Bota e rrjeteve sociale ishte lëmsh që prej së premtes vonë për shkak të lajmit mbi arrestimin në Shtetet e Bashkuara të Khaby Lame, TikToker-i më i famshëm në botë: e vërtetë apo lajm i rremë?
Më pas, dje revista online “Men’s Journal” konfirmoi informacionin nga agjencia federale amerikane ICE, e cila është pjesë e Departamentit të Sigurisë së Brendshme dhe është përgjegjëse për kontrollin e kufijve dhe imigracionit. “US Immigration and Customs Enforcement ka ndaluar Seringe Khabane Lame, 25 vjeç, shtetas italian, në aeroportin ndërkombëtar Harry Reid në Las Vegas, Nevada, për shkelje të ligjeve të imigracionit. Lame kishte hyrë në SHBA më 30 prill dhe kishte qëndruar më gjatë se viza e tij. Atij i është lejuar të largohet vullnetarisht më 6 qershor dhe që nga ajo ditë ka dalë nga SHBA,” thuhet në deklaratë.
Më vonë, u mësua se sipas burimeve nga Ministria e Jashtme italiane, Lame ndodhej dje në Kanada.
Alarmi filloi nga një postim në X (ish-Twitter) i Bo Loudon, një influencues dhe aktivist i djathtë, mik i djalit më të vogël të Donald Trump, Barron. Loudon shkroi: “Autoritetet e imigracionit të presidentit sapo arrestuan Khaby Lame, një TikToker të majtë ekstreme, të cilin unë e kam raportuar si emigrant të paligjshëm,” duke pretenduar se sipas Departamentit të Sigurisë së Brendshme 25-vjeçari “ndodhet në qendrën e Hendersonit”.
“Zbulova që ishte i paligjshëm, që qëndronte në SHBA edhe pas skadimit të vizës dhe shmangte taksat. Askush nuk është mbi ligjin!” – shkroi Loudon. Në një tjetër postim, ai ndau një screenshot që supozohej të vinte nga faqja e Immigration and Customs Enforcement, me një numër identifikimi për të verifikuar arrestimin e Lame.
Megjithatë, në rrjetet sociale u përhap ideja se lajmi ishte i rremë dhe i trilluar nga një influencues rival, pasi as kodi dhe as kërkimi në bazën e të dhënave të ICE nuk dhanë rezultate. “Mbase arsyeja është se atij i është lejuar të largohet vullnetarisht nga vendi,” shpjegon Jessica McBride, autore e artikullit në “Men’s Journal”. McBride, që ka mësuar gazetari për 20 vite në Universitetin e Wisconsin në Milwaukee, ka ndarë me ne shkëmbimin e email-eve me agjencinë ICE, të cilën e kontaktoi që të premten në mbrëmje, dhe prej nga mori njoftimin për Khaby Lame të shtunën në mëngjes (sipas orës italiane), përpara çdo publikimi tjetër.
Në konfuzion ndihmoi edhe fakti që në të njëjtën kohë që i riu mbështetës i Trump po denonconte arrestimin, influencuesi italo-senegalez publikoi dy histori në Instagram, ku ka mbi 80 milionë ndjekës: në njërën shfaqte dorën duke mbajtur një roman grafik në një librari dhe në tjetrën uronte ditëlindjen kampionit brazilian të futbollit Marcos Cafu. Pastaj u zhduk për pjesën tjetër të ditës, por emri i tij vazhdonte të ishte në listën e mysafirëve të një ndeshjeje bamirësie në Miami në Chase Stadium.
Kush është Khaby Lame?
Lame mban vendin e parë në aplikacionin jashtëzakonisht të popullarizuar të mediave sociale TikTok, me 162.2 milionë ndjekës dhe është bërë i famshëm për videot e tij të shkurtra të heshtura që tallnin tutorialet dhe këshillat e ndërlikuara që gjenden me shumicë në internet.
Ai i pikas videot e tij me një gjest karakteristik -- pëllëmbët e kthyera nga qielli, të shoqëruara nga një buzëqeshje kuptimplote dhe sy të zmadhuar -- ndërsa ofron zgjidhjet e tij të thjeshta.
Ideja për përmbajtjen e tij i lindi ndërsa bredhte nëpër strehimoren ku jetonte familja e tij në Chivasso, pranë Torinos, pasi humbi punën e mekanikut të fabrikës në mars të vitit 2020.
Postimet e tij u rritën shumë -- duke e ndihmuar të fitonte rreth 16.5 milionë dollarë përmes marrëveshjeve të marketingut me kompanitë në periudhën midis qershorit 2022 dhe shtatorit 2023, sipas Forbes.







