Një deklaratë e Shqipe Hysenajt, e bërë dje si e ftuar në Top Albania Radio, ka shkaktuar bujë të madhe dhe reagime të forta në rrjet.
Deklarata e bërë dje nga Shqipe Hysenaj e cila u shpreh se Parashqevi Simaku ka qenë nga ata persona që u merrte burrat të tjerave dhe prandaj kishte mbetur rrugëve, ka ngjallur reagime të shumta në rrjet.
Mes reagimeve që shprehnin indinjatë, ishte edhe ai i biznesmenit Elton Ilirjani i cili qëndroi pranë këngëtares shqiptare pas pamjeve ku shfaqej e pastrehë në rrugët e SHBA.
Ai fillimisht postoi një fotografi të Shqipe Hysenajt me mbishkrimin: “Një kqyqezim për të gjithë shpifësit/thashethemexhinjtë e lagjes dhe të kafeneve”.
Më tej, Ilirjani shkroi: “Parashqevi Simaku është legjenda e muzikës shqiptare. Një nga figurat më të dashura të të gjithë shqiptarëve. Të merresh me llafe dashakeqase apo aq më ulët për klikime është çnjerëzore! Kjo bëhet edhe më e rëndë kur vjen nga ‘ASKUSHËT’!”
Në një video të postuar më pas, ai u shpreh: “Më vjen shumë keq që më duhet të flas për këtë, se si mund të kthehet Parashqevia, si mund të ketë një jetë më të mirë, si mund të rregullohet jeta e saj, ndërkohë që duhet të merremi me këto llafazanet e Shqipërisë. Nuk dua të përmend emra. Në këtë rast të Shqipes, të cilën e quaj ‘askush’ dhe ‘llafazane’, si dikush që e do Parashqevinë si nënën e vet është e pamundur të mos flas”.
Ai shtoi se e kishte menduar gjatë dhe kishte vendosur ta çonte rastin në gjykatë: “Nuk do të merrem direkt me këta abuzues. Por do të çoj rastin në gjykatë. Më kanë thënë avokatët e mi në Shqipëri që shpifjet dhe përbaltjet ndiqen në gjykatë. Më duket se ka edhe një ligj të ri që është edhe më i rreptë kundër përbaltjeve dhe shpifjeve dhe në rastin e Parashqevi Simakut, kjo është edhe më e rëndë sepse ajo është në një gjendje të caktuar emocionale, të cilat mund t’i faktoj në gjykatë në Shqipëri”. Versus.al







