MAGAZINË /

Luiza Gega, akuza të forta presidentit Smajlaj: Nuk shkoj në Evropian!

Shkruar nga Versus

 

Luiza Gega, akuza të forta presidentit Smajlaj: Nuk shkoj në Evropian!

Në Slloveni do të nisë të martën Kampionati Evropian i Atletikës, por Luiza Gega nuk do të përfaqësojë Shqipërinë. Atletja e shpallur Kampione Evrope në 2022, ka bërë një denoncim në rrjetet sociale që konsideron një skandal, pasi sipas saj federata ka vendosur që transportin ta bëjë me autobus.

“Kur pashë me sa pak seriozitet ishte marrë vajtje në këtë aktivitet vendosa të tërhiqem sepse pjesa më e madhe e delegacionit do të shkonte me autobus. Pra duhet të bënte 20 orë rrugë dhe më pas të garonte. Mu rikthye vetja këtu e 20 vite më parë kur ka qenë hera e fundit me autobus. S’ka asgjë të shkosh me autobus por është shumë e lodhshme. Rrugë rraskapitëse që një sportist ti marrë maksimumin garës,” u shpreh fillimisht atletja.

Gega shigjeton drejtpërdrejtë presidentin e federatës së atletikës Izmir Smajlajn, atlet në disiplinën e kërcimit së gjati, që mori këtë post më 5 maj të këtij viti. 

 “Ishte shumë zhgënjyese sepse në momentin e parë që presidenti erdhi tha që ‘gjëja e parë është mbështetja ndaj sportistëve se kam qenë sportist vetë’. Gjëja e parë që bën është të kthejë atletikën 20 vite prapa”, tha Gega.
Për Gegën akoma më skandaloze është fakti që federata s’ka shpërndarë asnjë uniformë për atletët, por në të njëjtën kohë kërkon që ato ti kenë gati për Kampionatin Evropian.

“Nuk ka blerë asnjë uniformë. Uniforma e vetme që ne kemi patur janë para 2 vitesh, që trajneri im i bleu nga xhepi. Kur një president vjen në krye duhet të bëjë një ndryshim dhe presidenti duhet të blejë edhe nga xhepi kur s’është mundësia me fondet e federatës. Një president këtë bënë: duhet të jetë gati për të mbajtur një federatë mbi supe. Jo çdo kush mund ta bëjë presidentin”, deklaroi Gega.
Izmir Smajlaj u zgjodh president i federatës së atletikës si kandidat i vetëm, teksa më herët paraardhësi i tij Taulant Stërmasi, njëkohësisht trajneri i Luiza Gegës, u tërhoq nga gara pas akuzave për manipulim të shoqatave votuese.

Njëkohësisht Luiza Gega nuk arriti të zgjidhej si anëtare kryesie në zgjedhje, pasi nuk mori votat e duhura.

Tags:

luiza gega

Poll