaj./Versus.al
Alarm i kuq në Fier, vatra masive zjarri përhapen në disa fshatra. Bllokohet lëvizja e mjeteve në aksin “Qafa e Koshovicës-Cakran”

Rëndohet situata nga zjarret në disa fshatra në Fier. Vatra e zjarrit, e cila ka nisur fillimisht pranë vendit të quajtur “Azotiku”, në fshatin Drizë, e më pas është përhapur në zonën e Qafës së Koshovicës, duke përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara në afërsi të fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg.
Për shkak të përmasave të zjarrit dhe erës së fortë që favorizon përhapjen e flakëve, shërbimet e Policisë kanë evakuuar 11 familje nga banesat e tyre, si dhe vijojnë të monitorojnë banesa dhe subjekte të tjera në zonë që mund të rrezikohen nga përhapja e flakëve.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Rrugore kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në të dy kahet e rrugës, në segmentin “Qafa e Koshovicës–Cakran” dhe anasjelltas, si dhe po asistojnë shërbimet zjarrfikëse në terren, duke mundësuar transportin e pajisjeve dhe mjeteve zjarrfikëse në zonat me terren të vështirë.
Deri në këto momente, pavarësisht rrezikut të lartë, nuk është raportuar asnjë rast asfiksie apo lëndimi të banorëve. Gjithashtu, është bërë e mundur shuarja e flakëve që kishin përfshirë një banesë, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.
Në vendngjarje janë angazhuar forcat e Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, Policia Rrugore, grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, si dhe drejtuesit e shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, të cilët po koordinojnë dhe menaxhojnë situatën në terren.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë shoqëruar 2 shtetas të dyshuar për shkaktimin e zjarrit dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për grumbullimin e provave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë së DVP Fier, me mbështetjen nga ajri të helikopterëve të Forcave të Armatosura, po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit./Versus.al
Zjarret në Drizë të Fierit vënë në rrezik banesat, evakuohen 6 familje. Balluku: Pritet ndërhyrja e helikopterit të dytë

Në fshatin Drizë të Fierit, situata e krijuar nga zjarret është kritike.
Forcat e armatosura kanë evakuuar 6 familje, ndërsa janë në monitorim dhe të tjerë banorë që mund të kenë nevojë për ndihmë..
Drejtuesja politike e PS për qarkun e Fierit, Belinda Balluku shkruan se zjarret po favorizohen nga erërat e forta, ndërsa pritet të angazhohet në ndihmë të zjarrfikësve edhe një helikopter i dytë i Forcave të Armatosura.
Postimi i Ballukut
Gjatë orëve të paradites, në fshatin #Drizë të Fierit ka rënë zjarr, i cili, i favorizuar nga era e fortë, është përhapur drejt zonave të tjera përreth.
Në terren ndodhen shërbimet e Policisë së Shtetit, me njësitë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, patrulla të Rendit Publik dhe Policisë Rrugore, të cilat kanë evakuuar 6 familje nga banesat e tyre dhe po monitorojnë situatën për të garantuar sigurinë e banorëve.
Strukturat e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës dhe institucionet e tjera përgjegjëse, po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit, pavarësisht vështirësive të krijuara nga erërat e forta.
Në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, ndërsa pritet që një helikopter i dytë t’i bashkohet ndërhyrjes në çdo moment./Versus.al

