Edhe pse edicioni i katërt i Big Brother VIP Albania ka përfunduar, marrëdhënia mes Gjestit dhe Eglit vijon të jetë temë debati në media dhe rrjete sociale.
E ftuar në emisionin “Wake Up”, Zhaklin Lekatari komentoi dinamikën mes çiftit, duke e cilësuar si një lidhje toksike dhe jo klasike.
Ajo theksoi se Egli është një person “makiavelik”, që ka manipuluar para së gjithash veten: “Nëse ka një njeri më makiavelik, është Egli, edhe kundrejt vetvetes. Nuk ka manipuluar domosdoshmërisht të tjerët – ka manipuluar veten si fillim.”
Zhaklin e përshkroi lidhjen e tyre si tipike për brezin Z – një marrëdhënie jo tradicionale, e ndërtuar mbi nevojën për mbështetje emocionale dhe jo domosdoshmërisht mbi dashuri të qëndrueshme:
“Nuk është dashuria klasike me unaza e fejesa. Është një lidhje që lind nga nevoja për të mbijetuar emocionalisht, për të pasur dikë që s’të gjykon brenda kontekstit të Bigut.”
Ajo theksoi gjithashtu se loja brenda formatit ishte e rëndë emocionalisht, por shtoi se përgjegjësia për ndjenjat dhe veprimet është individuale:
“Çdo gjë nis nga vetja. Loja të rrënon, por kur përfshihesh emocionalisht me dikë tjetër, barra bëhet edhe më e rëndë.”
Marrëdhënia e diskutueshme mes Gjestit dhe Eglit, me ulje-ngritjet e saj, mbetet një nga më të komentuarat në historinë e spektaklit, dhe duket se debati për të do të vazhdojë edhe jashtë mureve të shtëpisë së famshme.








