Pavarësisht se nuk do të jenë të pranishëm në stadium gjatë sfidës Shqipëri-Serbi pasi FSHF i ka përjashtuar, Tifozët Kuq e Zi nuk kanë ndërmend të mos e mbështesin Kombëtaren gjatë kësaj ndeshje me rëndësi për kualifikueset e Botërorit 2026.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tifogrupi (TKZ) njofton se që prej orës 19:00 do të jenë të pranishëm pranë stadiumit nga ku do të ndjekin në një monitor gjigand ndeshjen e Kombëtares.
“Tifozat Kuq e Zi nuk ndalen. Pavarësisht se nuk do të jemi në stadium më 7 qershor, kur Shqipëria do të përballet me shkijet, ne do të jemi aty pranë. Prej orës 19:00 mblidhemi tek Lulishte Vëllezërit Frashëri përballë Piramidës për të ndjekur ndeshjen me një ekran të madh të vendosur nga ne.
Për ne nuk ka rëndësi prezenca në stadium, por do të jemi aty për Kombin, duke kënduar të gjithë krah njëri-tjetrit, në një ditë që shpresojmë të kthehet në festë’- thuhet në njoftim.
TKZ janë në një përballje të hapur me Federatën Shqiptare të Futbollit për shkak se ultrasit dolën kundër bashkëorganizimit të Euro 2027 për U21 mes Shqipërisë dhe Serbisë. Që prej këtij kundërshtimi, FSHF nuk siguroi më sektorin e dedikuar për tifogrupin në stadium. Versus.al







