MAGAZINË /

E dinit? Tigrat jetojnë vetëm në Azi

Sipas të dhënave shkencore, tigri (Panthera tigris) është një specie që ka evoluar dhe është përhapur vetëm në Azi, që prej rreth dy milionë vitesh.

Shkruar nga Versus

E dinit? Tigrat jetojnë vetëm në Azi

Raportimet e herëpashershme për tigra të parë në Afrikë kanë krijuar konfuzion, sidomos në Afrikën e Jugut. Megjithatë, ekspertët theksojnë se tigri nuk ka qenë kurrë pjesë e faunës natyrore të këtij kontinenti.

Sipas të dhënave shkencore, tigri (Panthera tigris) është një specie që ka evoluar dhe është përhapur vetëm në Azi, që prej rreth dy milionë vitesh.

Ndryshe nga luani, që gjendet si në Afrikë ashtu edhe në Indi, tigri nuk ka qenë pjesë e ekosistemeve afrikane.

Nuk ekzistojnë as prova fosile dhe as dëshmi historike që tregojnë për tigra të egër në Afrikë.

Rastet e raportuara, veçanërisht në zonën e Johanesburgut, lidhen me tigra të mbajtur në robëri. Në Afrikën e Jugut, qindra mace të mëdha rriten në ferma private ose ambiente të mbyllura, shpesh me kontroll të kufizuar. Në disa raste, këto kafshë arratisen ose braktisen, duke u shfaqur përkohësisht në zona të banuara.

Ekspertët theksojnë se këto nuk janë popullata të egra, por raste të izoluara që nuk kanë lidhje me habitatin natyror të tigrit.

Një tjetër shqetësim global është fakti se sot ka më shumë tigra në robëri sesa në natyrë.

Ndërsa në botë numërohen rreth 5,700 tigra të egër, një numër më i madh mbahet në kushte të kontrolluara, shpesh për qëllime komerciale dhe jo për mbrojtjen e specieve.

Ku jetojnë tigra sot?

Tigra të egër gjenden vetëm në disa vende të Azisë, si India, Nepali, Bangladeshi, Rusia, Tajlanda, Indonezia dhe Kina. Habitatet e tyre variojnë nga pyjet tropikale dhe mangrovat deri te zonat me klimë të ftohtë.

Një specie e rrezikuar

Popullsia e tigrit ka rënë me rreth 95% që nga fillimi i shekullit të 20-të, për shkak të gjuetisë së paligjshme dhe shkatërrimit të habitateve. Sipas listës së International Union for Conservation of Nature, tigri konsiderohet ende specie e rrezikuar dhe mbetet në rrezik zhdukjeje./Versus.al

Poll