
Skuadra Kombëtare e Shqipërisë pësoi dy humbje në dy miqësoret e zhvilluara në Tiranë përballë Izraelit dhe Luksemburgut, në debutimin e trajnerit italian, Rolando Maran. Ai tha se duhej që këto 2 ndeshje medoemos të fitoheshin.
“Ajo që më shqetëson është uria e lojtarëve. Mendoj se lojtarët tanë duken të ngopur dhe të llastuar. Unë e kuptoj që janë dy ndeshje miqësore, por janë miqësore me një trajner që e ka të nevojshme të kuptojë si funksionojnë këta lojtarë. Skuadra ka nevojë për riparime, ka nevojë për të qenë e mirëkoordinuar.
Unë pashë një skuadër që s’kishte motiv për të luajtur. Kjo s’ka justifikim. Ishin dy ndeshje, që me potencialin që ne mendojmë se e kemi, duhej t’i dominonim kundërshtarët dhe medoemos t’i fitonim. Në aspektin psikologjik është shumë e rëndësishme për një trajner që ta fillojë me fitore.
Nëse ne synojmë të bëjmë hapa para dhe të jemi pjesë e Botërorit, me këto paraqitje sigurisht që nuk ke shanse të përballosh as eliminatoret. Kryesore për mua është që futbollistët të ulen me këmbë në tokë, sepse e shoh që disa mendojnë se janë më të mëdhenj se ç’janë.
Në fakt, shumica e tyre ka pasur një sezon me minutazh minimal. Unë kam pasur pritshmëri nga këta djem. Mendoja se do të ndiznin motorët, se këto dy ndeshje ishin të rëndësishme edhe për vazhdimësinë e karrierës së tyre.
Kur shoh këta futbollistë që vijnë dhe justifikohen se do të fillojnë pushimet, në mentalitetin e futbollistit profesionist, kjo nuk duhet të ekzistojë”, u shpreh Vata. Versus.al

