
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, i cili na udhëhoqi deri në Euro 2016 në Francë, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, në prag të ndeshjes Andorra-Shqipëri.
Ai tha se sfida e sotme është një ndeshje e rëndësishme dhe nuk duhet marrë lehtë, sepse mund të vendosë nëse do të arrijmë në play-off.
“Sonte na pret një ndeshje vendimtare, dhe me shumë gjasa Shqipëria do të jetë e dyta në grup, për t’u fokusuar pastaj tek ndeshja ndaj Anglisë, që nëse përfundohet me fitore, do të ishte një festë për të gjithë. Është kënaqësi të jem këtu. Ky është një moment feste që më rikthen në Shqipëri dhe më kujton kohën që kalova këtu,” tha De Biasi.
Në lidhje me trajnerin Sylvinho, De Biasi tha ai ka bërë punën shumë mirë deri tani.
“Nuk besoj se do të kishte nevojë për këshilla nga ana ime për Botërorin. Kombëtarja ka bërë atë që duhej dhe ishte jashtëzakonshme fitorja në Serbi, që i bëri të lumtur të gjithë shqiptarët në botë. Sylvinho ka arritur shumë, edhe pse ndoshta nuk ka bërë ndeshje të mrekullueshme, por jemi këtu ku jemi”, tha ai.
Sa i përket Anglisë, De Biasi tha: “Anglia është shumë më e fortë se Serbia dhe nuk besoj se mund të ketë surpriza. Por shpresoj që Shqipëria të fitojë me Andorran, ashtu si Anglia me Serbinë.”
Në lidhje me rezultatin, ai shprehu optimizëm: “Shqipëria mund të fitojë 2-0 ndaj Andorrës, ndërsa Anglia 2-0 kundër Serbisë.” Ai përfundoi intervistën me një përshëndetje të ngrohtë: “Ciao, Forca Albania, përgjithmonë!”
