AKTUALITET /

Ish-polici special i Kosovës ndalohet në Serbi, merret në pyetje për rastin “Banjska”

Sipas avokatit Arianit Koci, Arbnor Spahiu nuk është pjesë e Policisë së Kosovës që prej 3 vitesh, mirëpo po merret në pyetje për rastin “Banjska”.

Shkruar nga Versus

 

Ish-polici special i Kosovës ndalohet në Serbi, merret në pyetje

Arrestimi i ish-efektivit të Forcave Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Horgoshit më 7 qershor, ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e qytetarëve të Kosovës që udhëtojnë përmes territorit të Serbisë.

Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NjSO), është ndaluar dhe më pas transferuar në qendrën e ndalimit në Kanjizë. Edhe pse ai ka më shumë se tre vite që ka lënë Policinë e Kosovës dhe aktualisht jeton në Gjermani, autoritetet serbe e kanë marrë në pyetje në lidhje me rastin “Banjska”, një incident i ndodhur në shtator 2023 në veri të Kosovës.

Përfaqësuesit ligjorë të Spahiut theksojnë se ai nuk ka pasur asnjë rol institucional në kohën kur ka ndodhur incidenti në Banjskë dhe se ndalimi i tij përbën një akt të paprecedentë, që synon frikësimin dhe pasigurinë për ish-pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Kosovës.

Ky rast nuk është i izoluar. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër qytetar i Kosovës, ish-punonjësi i Policisë Aleksandar Vlajiq, pranoi fajësinë për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA) dhe u dënua për spiunazh. Ky zhvillim ka konfirmuar ndërhyrjen e shërbimeve sekrete serbe brenda territorit dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës.

Arrestimi i Arbnor Spahiut u bë e ditur nga një postim i avokati Arianit Koci në Facebook.

Sipas Kocit, Spahiu nuk është pjesë e Policisë së Kosovës tash e tri vjet, mirëpo po merret në pyetje për rastin “Banjska”.

“Jam angazhuar për mbrojtjen e Arbnorit me të gjitha mjetet ligjore. Por kjo nuk mjafton. Kërkoj reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra Ndërlidhëse në Beograd dhe të gjitha institucionet përgjegjëse. Sepse heshtja e sotme e nxit Serbinë të vazhdojë me ndalime të tjera. Dhe asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të përballet i vetëm me një padrejtësi të tillë”, deklaron me të tjerave avokati i njohur.

Poll