
Qeveria shqiptare ka shpallur “situatë të veçantë” në tregun e hidrokarbureve dhe ka vendosur të ringrejë Bordin e Transparencës për karburantet, me vendim të firmosur nga kryeministri Edi Rama.
Çfarë parashikon vendimi
Me Vendimin nr. 186, datë 19.3.2026, qeveria shpall situatën e veçantë në tregun e hidrokarbureve në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke u mbështetur në ligjin për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre.
Gjatë kësaj periudhe ringrihet dhe funksionon Bordi i Transparencës dhe Kufiizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit, i cili do të ushtrojë detyrat sipas ligjit në fuqi.
Përbërja e Bordit dhe afatet
Vendimi detyron institucionet e përmendura në ligj që deri më 24 mars 2026 t’i propozojnë ministrit përgjegjës për Ekonominë përfaqësuesit e tyre në përbërje të Bordit, ku ftohen të jenë pjesë edhe grosistët e karburanteve në vend.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Ministria e Financave, si dhe administratat tatimore e doganore ngarkohen me zbatimin e këtij vendimi në bashkëpunim me subjektet e licencuara në tregun e hidrokarbureve.
Çfarë do të bëjë Bordi i Transparencës
Bordi do të caktojë çmimet tavan të karburanteve, si për shitjen me shumicë ashtu edhe me pakicë, dhe këto çmime do të jenë detyruese për të gjitha kompanitë që tregtojnë naftë e gaz në vend.
Vendimi përcakton se situata e veçantë dhe prania e Bordit mbeten në fuqi pa afat të përcaktuar, ndërsa bordi pritet të mblidhet brenda kësaj jave për të vendosur çmimet e para tavan në treg.Versus.al


