MAGAZINË /

Ish-basketbollisti i Kombëtares që vendosi të mos largohet nga sporti, por të ndryshojë jetën e fëmijëve në Shkodër

Ish-basketbollisti i njohur shkodran, Herion Faslija, tashmë trajner, mësues dhe drejtues projektesh edukative, tregon se si pasioni për sportin mund të shndërrohet në motor ndryshimi për fëmijët dhe komunitetin.

Shkruar nga Versus

Ish-basketbollisti i Kombëtares që vendosi të mos largohet nga

Në një ambient sportiv e arsimor që shpesh perceptohet si i demotivuar dhe i vështirë për të sjellë ndryshim, Herion Faslija ka zgjedhur të jetë aktiv në disa fronte njëkohësisht. Ish-basketbollisti i njohur shkodran dhe pjesë e ekipit kombëtar, pas mbylljes së karrierës sportive krijoi shoqatën sportive "Monogoal", duke hapur një faqe të re në jetën e tij. Katër vitet e fundit kanë qenë të mbushura me energji dhe projekte konkrete. Sot ai është trajner, mësues në Shkollën Austriake, koordinator i Qarkut Shkodër në projektin e KOKSH "Ekipet Sportive në Shkolla" dhe përgjegjës i Sektorit të Sportit në Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija”. Aktiviteti i tij i pandërprerë është shembull se edhe në një klimë të vështirë, me shumë sfida dhe mungesë motivimi, mund të krijosh energji pozitive dhe të ndërtosh rrugë të reja për komunitetin.

Versus: Përshëndetje Herion! Faleminderit që pranuat ftesën për këtë intervistë të shkurtër. Prej pothuajse katër vitesh jeni larguar nga sporti i luajtur dhe direkt i jeni futur punës, fillimisht me fëmijët.

Herion Faslija: Faleminderit juve për ftesën. Është e vërtetë, sapo u largova nga sporti i luajtur nuk mora pushim. Për mua ishte një vendim i natyrshëm të vazhdoja menjëherë me fëmijët, sepse aty gjeta një energji dhe një motivim të ri. Në fakt nuk ishte situatë krejt e re për mua, sepse këtë rol e kisha provuar edhe më parë part-time, thjesht nga dëshira dhe pasioni që kam pasur gjithmonë për punën me fëmijët. Por tashmë e mora si një angazhim të plotë, duke e parë si rrugën time të re.

Ish-basketbollisti i Kombëtares që vendosi të mos largohet nga

Versus: Ka qenë i vështirë tranzicioni aq i shpejtë nga sportist në edukator për ju?

Herion Faslija: Po, në njëfarë mënyre ka qenë sfidues, sepse është ndryshim rutine. Nga të qenit lojtar, papritur duhet të mësoja fëmijëve elemente që për vite me radhë më kishin ardhur natyrshëm, pa qenë e nevojshme t’i mendoja. Në njëfarë mënyre duhej të bëhesha edhe një herë fëmijë, të rikthehesha tek gjërat bazike dhe ta shihja lojën me sytë e tyre.
Këtë tranzicion në fakt, unë e shoh më shumë si një mision, duke u përpjekur të mbyllim ciklin e gabimeve, qofshin ato personale apo edhe të sistemit, për të krijuar një realitet më të mirë për brezat që vijnë. Shpesh miq të mi më thonë: “Ti ke shumë durim, ne nuk do ta kishim pasur kurrë.” Dhe unë u përgjigjem me shaka: “Nuk është durimi që ju mungon, por ëndrra.” Sepse kur ke një ëndërr dhe një qëllim, çdo sfidë e re merr kuptim.

Ish-basketbollisti i Kombëtares që vendosi të mos largohet nga

Versus: Shpejt pas këtij angazhimi morët edhe role të reja, duke u përfshirë si mësues i Edukimit Fizik në Shkollën Austriake, aty ku privatisht kishit nisur stërvitjet me fëmijët.

Herion Faslija: Shumë nxënës të shkollës u përfshinë natyrshëm në stërvitjet e basketbollit. Drejtori i shkollës, duke komunikuar rregullisht me ta dhe duke ndjekur progresin që po bënin, kuptoi se ata ndiheshin më mirë, ishin më të motivuar dhe më të lidhur me sportin. Kjo, mendoj, ishte arsyeja që e shtyu të më ftonte të bëhesha pjesë e stafit të shkollës. Për mua kjo ishte një mbështetje e madhe dhe, së bashku me përparimin e fëmijëve, një tregues i qartë se përpjekjet dhe puna po jepnin rezultat. Kjo më dha edhe më shumë motivim për të vazhduar punën me përkushtim.

Ish-basketbollisti i Kombëtares që vendosi të mos largohet nga

Versus: Pas punës suaj si trajner e mësues, ju u përfshitë në projektin "Ekipet Sportive në Shkolla" të KOKSH, ku sot jeni edhe koordinator i Qarkut Shkodër për basketbollin. Si e shihni këtë përvojë?

Herion Faslija: Ky projekt ka qenë një hap shumë i rëndësishëm për mua. Në fillimet e tij nuk ishte ky që është sot, sepse si çdo gjë e re, kërkonte shumë energji për ta vënë në lëvizje. Në fakt, na u desh të bënim shumë punë paraprake pa e ditur se çfarë përmasash do të merrte projekti në të ardhmen. Kishte shumë të panjohura, por besuam te procesi dhe tek puna e bërë me përkushtim. Pas kësaj pune, mu besua roli i koordinatorit të Qarkut Shkodër për basketbollin, që ishte një përgjegjësi edhe më e madhe sepse nuk bëhej fjalë vetëm për një shkollë apo një grup të vogël, por për gjithë qarkun, me shumë institucione dhe mësues që duheshin bashkuar në një rrjet të vetëm. Ishte sfidë, por edhe një mundësi për të parë se sa shumë mund të ndikosh kur puna bëhet me seriozitet.

