“Pasioni për gratë? Kam qenë i parakohshëm, e nisa që në moshën 12-vjeçare. Por nuk e fsheh që në ato vite të artë në Rimini ishte e lehtë të bëheshe një "'playboy". Kështu rrëfen për "Corriere della Sera" Marco Andrea Cappelli, i njohur si “Pucci”, një figurë ikonike e jetës së natës në Rivierën Romagnole të viteve ’80: truprojë e VIP-ave si Alba Parietti, Serena Grandi e të tjerë, por edhe roje sigurie në klube dhe playboy i famshëm.
Sot, në moshën 70-vjeçare, Pucci ka një ëndërr të re: të hapë një lokal të tijin për të shijuar jetën në mënyrë më të qetë. “Përndryshe, rrezikoj të bie "i fikur" në divan në orën 22:30,” - thotë me humor.
5.247 gra dhe katër dashuri të mëdha
Pucci ka mbajtur gjithmonë shënime për jetën e tij. “Çdo ditë shkruaj një raport të vogël për çfarë bëj, për të mirën dhe të keqen.” Në mesin e këtyre shënimeve, ndodhet edhe një listë me 5.247 emra grash që ai pretendon se ka pasur në jetën e tij. Shumica prej tyre, thotë ai, kanë qenë të huaja – “vetëm 10 kanë qenë italiane” – pasi, siç pohon ai, ato janë treguar më të hapura dhe më pak kërkuese.
Megjithatë, nuk ka munguar edhe ndjenja e vërtetë. “Jam dashuruar katër herë dhe çdo lidhje ka zgjatur afërsisht tetë vite,” rrëfen Pucci. Gruaja që e bëri të ndalojë së kërkuari, ishte biologja kubane Grisney Bello Terry, “një grua me parime të forta, inteligjente dhe shumë e përkushtuar.”
Truproja i VIP-ave dhe personazheve të rrezikshëm
Gjatë karrierës së tij si bodyguard, Pucci ka punuar për njerëz të fuqishëm dhe të njohur. “Për disa vite kam shoqëruar një nga djemtë e Muammar Gaddafi kur vinte në Itali. Kam punuar gjithashtu për industrialë të njohur italianë dhe për yje të Hollivudit kur jetoja në Shtetet e Bashkuara.”
Ai është fotografuar me shumë prej ikonave të kinemasë italiane, mes tyre Alba Parietti dhe Serena Grandi. Pucci thotë se ka pasur marrëdhënie të mira me të gjitha dhe nuk mohon se ndonjëherë ka pasur edhe më shumë se miqësi – “por nuk mund të tregoj me kë,” thekson ai.
Një kujtim i veçantë është takimi me Alain Delon, kur ishte vetëm 17 vjeç. E kishte shoqëruar gjatë xhirimeve të filmit “La prima notte di quiete”. Disa vite më vonë, e ka takuar sërish në një klub në Paris, kur Delon i tha menjëherë: “Je te connais!” (Të njoh!)
Diskotekat sot nuk janë më si më parë
Pucci mendon se koha e diskotekave të vërteta ka marrë fund. “Sot njerëzit shkojnë nëpër lokale vetëm për t’u shfrenuar. Nuk është më si dikur, kur kërceje një vallëzim të ngadaltë dhe shiheshe në sy me dikë. Sot, thotë ai, njohjet ndodhin në rrjetet sociale, por emocionet janë më të ftohta."
Tani, në një fazë më të qetë të jetës, Pucci dëshiron të rikthejë një nga lokalet e famshme të Rivierës. Jo një diskotekë klasike, por një ambient për të rritur mbi 50 vjeç, i hapur nga ora 21:00 deri në 2 të mëngjesit.
“Dua të jetoj natën, por në mënyrë më të matur. Më shumë shije, më pak zhurmë.”







