MAGAZINË /

Balaj i kthehet Beogradit: Një natë që s’harrohet kurrë

Bekim Balaj është një nga emrat që ka lënë gjurmë të thella në historinë e Kombëtares shqiptare të futbollit.

Shkruar nga Versus
Balaj i kthehet Beogradit: Një natë që s’harrohet
Bekim Balaj

Bekim Balaj është një nga emrat që ka lënë gjurmë të thella në historinë e Kombëtares shqiptare të futbollit. Golat e tij, veçanërisht ai ndaj Portugalisë, janë pjesë e kujtesës sonë kolektive. Por mbi të gjitha, ai do të mbahet mend për një episod që i kalon kufijtë e sportit – “lufta për flamurin” në Beograd. Ishte ndër të parët që u hodh mbi fushë për të marrë flamurin “Autochthonous” nga duart e futbollistëve serbë, një akt që mbeti simbol i krenarisë dhe rezistencës shqiptare.

“Nuk harrohet ajo natë. Ishte një ndeshje që gdhendet në kujtesë përjetë, për gjithçka që ndodhi dhe për mënyrën si e përballuam. Ishim pak në numër, por me zemër të madhe. Bëmë gjithçka për të mbrojtur simbolet tona,” kujtoi Balaj gjatë një takimi frymëzues me të rinjtë në Shkodër, në kuadër të nismës “Ta tham n’Shkodër”.

Sot, teksa një tjetër përballje me Serbinë është në prag, Balaj shpreson që fokusi të mbetet aty ku duhet – në fushën e lojës.

“Kjo është një ndeshje vendimtare për ëndrrën tonë – kualifikimin në një Botëror. Serbia është një kundërshtar direkt dhe kjo sfidë kërkon gjakftohtësi, përqendrim dhe besim. Atmosfera do të jetë elektrizuese, por djemtë duhet të mos lëkunden nga emocioni. Qetësia do të jetë arma jonë më e fortë,” thekson sulmuesi shkodran.

“Ky grup ka potencialin të na çojë më larg se kurrë më parë. Shpresoj që në Tiranë të shkruajmë një tjetër kapitull të lavdishëm për futbollin tonë – me pasion, me dinjitet dhe me një fitore që do të thotë shumë për të gjithë shqiptarët.” Versus.al

Poll