Ish-basketbollisti i Kombëtares që vendosi të mos largohet nga

Versus: Rreth një vit më parë erdhi mundësia të jeni pjesë e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija” si përgjegjës i Sektorit të Sportit. Si e vlerësoni këtë rol?

Herion Faslija: Për mua është një rol shumë i veçantë. Këtu sporti lidhet me jetën kulturore të qytetit, duke u bërë pjesë e përditshme e komunitetit. Nuk bëhet fjalë vetëm për organizimin e aktiviteteve sportive, por për krijimin e një atmosfere ku sporti shihet si pjesë e identitetit kulturor. Eksperiencat e mëparshme më kishin përgatitur për këtë rol, ndaj e mora përsipër me bindjen se mund të kontribuoja realisht. E vlerësoj shumë këtë detyrë, sepse më lejon të shoh drejtpërdrejt ndikimin në qytet dhe tek njerëzit e tij.

Ish-basketbollisti i Kombëtares që vendosi të mos largohet nga

Versus: Si arrini t’i balanconi të gjitha këto role?

Herion Faslija: Së pari, jam falenderues që të gjitha rolet lidhen me pasionet e mia, sportin dhe edukimin. Kjo bën që ngarkesa të mos më duket barrë, por motivim. Brenda një dite kaloj natyrshëm nga një hierarki në tjetrën, herë mësues që ndjek një strukturë, herë trajner që udhëheq një grup fëmijësh, herë drejtues që merr vendime organizative. Kjo më ka mësuar se përgjegjësia nuk varet nga titulli, por nga mënyra si e kryen punën.

Versus: Pas gjithë këtyre përvojave, cila është ideja juaj mbi lidershipin?

Herion Faslija: Për mua lidershipi nuk është një titull që duhet ndjekur, por një përgjegjësi që lind natyrshëm nga puna. Nëse dikush synon vetëm të udhëheqë, nuk ka gjetur ende thelbin. Lidershipi vjen si pasojë e përkushtimit dhe e marrjes së përgjegjësisë. Ndonjëherë më bie të udhëheq, ndonjëherë të ndjek, dhe i vlerësoj të dyja rolet njësoj. Të dyja janë thelbësore për të çuar punën përpara. Natyrisht, kjo rrugë ka edhe anën e saj të vështirë: ndonjëherë humbet miq gjatë saj. Jo sepse është faji i dikujt, por sepse rrugët nuk përputhen më. Kjo është diçka që më vjen keq, sepse i vlerësoj shumë marrëdhëniet njerëzore, por besoj se kur bën gjënë e duhur për komunitetin dhe për të ardhmen, edhe këto humbje duhen pranuar si pjesë e rrugës.

Ish-basketbollisti i Kombëtares që vendosi të mos largohet nga

Versus: Cilat janë planet tuaja në vazhdim?

Herion Faslija: Planet e mia lidhen sërish me sportin dhe edukimin. Pas kaq kohe stërvitjeje me fëmijët, ishte e natyrshme që të lindte edhe krijimi i ekipeve zinxhir në basketboll, fillimisht me djemtë. Shkodra ka nevojë për sa më shumë opsione sportive për të rinjtë dhe këtë e shoh si një domosdoshmëri. Madje, inkurajoj edhe shumë grupe informale të formalizohen dhe të krijojnë ekipe, sepse kjo veçse i shërben të rinjve, sportit dhe qytetit. Dua që këto ekipe të rriten hap pas hapi dhe të krijojnë një bazë të fortë që do të mbajë basketbollin gjallë për shumë vite. Krahas kësaj, synoj të forcoj projektet në shkolla dhe bashkëpunimin mes institucioneve, sepse vetëm duke punuar së bashku mund të arrijmë rezultate që ndikojnë tek komuniteti.

Versus: Sipas këndvështrimit tuaj, a kanë pasur sukses përpjekjet që keni bërë deri tani?

Herion Faslija: Po, unë mendoj se kanë pasur. Kur shoh fëmijët që po mësojnë disiplinën, punën në ekip, ndjenjën e përgjegjësisë dhe po zhvillojnë aftësitë e tyre sportive, ndërsa largohen nga ndikimet negative, ky për mua është sukses. Jam i lumtur që arrij t’i shoh këto ndryshime konkrete. Pavarësisht dëshirës së mirë, ne nuk mund të ndryshojmë botën, por mund ta bëjmë një cep të saj pak më të mirë. Dhe nëse arrijmë këtë, atëherë ia ka vlejtur çdo përpjekje.

Ish-basketbollisti i Kombëtares që vendosi të mos largohet nga

Rrugëtimi i Herion Faslisë është dëshmi se suksesi nuk është qëllim në vetvete, por një pasojë e natyrshme e përkushtimit dhe seriozitetit në punë. Ai lëviz çdo ditë midis roleve të ndryshme, në nivele të ndryshme hierarkie, duke treguar se përgjegjësia ka vlerë si kur merr përsipër drejtimin, ashtu edhe kur ndjek. Me qasjen e tij të qetë dhe të qëndrueshme, ai e sheh sportin jo vetëm si lojë, por si mjet edukimi dhe zhvillimi shoqëror. Dhe megjithëse kjo rrugë ka pasur sfidat e saj, vizioni i tij mbetet i qartë, të ndërtojë përmes sportit një komunitet më të shëndetshëm, më të bashkuar dhe më të motivuar. Kur qëllimi është puna, rezultatet vijnë vetë.

Poll