Paleontologët kanë zbuluar gjurmë dinosauri në një shkëmb që ishte i ekspozuar për më shumë se 20 vjet në shkollën e mesme shtetërore Biloela në Queensland, Australi.
Pllaka 200 milionë vjeçare përmban 66 gjurmë të fosilizuara që i përkasin 47 ekzemplarëve, duke e bërë atë një nga përqendrimet më të mëdha të gjurmëve të dinozaurëve në Australi.
Gjurmët me tre gishta mund t'i përkasin species ichnomoepus scambus, një dinosaur barngrënës dykëmbësh nga Jurasiku i Hershëm. Sipas Dr. Anthony Romilio nga Laboratori i Dinozaurëve të Universitetit të Queensland-it, i cili udhëhoqi kërkimin, zbulimi është domethënës sepse në Australi nuk është gjetur ende skelete dinosauri nga kjo epokë. “Ne nuk i kemi eshtrat e tyre, por e dimë që ishin aty”, tha ai.
Gjurmët janë bërë ndoshta gjatë një periudhe prej disa ditësh ose javësh në baltë të mbuluar me ujë të cekët. Sipas z. Romilio, kafshët ndoshta po ecnin përgjatë një përroi.
Guri u zbulua në minierën Callide në 2002 dhe iu dhurua shkollës së mesme shtetërore Biloela nga një gjeolog, Wes Nichols, gruaja e të cilit ishte mësuese në atë kohë. Rëndësia e tij u injorua për dekada, derisa anëtarët e komunitetit kontaktuan Anthony Romilio pasi panë punën e tij mbi gjurmët e dinozaurëve në malin Morgan aty pranë.
Zbulim "i madh"
Duke pasur parasysh rëndësinë e zbulimit dhe interesin publik që pritet të gjenerojë, guri do të zhvendoset dhe tani do të shfaqet në zyrën e Këshillit të Qarkut Banana.
"Kjo është e madhe, jo vetëm për Biloelën, por për të gjithë vendin," tha kryetari i qarkut Nev Ferrier. "Kush do ta kishte menduar se një shkëmb i thjeshtë që kishte vite të tëra në një shkollë do të bëhej një nga zbulimet më të rëndësishme fosile të Australisë? Kjo dëshmon se rajoni ynë është plot me surpriza."







